5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Të rinjtë sahabë – modele të ndritshme (Othman bin Ebu El As r.a.)

Më të lexuarat

Shumë me peshë ka qenë jeta e këtyre të rinjve, të cilët rendën drejt besimit dhe u mblodhën rreth profetit (a.s.) për të mësuar Kuranin, derisa shpirti i tyre u ndriti dhe zemra u pastrua. Historia e lavdishme islame është e mbushur me modele të mrekullueshme nga jeta e të rinjve në lulen e rinisë. Ata kanë pasur qëndrime të ndritshme në jetën e profetit (a.s.), duke merituar me këtë dashurinë dhe përkujdesjen e tij (a.s.). Ndër këta të rinj, të vegjël në moshë, por të mëdhenj në vepra, ishte edhe Othman bin Ebu El As, një i ri nga Taifi, i cili erdhi me delegacionin e Thekifit tek profeti (a.s.). Ai ishte më i vogli i delegacionit në moshë dhe ata e linin pas tek kafshët e veta, që të merrej ai me ato. Kur ata ktheheshin nga profeti (a.s.) dhe bënin gjumin e drekës, ky djalosh shkonte tek profeti (a.s.) duke pranuar, kështu, para tyre islamin në fshehtësi. Ai e pyeste profetin (a.s.) për fenë, i kërkonte t’i lexonte nga Kurani, derisa mësoi disa sure nga Kurani nga vetë goja e profetit (a.s.). Kur e gjente atë (a.s.) në gjumë, shkonte tek Ebu Bekri (r.a.) për ta pyetur e për të mësuar .

dhe tek Ebu bin Ka’b për ta pyetur. Kjo bëri që profeti (a.s.) të habitej me të dhe ta donte atë. Kur delegacioni pranoi islamin dhe deshën të kthehen në vendin e tyre, i thanë: O i dërguar i Allahut, vendos një prej nesh prijës tonin. Profeti (a.s.) vuri për prijës të tyre Othman bin Ebu El As, megjithëse ishte më i vogli ndër ta, sepse pa interesin e tij për islamin. Ai e porositi atë duke i thënë: “Kur të falësh namazin tek populli yt, merr në konsideratë më të dobtin ndër ta e kur të falesh vetëm, bëj si të duash. Lehtësojua namazin njerëzve. Lexo suren El Alak e të tjera të ngjashme nga Kurani”. Gjithahshtu, ekziston edhe një tjetër transmetim që tregon historinë e këtij sahabi të ri me popullin e vet, kur ata i shkuan profetit (a.s.). Taberaniu rregjistron nga Othman bin Ebu El As (r.a.) që thotë: Isha me delegacionin e Thekifit, kur ata shkuan tek profeti (a.s.). Ne veshëm stolitë tona para derës së tij (a.s.) dhe thamë: Kush ka për t’u kujdesur për kafshët tona? Secili prej nesh donte të hynte tek profeti (a.s.) dhe nuk donin të mbeteshin mbrapa. Othmani vazhdon: unë isha më i vogli ndër ta dhe u thashë: Nëse doni, kujdesem unë për to, vetëm nëse më jepni besën e Allahut, se do t’i mbani ju ato kur të dilni. Ata pranuan dhe hynë tek ai (a.s.). Më pas, kur dolën, më thanë: -Eja me ne; U thashë: – Për ku? Më thanë: – Tek familja jote. U thashë: – Unë dola nga familja ime, u stolisa në derën e profetit (a.s.) e tani të kthehem e të mos hyj tek ai, kur ju më dhatë atë që vetë e dini? Më thanë: Nxito se e kemi kryer ne detyrën tënde dhe nuk lamë gjë pa e pyetur. Unë hyra dhe i thashë: – O i dërguar i Allahut, lute Allahun të më mësojë mua fenë dhe të më më bëjë të zgjuar në të. Ai tha: – Çfarë the? Ia përsërita edhe një herë atë që thashë dhe ai tha: “Më ke kërkuar diçka për të cilën asnjë nga njerëzit e tu nuk ma kërkoi. Shko se ti je prijës i tyre dhe atyre që do të vijnë prej popullit tënd.”

 

Në një tjetër transmetim ai ka thënë: Hyra tek profeti (a.s.) dhe i kërkova atij një Kuran që e kishte dhe ma dha. Pra, ai i kërkoi profetit një letër, në të cilën ishin shkruar ajete kuranore për të mësuar Librin e Allahut (xh.sh.) dhe profeti (a.s.) ia dha këtë fletë pasi pa interesimin e tij për të. Ky djalosh u bë prijësi i Taifit, mësues i banorëve të tij, që i printe ata në namaz, megjithë moshën e tij të vogël.
Ai mbeti prijës tërë periudhën e jetës së profetit (a.s.), si dhe atë të Ebu Bekrit dhe Omerit. Më pas Omeri e emëroi prijës në Oman dhe Bahrejn në vitin 15 h e më pas ai banoi në Basra derisa vdiq në periudhën e Muavijes. Prej momenteve të përjetshme të jetës së tij është edhe ndalimi i banorëve të Thekifit të dezertonin pas vdekjes së profetit (a.s.). Ai doli para tyre dhe u tha: – Keni qenë njerëzit e fundit që pranuat islamin, e mos të jeni të parët dezertorë të tij. Me të vërtetë, këto janë shembuj, që të rinjtë tanë duhet të ndjekin, që ymeti ynë të jetë rishtazi i gjallë dhe të gëzohet në këtë botë dhe në ahiret.

Nga libri “Jeta e këndshme” – Dr. Enes Kerzun

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit