7.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Testi për opozitën në reformën zgjedhore

Më të lexuarat

Vehap Kola

Arritja e marrëveshjes politike ndërmjet regjimit Rama-Veliaj dhe opozitës për kryerjen e reformës elektorale u prit me skepticizëm nga një pjesë e opinionit publik. Të papërgatitur nga ligjërimi i opozitës për një marrëveshje të tillë dhe kaq të shpejtë, gazetarë, aktivistë dhe qytetarë vunë në dukje elementet zhgënjyese të saj, si pranimi i Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit si negociatorë të palës tjetër.

E papritur dhe e debatueshme siç ishte kjo marrëveshje, ajo mund të shndërrohet në një test për vërtetësinë e pretendimeve të opozitës se ajo u arrit nën presionin ndërkombëtar.

Produktet e kësaj marrëveshje nuk mund të parashikohen, por sipas tekstit të saj ato duhet të jenë konsensuale dhe të miratohen pa asnjë ndryshim në Kuvend. Konsensusi i Edi Ramës, si arkitekt dhe sundues i mafia-shtetit të tij, është në thelb një pengesë e pakapërcyeshme për realizimin e ndryshimeve reale që duhet të sjellë kjo reformë në politikën shqiptare.

Në këtë moment, opozita duhet të tregohet e zonja për të orientuar presionin ndërkombëtar mbi Ramën. Në rast se ajo do të dëshmojë se është e paaftë të vendosë Ramën përballë ndërkombëtarëve, sërish do të mbërrijmë në një ujdi të papranueshme me të njëjtën alibi: ndërkombëtarët.

Po cilat janë ndryshimet e domosdoshme që priten nga kjo reformë zgjedhore dhe si mund ta përdorë opozita mbështetjen ndërkombëtare për t’i bërë ato realitet?

Ndryshimi i parë i madh që opozita duhet të synojë përmes reformës është financimi i partive politike. Deri më sot partitë politike dhe fushatat e tyre zgjedhore financohen nga oligarkia. Në shkëmbim të fondeve bujare, politikanët që fitojnë pushtetin u ofrojnë oligarkëve kontrata korruptive të financuara nga buxheti i shtetit, apo kontrata koncensionare për shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe hapësirave publike. Pasojat e monopolizimit të tregjeve dhe përqendrimit të pasurisë janë të dukshme në shkallën e falimentimit të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe në ritmet e braktisjes së vendit.

Opozita ka në dorë mundësinë e artë që këtë herë të kërkojë rregullimin me ligj të financimit të partive politike. Transparenca e fondeve partiake dhe pasurive të politikanëve është edhe një kusht i domosdoshëm për luftimin e influencës dhe përfshirjes së krimit në politikë. Mbështetja e faktorit ndërkombëtar për një propozim të tillë është e padiskutueshme. Pengesat që mund të ngrejë regjimi Rama-Veliaj duhet të merren parasysh paraprakisht, dhe propozimi duhet të nxjerrë zbuluar lidhjet e shumëfishta të pushtetit me botën e nëndheshme të krimit dhe oligarkisë.

Pengesa e vërtetë ndaj një ndryshimi të tillë mund të vijë vetëm nga brenda radhëve të opozitës. Nevoja për të fituar mbështetjen e oligarkisë besohet gjerësisht se është një kusht i domosdoshëm për të fituar pushtetin. Nëse opozita e tejkalon këtë kurth, ajo mund të vendosë një themel të vërtetë për ngrehinën e demokracisë. Pastrimi i politikës nga njerëzit e inkriminuar nuk do të bëhet kurrë për sa kohë nuk dihet origjina e parave që shkojnë në llogaritë e politikanëve dhe partive politike. Me sigurinë që ndërkombëtarët do ta mbështesnin fuqimisht kërë nismë, mbetet në dorën e opozitës për ta bërë ose jo këtë hap të parë të demokratizimit të vërtetë të vendit.

Ndryshimi i dytë i madh që pritet prej opozitës pas uljes në tryezën e bisedimeve me regjimin është demokratizimi i zgjedhjes së kandidatëve të partive për deputet. Pas darkodësisë mes palëve për të mos ndryshuar sistemin elektoral, nga proporcional rajonal me lista të mbyllura në proporcional kombëtar me lista të hapura, me argumentin se kjo do t’i hapte rrugën drejt parlamentit njerëzve me të shkuar kriminale, opozita ka një mundësi të dytë për të demokratizuar mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të saj në institucione. Imponimi me ligj i mënyrës së zgjedhjes së kandidatëve do të kompensonte demokracinë e munguar në mënyrën e kandidimit.

Përsëri, edhe për këtë propozim, nuk ka asnjë arsye të besohet se faktori ndërkombëtar do të imponojë një zgjidhje tjetër. Propozimi mund të mos jetë i zbatueshëm në një afat të shkurtër, por mbetet në përgjegjësinë e opozitës të hartojnë një propozim që fiton mbështetjen e ndërkombëtarëve. Sërish, është në dorën e opozitës ta bëjë ose jo këtë ndryshim. Realizimi i tij do ta demokratizojë politikën më shumë. Për mënjanimin e tij nuk mund të përdoren ndërkombëtarët si alibi.

Ndryshimi i tretë, ndoshta edhe më thelbësori, që mund të synojë opozita me këtë reformë është kriminalizimi i çdo forme të blerjes së votës. Ky është momenti që përkufizimi i shitblerjes së votës të zgjerohet përtej konceptit arkaik të shkëmbimit të votës me para. Ofrimi i punësimit, i favoreve dhe diskriminimit pozitiv si çmim për votën në kuti duhet të përfshihen gjithashtu në përkufizimin ligjor të blerjes së votës.

Është e sigurt se ky propozim do të gjente mbështetjen dhe simpatinë e cilitdo përfaqësues të faktorit ndërkombëtar. Opozita duhet ta synojë këtë zgjerim të përkufizimit ligjor të shitblerjes së votës dhe të përfshijë edhe ngritjen e mekanizmave dhe institucioneve për zbatimin e pakompromis të tij që në zgjedhjet më të afërta. Nëse shitblerja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e votës nuk kriminalizohet as kësaj here, përgjegjësia për këtë i mbetet opozitës dhe ndërkombëtarët nuk mund të shërbejnë më si alibi.

Ndryshimi i katërt dhe më teknik duhet të jetë votimi dhe numërimi elektronik. Drama e manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri nuk mbaron në momentin e hedhjes së votës në kuti. Ajo zgjatet deri disa muaj pas përfundimit të votimeve me maratonën e turpshme të numërimit hileqar dhe administrimit korruptiv të rezultateve. Shmangia e këtij tensioni të kotë, që konsumon kohë, burime dhe mbi të gjitha shumë demokraci, duhet të jetë prioritet i kësaj reforme dhe duhet të jetësohet në zgjedhjet më të para.

Votimi elektronik është kërkuar nga opozita edhe në zgjedhjet e kaluara, por zbatimi i tij është parë me dyshim edhe nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar për shkak të kohës së pamjaftueshme dhe mangësive teknike dhe administruese të KQZ-së. Ky është momenti i duhur që të përcaktohet votimi elektronik dhe për këtë propozim opozita do të ketë edhe përkrahje të huaj.

Ka me gjasë shumë çështje për të marrë zgjidhje në këtë proces të reformimit të kodit zgjedhor, siç është vota e emigrantëve. Por një pjesë e tyre, si financimi i partive politike dhe demokratizimi i zgjedhjes së kandidatëve për postet publike, përcaktojnë fatin e demokracisë në Shqipëri. Kësaj here opozita nuk ka asnjë justifikim për të mos u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve. Ka vetëm një argument për moszgjidhjen e tyre: mungesa e vullnetit të opozitës për ndryshim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit