Strukturat paralele vetëm iluzion për serbët

0
30

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se Serbia më nuk mund të ketë institucione të saja në Kosovë dhe se koha e strukturave në Kosovë, tashmë ka kaluar, pasi ato serbëve lokal u kanë dhënë vetëm iluzione dhe asgjë tjetër.

Duke komentuar paralajmërimet e politikanëve serbë se edhe përkundër qëndrimit që të mos mbaheshin zgjedhjet lokale të Serbisë më 6 maj, kjo e fundit do t’i ruaj institucionet e saja në Kosovë, Kuçi, për mediet serbe, ka thënë se Qeveria e Kosovës i trajton qytetarët e saj në mënyrë të barabartë andaj vetëm institucionet e qytetarë të cilët jetojnë në Kosovë do të jenë legjitime.

“Të gjitha të tjerat, i shërbejnë fushatave dhe nuk i kontribuojnë uljes së tensioneve në marrëdhëniet ndëretnike. Mendoj se nuk është mirë as për Serbinë që të përzihet në punë të Kosovës. Gjithashtu, nuk është mirë as për bashkësinë serbe e cila jeton këtu që dikush t’u ofrojë iluzione”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka shtuar se koha e sistemeve paralele ka kaluar dhe se tani është koha e demokracisë dhe e bashkëpunimit.

Sipas tij, institucionet paralele serbëve u japin vetëm iluzione ndërsa jeta vazhdon dhe ata nuk përfitojnë asgjë./koha/kohaislame