Sulmohet fizikisht kreu i VV-së në Shtime

0
57

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot ndaj sulmit fizik, që i është bërë të mërkurën kryetarit të saj në Shtime, Labinot Beqës.

Të mërkurën, më 30 maj, në debatin e organizuar nga emisioni “Jeta në Kosovë” në Shtime, ku u debatua mbi problemet në këtë komunë me përfaqësues të pozitës dhe opozitës, ndodhi një incident, me ç’rast Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Shtime Labinot Beqa u sulmua fizikisht nga Hilmi Aliu, profesor i padiplomuar në shkollën e mesme “Naim Frashëri”, i pranishëm në sallë, thuhet në reagim.

Më tej në reagimin e VV, thuhet se incidenti u shkaktua kur Labinot Beqa reagoi ndaj pranimit në punë të gruas së kryesuesit të Asamblesë Komunale në Shtime, Kujtim Xhelilit, si arsimtare e matematikës në shkollën fillore “Emin Duraku” në Shtime, përkundër që i mungonte kualifikimi, deri sa për të njëjtin vend pune ka aplikuar edhe një person tjetër me kualifikim adekuat. Ndaj kësaj reagoi Hilmi Aliu, i cili përveç sharjeve dhe fyerjeve e sulmoi edhe fizikisht Labinot Beqën.

Lëvizja Vetëvendosje! reagon ashpër ndaj këtij akti, duke vënë në pah se përkundër dallimeve politike apo çështjeve kontestuese, dhuna fizike është e papranueshme. Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që të marrin masa ndaj personave që kryejnë këso akte të papranueshme dhe në të ardhmen të sigurojnë ambient të sigurt për shprehje të lirë, pavarësisht bindjeve personale dhe politike./kohaislame/