16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Spektakli mitologjik i Ramës dhe magjepsja e turmave

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri
Progresi teknologjik i komunikimit dhe kontrolli i medias mbi opinionin publik ka sjellë një transformim rrënjësor të politikës në shoqëritë moderne. Varësia e madhe e saj nga media përcakton mënyrën se si ajo zhvillohet. Kjo ka sjellë dominimin që varet nga mënyra e komunikimit, kjo e fundit kushtëzuar nga lloji i medias që përdorim më shumë, ç’ka ka sjellë një realitet ku idetë marrin gjithmonë e më pak peshë. Politika është bërë tashmë televizive. Ajo nuk ndodh në ndonjë realitet konkret, por ndodh vetëm në ekran. Politika është një veprimtari e shfaqur dhe e kushtëzuar nga shfaqja dhe si e tillë ajo bëhet spektakolare dhe thellësisht propagandistike. Siç thonë disa studiues të shkencave politike, ajo është bërë tashmë videopolitikë.
Efekti i natyrshëm i spektakolarizimit të politikës është vulgarizimi i saj. Giovanni Sartori është një nga ata studiues që pohojnë se ajo karakterizohet sot nga të mosmenduarit. Kalimi nga gazeta tek radio dhe ankorimi në televizion, si arena kryesore ku bëhet dhe shfaqet politika moderne, ka bërë që pesha e fjalës (qoftë kjo e shkruar, apo e folur) të humbasë dhe të dominohet tashmë nga imazhi. Në këtë mënyrë, politika çlirohet nga forca e mendimit për të shkuar gjithnjë e më shumë drejt shfaqjes. Imazhi e ndërpret mendimin kritik dhe procesin e të gjykuarit thellë tek individi. Ai, gjithashtu, prodhon reagime emocionale dhe jo racionale te publiku. Kjo bën që politika, si një veprimtari televizive, të mbështetet gjithnjë e më pak tek idetë e programet dhe gjithnjë e më shumë tek efektet emotive, të prodhuara nga stimujt e kushtëzimit veprues të propagandës.
Nga të gjitha format e komunikimit, thotë Sartori, imazhi gënjen më shumë, pasi ai flet vetë dhe nuk lë hapësirë për koment. Për këtë arsye, sipas tij, televizioni është mjeti më i rrezikshëm i komunikimit e, rrjedhimisht, politika e sunduar nga televizioni, prodhon një demokraci që nuk formësohet nga arsyeja, por nga injoranca. Kjo do të thotë se demokracia ka humbur idealet mbi të cilat është ngritur duke dështuar të prodhojë një politikë të arsyes.
Sipas Sartorit, televizioni ndikon mbi turmat duke falsifikuar autoritetin. Ai përdor njerëz të famshëm, pa asnjë lloj atributi intelektual – këngëtarë, futbollistë, aktorë – duke iu dhënë atyre autoritet për të manipuluar turmën. Injoranca kthehet në standard dhe në mjet sundimi. Me këto mjete, videokracia fabrikon opinionin, çka boshatis demokracinë nga atributet e saj si një qeverisje e opinioneve. Televizioni vepron si zëdhënës i publikut, por ai është vetëm jehona e zërit të vet, e cila i mbivendoset publikut.
Politika e sotme është jo vetëm irracionale, por, në një masë të konsiderueshme, edhe e pavetëdijshme. Aldus Huxley vëren se njerëzit në përgjithësi komunikojnë më shumë në mënyrë të pavetëdijshme sesa të vetëdijshme. Shumica e gjërave që shohim e dëgjojmë gjatë ditës, nuk janë objekt i vetëdijes sonë. I gjithë ky informacion, sipas tij, depozitohet në nënvetëdije, gjë që bëhet një burim i madh ndikues mbi mendimet, ndjenjat dhe sjelljet tona të vetëdijshme.
Këtë mund ta themi edhe për zgjedhjet tona politike. Votuesi nuk bën llogari apo analiza të specializuara për të përcaktuar se kujt ia jep votën. Ai gjykon mbi bazë të përshtypjes, e cila ka marrë formë në nënvetëdijen e tij, teksa më pas, ai mund të debatojë dhe të arsyetojë se si dhe pse një forcë politike është më e mirë se tjetra. Arsyet e zgjedhjeve, përtej argumenteve tona, janë më shumë produkt i sferës së nënvetëdijes. Në thelb, përveç se joracionale, demokracia moderne është gjithashtu një “udhëheqje e pavetëdijes së popullit”.
Nëse dikur media dhe shtypi i lirë janë parë si burim i rëndësishëm i demokracisë, sot ato janë burimet që po e tjetërsojnë atë. Ato nuk janë më mjete të mirëfillta informimi, por burime manipulimi dhe propagande. Demokracia kthehet në një sistem ku garojnë manipuluesit. Aftësia për të manipuluar bëhet kapitali më i madh politik dhe fuqia që përcakton suksesin. Politika është si një pazar ku tregtarët shesin e blejnë imazhin e tyre. Njësoj si në një qendër tregtare, blerjet tona nuk varen aspak nga cilësitë reale të mallrave, por nga fuqia marketuese e tyre. Kjo do të thotë se partitë nuk janë më alternativa qeverisëse, por, siç thotë Lazarsfeld “agjenci reklamash që luftojnë për monopolizim të vëmendjes”.
Kthim në identitetet e së ardhmes
Edi Rama është profili më tipik dhe më i ekzagjeruar i politikës së spektaklit dhe monopolizimit të vëmendjes në Shqipëri. E gjithë veprimtaria e tij përqendrohet tek propaganda, në qendër të së cilës është imazhi, i zhveshur plotësisht nga përmbajtja. Pamja e tij, retorika si dhe i gjithë aktiviteti i tij politik, tregojnë se si politika mund ta kthejë të shfaqurit si qëllim në vetvete, duke neutralizuar çdo funksion apo qëllim tjetër. Nga ky kuptim, më shumë sesa një korrent politik brenda së majtës, Rilindja është një agjenci marrëdhëniesh me publikun, e cila bombardon opinionin me stimuj marketues, të krijuar për të paralizuar çdo perceptim të pavarur të realitetit, si dhe çdo gjykim kritik.
Që në fillimet e veta në angazhimin e tij në Partinë Socialiste, Rama e nisi me një projekt të mirëfilltë imazhi, të markuar me logon “Kthim në identitet” . Projekti nuk ishte gjë tjetër vetëm se një iniciativë e rëndomtë në nivel komunal, për lyerjen me bojë, suvatimin dhe ndriçimin e fasadave të godinave qeveritare në qendër të kryeqytetit. Ndonëse, në thelb, ishte thjesht një projekt rikonstruksioni, ai u shit si një vizion i ri në politikën shqiptare, i cili premtonte rikonstruktimin e të gjithë tranzicionit postkomunist.
I perceptuar si një projekt i Ministrisë së Kulturës, jo i Bashkisë së Tiranës, dhe i pagëzuar me një emër që revokon sentimente identitare, projekti u shit si një vizion i ri kulturor e zhvillimor, i panjohur deri atëherë. Bashkë me suvatimin e fasadave, projekti Rama po sillte një politikë të re, që do të suvatonte fytyrën e një Shqipërie të lodhur e të vuajtur nga diktatura e pasdiktatura. Rama paraqitej si projekt i një politike ultramoderne, krejtësisht ndryshe, me një vizion të ri që dukej se i përgjigjej mentalitetit perëndimor të shumëdëshiruar.
Në fakt, si kryetar bashkie, Rama nuk ofroi asgjë në planin identitar të Tiranës. Betonizimi i qytetit dhe shkatërrimi i disa prej objekteve të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore, të instaluara si shenjues historikë në memorien urbane të tij, tregon të kundërtën e asaj që ai pretendonte. Peizazhi urban, përtej zhvillimeve të pritshme të një vendi të dalë nga një sistem ekonomik i centralizuar, nuk reflekton asnjë kujdes për të ruajtur çfarë është e mundshme nga trashëgimia e tij. Megjithatë, kjo nuk e pengoi kryetarin e bashkisë të propagandojë se përfytyrimi i tij, si një artist avangardë, ndërlidhte trashëgiminë dhe respektin ndaj të vjetrës me zhvillime të një vizioni modern mbi të ardhmen e qytetit. Në realitet, vizioni i tij ishte vetëm një spektakël betoni, ngarkuar me snobizëm arkitekturor, pas të cilit fshiheshin interesa korruptivë klientelistë.
Projekti filloi me pompozitet të jashtëzakonshëm, e madje fyes për inteligjencën e një publiku mesatar që ia vret veshin një bombardim propagandistik aq i madh për aq pak punë. As kostoja financiare, tmerrësisht e lartë për xhepat e një shoqërie të sapodalë nga 97-a, as akuzat e shumta për shpërdorime fondesh, nuk ia zbehën shkëlqimin. Tundimi i një politike të tillë tejkalon çdo analizë racionale, sepse propaganda, në thelb, funksionon pikërisht për të pezulluar forcën e mendimit në gjykimin e një oferte politike. Dhe Rilindja ia ka dalë më së miri deri tani ta neutralizojë të menduarit, pikërisht me shkëlqimin e spektaklit. Në mënyrë fare të sinqertë, vetë Rama u shpreh gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie se ai e shihte Tiranën si një vajzë të re, të varfër, që edhe ato pak lekë që ka i shpenzon për buzëkuq. Sado e tmerrshme qoftë përmbajtja e mesazhit të përcjellë nga këto fjalë, ajo paralizohet nga efekti estetik i metaforës dhe kuptimi real neutralizohet nga klishetë që prodhon estetika retorike e shndërruar në qëllim në vetvete.
Cinizmi shtrihej edhe në një aspekt tjetër. Restaurimi i fasadave nuk ishte i plotë, por vetëm në ato anë të godinave, që ishin të dukshme nga bulevardi. Nga anët e pasme, ato ruanin të njëjtën pamje si më parë, e cila bëhej edhe më e trishtueshme, për shkak të kontrastit me pjesët e restauruara. Ky fakt, shpalos qartësisht ironinë e pafytyrësisë komerciale, të mbështetur mbi logjikën e performativitetit. Paratë duhen shfrytëzuar me efiçencë, ndaj nuk ka përse të investohen në pjesët e pasme të fasadës së një godine, kur efekti manipulues është i vogël. Ky lloj komercializimi është shkatërrim i politikës në vetvete.
Sidoqoftë, projekti u përurua në kulmin e fushatës ku Edi Rama kandidonte për kryetar bashkie. Populli u ftua në një festë të madhe në bulevard, për të kremtuar “mrekullinë” e fasadave të reja, gëzimin e të cilave qeveria e shprehu me të shtëna topi. Turmat iu gëzuan në delir bojatisjes së godinave, të ngazëllyer për një lider të ri premtues që po shfaqej në qiellin e vrenjtur të politikës shqiptare. Pak bojë, pak tallava, disa fishekzjarrë e shumë kamera mjaftuan për të konstruktuar shpresën e turmave për një politikë të re.
Industria politike e nevojave
Industria kulturore jo vetëm i bind njerëzit se një produkt ka vlera të rëndësishme, por ajo arrin të kultivojë tek ata nevojën për të. Industria kulturore, thotë Markuze, ka arritur të manipulojë nevojat dhe dëshirat tona, duke na imponuar të vetat, nëpërmjet të cilave ajo ushtron kontroll mbi shoqërinë. Në këtë mënyrë në saj të fabrikimit kulturor, njerëzit zhvillojnë kërkesa dhe nevoja artificiale, të cilat i perceptojnë si të tyret, për realizimin e të cilave ata modifikojnë rrënjësisht sjelljen dhe mënyrën e tyre të jetesës.
Makineria propagandistike e Kryeministrit Rama nuk manipulon vetëm faktet, duke e paraqitur liderin e saj si një politikan që i përmbush kërkesat e shoqërisë, por ajo arrin të manipulojë edhe vetë nevojat e njerëzve, duke i bërë turmat të ndiejnë se ato çfarë Rama ofron, janë të rëndësishme për ta. Ajo shpik disa lloj nevojash tërësisht jothelbësore për shoqërinë tonë, ndërsa e paraqet Ramën si të vetmin politikan që mund ti realizojë ato.
Kështu, Rama paraqitet si njeriu që “i ka kthyer qytetit ngjyrat”, që prishi kioskat, që ka përmirësuar dekorin e qyteteve, që ka integruar artin me politikën duke estetizuar qeverisjen etj., gjëra këto për të cilat shoqëria nuk ka shprehur ndonjë shqetësim më parë. Ato kanë filluar të perceptohen si nevoja vetëm pasi Rama i ka paraqitur si angazhime politike. Kjo politikë tipike sipas logjikës së industrisë kulturore, ku nuk është kërkesa që përcakton ofertën, por e kundërta, oferta e krijon kërkesën. Pasi Rama ofron një projekt, publiku fillon ta perceptojë si të nevojshëm dhe ndihet i kënaqur për realizimin e tij.
Ky devijim i vëmendjes dhe i interesave të qytetarëve bën që publiku të deformojë hierarkinë e interesave. Ndërsa shumë njerëz ndjehen të kënaqur që Rama ka punuar shumë për bojatisjen e pallateve, për rregullimin e Lanës, ndriçimin e bulevardit apo mbjelljen e kumbullave të kuqe në Rrugën e Kavajës, interesimi i tyre për nevoja shumë më thelbësore si strehimi, punësimi, shërbimet sociale, furnizimi 24 orë me ujë dhe energji elektrike etj, bie. Nevojë nuk është më ajo që iu duhet qytetarëve, por ajo që Rama iu ofron atyre.
Një ndër studiuesit më të hershëm të propagandës Edward Bernays, duke folur mbi paradigma të reja të strategjive të marketingut, e ilustron këtë me mënyrat se si një kompani që prodhon vegla muzikore arrin t’i imponohet publikut. Ai shpjegon se mënyrat e reja të të propaganduarit nuk kanë nevojë të të bindin se veglat muzikore që ata shesin janë të një cilësie të mirë, por hartojnë strategji të detajuara për ta kthyer në modë krijimin e hapësirave për muzikë në çdo shtëpi. Nëpërmjet goditjes së nënvetëdijes së publikut, njerëzit do të fillojnë ta ndiejnë si ide të tyren nevojën për të pasur një hapësirë të tillë ku luhet muzikë.
Sipas mënyrës së vjetër të shitjes, thotë Bernays, fabrikuesit iu kërkojnë blerësve: “Të lutem, bli një piano!”. Ndërsa metoda e re e ka kthyer procesin mbrapsht. Tashmë është blerësi që i lutet fabrikuesit: “Të lutem, më shit një piano!”
Kjo është ajo çfarë thekson Giovanni Sartori duke iu referuar një kërkimi eksperimental të dy studiuesve Lyengar dhe Kinder: Televizioni komandon vëmendjen e publikut (agenda setting) dhe gjithashtu përcakton standardet e publikut (priming). Duke kontrolluar mediat, propaganda e Ramës ka arritur të kontrollojë dhe imponojë standardet nëpërmjet të cilave publiku gjykon Ramën, madje percepton edhe përmirësimin apo përkeqësimin e jetës së vet në raport me qeverisjen.
Konstruksioni mitologjik i liderit
Propaganda e Ramës ka fabrikuar një seri mitesh në lidhje me profilin e tij politik. Si të gjitha mitologjitë, ajo ka për qëllim të mistifikojë udhëheqësin, për t’i dhënë atij përmasa madhështie, të cilat e mbrojnë nga çdo sulm politik që mund të burojë nga një narrativë racionale. Funksioni i mitit është krijimi dhe realizimi i kushteve për magjepsjen e turmave, për të lehtësuar manipulimin e plotë të tyre.
Njëri prej miteve më të hershëm që vetë Rama dhe të gjithë njerëzit rreth tij kanë krijuar për të, është ai i punës, i cili e paraqet atë si një punëtor të palodhur, ndryshe nga e gjithë klasa politike shqiptare. Një ndër sloganet kryesore të përdorura prej tij gjatë qeverisjes së Bashkisë së Tiranës ishte: “Punë, punë dhe vetëm punë”, ndërsa glorifikimi mbi punën mbushte masivisht retorikën e tij. Ajo e paraqiste Tiranën si një kantier ndërtimi që po merrte një pamje të re, falë një përkushtimi të madh dhe një këmbënguljeje të palodhur të Kryetarit të Bashkisë. Puna ishte ajo çfarë e dallonte atë nga e gjithë klasa politike shqiptare, e stereotipizuar si parazitare dhe e paaftë për t’u marrë me gjë tjetër veç llafeve.
Kjo retorikë vazhdon deri diku ende, megjithëse paradoksalisht ai tregon, me gojën e tij, se si gjatë orarit zyrtar pikturon e shkruan libra, madje edhe gjatë mbledhjeve qeveritare. Me pikturat e krijuara mbi dokumente zyrtare në këtë mbivendosje dypunësimi përgjatë të njëjtës kohë fizike të orarit zyrtar, ai ka hapur ekspozita kudo nëpër botë, Gjermani, Turqi, Itali, SHBA, deri në Kinë.
“Politika e re” është njëri nga mitet më të rëndësishme të Edi Ramës, prej të cilit vjen edhe slogani i “Rilindjes” i përdorur gjatë fushatës elektorale për kryeministër si emblemë e projektit të tij qeverisës. Politika e re ofrohej si shpresë për ndryshim në kushtet e një pakënaqësie të thellë të krijuar nga një tranzicion i stërzgjatur. Politika e re premtonte fundin e këtij tranzicioni, duke e transformuar krejtësisht realitetin shqiptar drejt një epoke të re të krijuar prej tij.
Kjo lloj narrative mundohet të prodhojë një kontrast, i cili shenjon një dialektikë midis së mirës dhe së keqes apo së vjetrës dhe së resë. Politika e re është një përgjigje finale ndaj një “politike të vjetër” e cila duhet përmbysur. Ajo vjen si i çlirim, si një forcë e re emancipuese që do ta eliminojë plotësisht gjithçka ekzistuese, e cila ka penguar zhvillimin e vendit. Jemi këtu në një terren revolucionar, ku politika kapërcen natyrën e saj, duke folur në terma mesianikë. Udhëheqësi vjen në rolin e shpëtimtarit në një përballje finale me forcat e errëta të historisë.
Në funksion të këtij përfytyrimi, Rama u përpoq të pozojë si një politikan krejt ndryshe, që nuk i përgjigjet aspak modeleve të njohura deri tani. Për këtë ai ka përdorur të gjitha elementet e politikës së spektaklit, që nga veshjet ekstravagante – shpesh edhe karnavaleske për një zyrtar shteti – duke vazhduar me retorikën agresive e përqeshëse, shkartisjen e artit me politikën, shfaqjet e tij shpesh qesharake nëpër koncerte e spektakle televizive, deri tek të kënduarit duke i rënë dajres nëpër fushata.
E nisi duke u përfshirë si këngëtar në një klip hip-hopi me grupin West Side Family, dhe e vazhdoi me një CV të pasur shfaqjesh të tilla si, vallëzimi me ish-gruan në Dancing With the Stars, shfaqja me kostumin e babagjyshit të fundvitit në një spektakël televiziv, xhirimet në dush për një emision satirik, shfaqjet duke luajtur basketboll, duke prerë një pemë me sëpatë në mes të rrugës, dalja në fushatë i veshur me tuta apo paraqitja me atlete në takime ndërkombëtare. Të gjitha këto u bënë tipari me të cilin ai ofroi profilin e politikanit jokonvencional, të pakornizueshëm nga asnjë përmasë normative apo konceptuale, si dhe të papërkulshëm përballë çdo barriere politike, kulturore, zakonore apo edhe ligjore.
Miti i politikanit artist është një tjetër mjet për të krijuar idenë e politikanit jokonvencional, duke i legjitimuar vetes të drejtën për thyerjen e rregullave e madje edhe shkeljen e kodeve të etikës apo ligjeve të shtetit në funksion të qëllimeve të tij të mëdha. Rama ka qenë një politikan që ka qeverisur gjithmonë sipas vullnetit të tij dhe jo ligjeve e rregullave. Ai nuk respekton asnjë institucion dhe asnjë ligj që bie ndesh me vullnetin e tij. Vajtja me megafon në një komision hetimor parlamentar, të ngritur enkas për abuzimet e tij financiare, ka qenë një prej momenteve të para në kalvarin e gjatë të shpërfilljes dhe përqeshjes së institucioneve shtetërore në aktivitetin e tij politik. Të tilla, më pak të bujshme, gjen plot gjatë karrierës së tij politike.
Edi Rama e ka instrumentalizuar në mënyrë agresive aureolën e artistit, që i mbivendosej pozicionit të tij si politikan. Nëpërmjet kësaj ai ka arritur t’i bëjë të tjerët që t’ia pranojnë gjithçka. Duke pretenduar se është ndryshe nga të tjerët, dhe se askush nuk është si ai, krijohet predispozita që atij i tolerohen gjëra që nuk do ti toleroheshin askujt.
Gjatë gjithë karrierës së tij politike, Rama është investuar fuqishëm në mistifikimin e aksionit të tij politik nëpërmjet statusit të tij si artist. Ai paraqitet sikur ka shpikur një lloj të ri të të bërit politikë: Politika nëpërmjet artit. Në funksion të kësaj, ai, jo vetëm ka çelur ekspozita pikture kudo nëpër botë, por bashkëpunon vazhdimisht me artistë të ndryshëm nga bota për të sjellë në Shqipëri vepra artistike, me të cilat dekoron mjediset e institucioneve shtetërore, apo sheshet e qytetit. Ai rreket ta paraqesë vetë qeverisjen e tij si një vepër arti. Duket se ai e ka transferuar qeverisjen në galeri duke pretenduar se po i shton asaj dimensione të reja.
Duke iu referuar një konceptimi postmodern mbi artin, modeli më përfaqësues i të cilit është paraqitja e urinarit në galeri nga Deschamp, na rrëfen pa dashur thelbin e këtij vizioni, i cili qendron në defunksionalizimin e qeverisjes, në funksion të estetizimit të saj. Në thelb, ky është atribut i politikës së spektaklit, e cila e defunksionalizon qeverisjen. Qeverisja kthehet në shfaqje dhe puna reale e saj nuk është objekt i asaj çfarë i ofrohet publikut. Realisht, Rama qeveris nëpërmjet spektaklit, jo nëpërmjet artit, dhe qeveria nuk është në galeri – në punë jo e jo – por në ekran. Ajo nuk ka për qëllim të qeverisë, por të sugjestionojë publikun.
Rama është vetë mesazhi
Marshall McLuhan, një nga teoricienët më me ndikim mbi transformimet e botës moderne dhe komunikimin, ka përpunuar një teori, sipas së cilës zhvillimet e mjeteve teknike nuk janë gjë tjetër vetëm se zgjatime të aftësive njerëzore, qofshin këto fizike, mendore, shqisore etj. Kështu p.sh. çekiçi është zgjatim i duarve, rrota është zgjatim i këmbëve, telefoni është zgjatim i veshit, e me radhë. Televizori është një zgjatim kompleks i shqisave, i cili rrit dhe transformon komunikimin.
Mirëpo, McLuhan vëren se zhvillimet teknike kanë arritur të ndikojnë mbi vetë njeriun, duke e bërë atë të ndryshojnë aftësitë dhe sjelljet e tij. Shpikja e orës p.sh. nuk është se thjesht i ka ndihmuar njeriut të llogarisë më mirë kohën, por ajo ka fituar pushtet mbi të, duke bërë që ai ta organizojë kohën në bazë të saj. Pra, njeriu i është përshtatur zgjatimeve të veta. Kjo do të thotë se ai është bërë tashmë instrument i mjeteve teknike, të cilat, nuk përcjellin mesazhet njerëzore, por mesazhin e vetvetes. Zgjatimi është vetë mesazhi, – shprehet McLuhan.
Natyrisht, televizioni dhe, në përgjithësi, media janë zgjatime me një ndikim të jashtëzakonshëm mbi njeriun. Ato nuk janë instrumente neutrale, që ne i përdorim kur na duhen, në funksion të nevojave tona. Përkundrazi, ato ndikojnë mbi jetën tonë dhe e detyrojnë atë të organizohet prej dhe rreth tyre. Në këtë mënyrë, media funksionon në vetvete dhe për vetveten, pa i llogaritur nevojat tona duke e vënë publikun në shërbim të saj. Për të nuk ka pikë rëndësie se çfarë komunikon. Rëndësi ka vetëm procesi dhe aspak produkti i komunikimit. Sipas formulës së McLuhanit: Media është vetë mesazhi.
Politika, si një fushë e zhvilluar kryesisht në media, ka pësuar një transformim të madh duke iu përshtatur mjeteve të komunikimit që ka në përdorim. Media transformon jo vetëm mesazhin politik, por edhe vetë politikën në tërësi. Pra, politika i përshtatet medias dhe jo qytetarëve. Ajo vendos në qendër të saj imazhin publik, si instrumentin nëpërmjet të cilit çdo forcë politike mund të arrijë sukses elektoral.
Videopolitika apo politika e zhvilluar përmes imazhit, siç e përshkruan Giovanni Sartori, mbështetet tek ekzibicioni i liderëve, të cilët përqendrohen tek spektakli dhe jo tek informacioni. Gjithmonë e më pak fjalimet e tyre kanë përmbajtje dhe mesazhe reale për të transmetuar. Në termat e McLuhanit, Sartori shprehet se në politikën e sotme “Videolideri është vetë mesazhi” .
Në thelb, ashtu si çdo politikë e spektakolarizuar, politika e Ramës synon të jetë më shumë argëtuese, sesa reflektuese. Ajo nuk i drejtohet arsyes, por pavetëdijes së publikut, duke u munduar ta paraqesë liderin si një njeri tërheqës e mbresëlënës, pa pasur nevojë të gjykohet mbi qeverisjen reale. Aseti i vetëm që i duhet kësaj politike është një lider telezhenik i cili arrin të manipulojë inteligjencën emocionale të publikut.
Rama investohet fuqishëm në këtë aspekt, duke shkatërruar plotësisht aspektin racional të komunikimit politik. Humori, vallëzimi, këndimi, qoftë edhe plot stonatura, komunikojnë me nënvetëdijen e publikut duke shmangur gjykimet racionale dhe kritike.
Pikërisht kjo është ajo çfarë kërkon çdo propagandë dhe çdo veprimtari manipuluese. Ajo, jo vetëm e di që publiku nuk mendon në një masë të konsiderueshme – ndaj dhe nuk përpiqet t’i drejtohet mendjes së tij – por mbi të gjitha, as nuk i intereson që ai të mendojë, sepse nuk ka asgjë për të ofruar në planin real, të vlerësueshëm në bazë të një analize objektive. Për këtë arsye, ajo kërkon thjesht të krijojë një përshtypje, në mungesë të një arsyetimi.
Pra, Rama nuk ka mesazh dhe as që ka nevojë të ketë. Ai nuk përcjell asnjë kumt, mjafton vetëm oratoria, e cila xhiron bosh në vetvete, duke u shërbyer vetëm në funksion të qëllimeve estetike. Ai nuk prodhon asgjë, por marketon produktin e vet imagjinar, i cili vlerësohet vetëm mbi bazë të ambalazhit. Gjuha e Ramës nuk nxit për reflektim apo argumente, por vetëm ngulit tek dëgjuesi gjykime të thjeshta, për të krijuar një bindje.
Rama nuk transmeton asgjë, gjithçka që ai përcjell fillon dhe mbaron tek vetë transmetimi. Ai është vetë mesazhi dhe ky mesazh është vetë dhe vetëm të shfaqurit e tij. Ekspozimi është e gjitha.
Turma dhe propaganda
Propaganda është vetëm një instrument për të manipuluar masa të gjera të popullsisë, në funksion rritjes, forcimit e legjitimimit të një pushteti. Ajo ndërhyn në mendjet e njerëzve duke ndikuar pikëpamjet apo gjykimet e tyre dhe për këtë, asaj i duhet t’i pengojë njerëzit të mendojnë me kokën e tyre. Neutralizimi i të menduarit arrihet nëpërmjet një sërë instrumentesh, siç janë komunikimi nëpërmjet imazheve, sloganeve, klisheve, stereotipave etj. Këto bëjnë të mundur ngulitjen e ideve të thjeshta, të drejtpërdrejta, të përvetësuara në mënyrë pasive, derisa ato kthehen në bindje të cilat transformojnë mendimet tona.
Shoqëritë e masave janë produkt i modernitetit, pasojë e uniformitetit kulturor që buron prej unifikimit të mjeteve të komunikimit, zgjerimit të shtetit dhe centralizimit të autoritetit. Turma është një produkt i ekzagjeruar i këtij uniformiteti dhe ajo është pasojë e një ekspozimi afatgjatë të shoqërisë ndaj një indoktrinimi propagandistik apo një krize. Autorë të shumtë vërejnë se krizat ndikojnë në rritjen e unitetit shoqëror. Ankthi dhe pasiguria vënë në lëvizje instinktet e masave, duke i bërë njerëzit që, në këmbim të solidaritetit, të sheshojnë diferencat mes njëri-tjetrit dhe grupeve sociale ku bëjnë pjesë. Krizat i bëjnë njerëzit identikë.
Ky unitet i turmës mundëson thjeshtëzimin e komunikimit. Ai njëtrajtësohet dhe thjeshtëzohet për t’u bërë i depërtueshëm tek të gjithë. Mesazhi nuk ka nevojë të përkthehet në forma të ndryshme, në bazë të botëkuptimeve, statusit shoqëror apo grupeve të ndryshme të interesit, siç funksionon në shoqëritë normale, por ai bëhet një për të gjithë, i thjeshtë, i qartë dhe i kuptueshëm. Udhëheqësit sharlatanë gjejnë këtu terrenin e duhur për të vepruar dhe propaganda është instrumenti efikas për t’i bërë ata të suksesshëm.
Turmat janë irracionale, thotë Gustav Le Bon. Ato udhëhiqen gjithmonë prej ndjenjës, jo prej arsyes, duke qenë se arrijnë të kuptojnë vetëm lidhjet vulgare të ideve. Ato nuk preferojë të vërtetën, por lajthitjen. Për këtë arsye, ato kanë nevojë jetike për një udhëheqës dhe kjo përbën impulsin e parë të çdo grupi shoqëror.
Udhëheqësi i çliron njerëzit nga nevoja për të menduar, si dhe nga përgjegjësia individuale. Është ai që mendon në vend të tyre dhe merr përsipër përgjegjësitë e tyre e në këmbim, turma i ofron mbështetje të plotë. Prijësi bëhet superegoja e turmës, siç thotë Frojdi. Ajo njësohet me atë, duke gjetur tek ai autoritetin që orienton shoqërinë. Ai është gjithashtu edhe garanti dhe shpëtimtari i saj nga çdo fatkeqësi.
Bindja ndaj liderit buron nga një prej instinkteve themelore të çdo qenieje të gjallë: nevoja për siguri dhe mbijetesë. Për pasojë, turmat zgjedhin gjithmonë një udhëheqës të fortë, i cili reflekton vendosmëri dhe këmbëngulje për të realizuar vullnetin e tij. Ato duan një udhëheqës që i kthen në veprim ato që thotë, pavarësisht vlerës së tyre.
Por, siç thotë Le Bon, udhëheqësit janë përgjithësisht njerëz të paekuilibruar nga ana psikike, shpesh gjysmë të çmendur apo në kufijtë e çmendurisë. Sado të çuditshme të jenë idetë apo bindjet e tyre, ata nuk mund t’i lëkundësh me asnjë lloj arsyetimi. Ata janë njerëz të orientuar nga veprimi dhe të prirur të sugjestionojnë turmat. Duke shfaqur vullnetin e tyre të hekurt, ata ia dalin t’i bëjnë ato për vete. Ata nuk mund të jenë mendimtarë, përndryshe do të humbitnin vendosmërinë në veprimet e tyre dhe nuk do të ishin të aftë t’i bënin masat për vete.
Shoqëria shqiptare është një shoqëri masash e karakterizuar fort nga tiparet e turmës. E infektuar prej gjysmëshekulli nga një indoktrinim totalitar rrënjësor, i mbështetur nga struktura organizative të ngurta dhe një aparat terrori dehumanizues, ajo e ka të vështirë të krijojë dhe pranojë forma të diversifikuara komunikimi. Në këtë mënyrë komunikimi është thuajse aspak i prirur të orientohet drejt mendimit dhe shumë i predispozuar të brendësojë një propagandë që i përgjigjet mendësive të ngurta të trashëguara.
Debati dhe konkurrueshmëria mbi të cilat ngrihet një sistem demokratik bëhet shqetësues për një shoqëri të mësuar të adaptojë formula të gatshme mbi përfytyrimet që duhet të ketë mbi shoqërinë, kulturën, politikën etj. Një nga shkaqet e lodhjes së qytetarëve me politikën, përveç problemeve të shumta, është edhe paaftësia për të pranuar diversitetin. Në këtë mënyrë shoqëria shqiptare ka qenë e prirur gjatë gjithë kësaj kohe të kërkojë dhe pranojë liderë autoritarë, të cilët arrijnë të imponohen nëpërmjet karakterit të fortë dhe vendosmërisë për t’i kthyer në realitet ato çfarë thonë. Ajo është një terren i favorshëm për diktatorë të rinj, që premtojnë siguri dhe rregull, ku rregulli kuptohet si një forcë kundër pluralitetit, i cili, nga ana e tij perceptohet si kaos.
Heroi antipolitik i turmave
Edi Rama është një politikan që reflekton në mënyrën më të qartë të gjitha tiparet e një udhëheqësi që mbështetet plotësisht te manipulimi i turmave. E gjithë propaganda e tij, si dhe aksioni politik, karakterizohen nga një formë komunikimi e thjeshtëzuar, që tenton të zbresë te masat e gjera të shoqërisë duke iu drejtuar instinktit dhe emocioneve të tyre dhe jo arsyes. Ndonëse gjuha e Ramës është e elaboruar, e pasur në figuracione, metafora, batuta, ajo në thelb, shenjon masat si target dhe jo elitat. E gjithë estetika retorike e tij, është në funksion të manipulimit. Nga njëra anë ajo mbulon mungesën e mesazhit, nga ana tjetër ajo magjeps masat në funksion të mistifikimit të liderit.
Rama paraqet elokuencë për ta kamufluar estetikisht vulgaritetin e kumtit që përcjell. Stilema të tilla, si Kadri, kazan, filxhan, sahan, tepsi, të përdorura si etiketë diskualifikuese ndaj atyre që e kritikojnë, janë stereotipa vulgarë të gatshëm, kryesisht me ngarkesë orientaliste, në funksion të prodhimit të një paragjykimi ndaj kundërshtarëve. Ato paraqiten si stilizime retorike, por në thelb ato komunikojnë vetëm me vulgun dhe bëjnë efekt vetëm aty.
Në përgjithësi, çdo komunikim na jep informacione jo vetëm mbi vetë subjektin që komunikon, por edhe mbi përfytyrimin e tij për marrësin e mesazhit. Pra nëpërmjet mënyrës së komunikimit të adresuesit të mesazhit, ne mund të njohim përfytyrimin e tij për të adresuarin, audiencën që ai përzgjedh të komunikojë. Prej këtej, mund të përftojmë gjithashtu edhe përfytyrimin mbi llojin e liderit ku ai bën pjesë, e që qartësisht shfaq tiparet e një lideri totalitar. Ai flet me gjuhën e turmës, duke iu përgjigjur tipareve më karakteristike të saj: irracionalitetit, unitetit, nevojës për siguri dhe bindje ndaj udhëheqësve autoritarë.
Kështu, Rama pozon para turmës si një lider i fortë, i vendosur, i aftë për të përballuar çdo intrigë e çdo komplot. Ai shfaqet në profilin e një gangsteri politik. Fodullëku retorik, kacagjelimi përpara kamerave, gafurrja ndaj kundërshtarëve dhe konfliktualiteti janë elemente nëpërmjet të cilave ai demonstron forcë. Edhe në detaje të tilla, si dalja me tuta në fushatë apo shpërfillja e kodit të veshjes në pritje zyrtare e aktivitete ndërkombëtare, janë mjete në shërbim të këtij përfytyrimi. Ato krijojnë te publiku idenë se ai nuk njeh asnjë lloj pengese për të bërë atë që dëshiron. Vendimet për prishje ndërtesash me rruspa e tritol, demonstrimet policore në çdo nismë qeveritare me pretendimin se “po bën shtet” janë gjithashtu mjete në funksion të këtij imazhi. Nga të gjitha shfaqjet, spektakli i forcës është më mbresëlënës dhe më sugjestionues, aq më tepër për një shoqëri ende shumë të dhunshme dhe shumë pak racionale si shoqëria shqiptare.
Propaganda e Ramës adreson edhe një tjetër instinkt të rëndësishëm të turmave: urrejtjen dhe zemërimin. E lodhur prej një tranzicioni të gjatë, shoqëria shqiptare ka akumuluar urrejtje dhe indinjatë për klasën politike. Rama e ka përdorur këtë në mënyrën më agresive dhe madje vazhdon ta përdorë edhe sot kur është në pushtet. Ai ka hyrë në politikë duke u ofruar si një luftëtar që premton të rrëzojë të gjithë klasën politike shqiptare. “Politika e re” është, ndër të tjera, edhe një hakmarrje popullore ndaj politikanëve. Rilindja nuk është gjë tjetër, vetëm se shenjuesi mesianik i një propagande revolucionare eskatologjike që premton përmbysje finale të rendit ekzistues.
Rama bëhet kështu Mesia, i cili merr përsipër ta shpëtojë popullin nga “politika e vjetër”. Ai ka pohuar vazhdimisht se nuk është një politikan, por një artist që vjen në politikë për të shpëtuar popullin nga politika. Siç shprehet vetë vazhdimisht, politika për të është një mision, jo profesion, dhe misioni i tij në politikë është të realizojë përmbysjen e madhe ndaj rendit ekzistues.
Paradoksalisht, kjo propagandë nuk ka funksionuar vetëm në opozitë, por vazhdon edhe tashmë që ka 6 vjet në krye të qeverisë. Ai vazhdon të fajësojë politikën dhe shumë aktorë rreth saj, si pengesën më të madhe të zhvillimit të vendit, si kanceri që duhet operuar, duke i adresuar fajet sa tek opozita, sa tek mediat e korruptuara (që në fakt kontrollohen plotësisht prej tij) e sa te drejtorë e funksionarë të papërgjegjshëm që turbullojnë projektet e tij të kulluara. Ai e ushqen urrejtjen e turmave me koka turku në administratë, me shkarkime kolektive nga puna, me premtime për ekzekutime politike nëpërmjet reformës në drejtësi e me breshëri fyerjesh e talljesh ndaj gazetarëve. Ai ekspozohet si luftëtar i paepur që po përballet i vetëm me fuqitë malinje të këtij vendi.
Në këtë mënyrë ai e përdor indinjatën popullore si një instrument për të zbutur indinjatën e thellë të krijuar ndaj tij dhe qeverisë së tij. Ai po devijon ku të mundet frustracionin kolektiv, për t’a shkarkuar atë në objekte të tjera, në mënyrë që të mos jetë ai kryefjala e urrejtjes së njerëzve. Kjo bën që përballë spektaklit të ndëshkimit që ai iu bën të tjerëve, shumë njerëz të thonë: Të paktën ky iu vjen hakut të gjithëve.
Të njëjtën gjë e bëri edhe me protestën e studentëve. Pakënaqësitë e thella të akumuluara i orientoi herë ndaj dekanëve të korruptuar (të cilët, në fakt, janë vetëm bashkëpunëtorë në faj me qeverinë e tij), e herë ndaj sistemit e klasës politike në tërësi, ku pesha e fajit shpërndahet tek të gjithë, duke e çliruar qeverinë nga pesha kryesore. Në këtë linjë ai e ekspozon veten si fajtor jokryesor, duke u shprehur se kish marrë një shuplakë që nuk ishte asgjë përballë grushtit që studentët ia paskëshin dhënë opozitës!
Në mënyrën më të pabesueshme, dhe madje edhe qesharake, protestat e studentëve u paraqitën më shumë si protesta antiopozitare sesa antiqeveritare. Rezulton që studentët të jenë ngritur kudër një qeverisjeje, në kohën e së cilës ata i bie të kenë qenë fëmijë, – ky brez studentësh ka qenë vetëm 13-16 vjeç kur Rama ka marrë pushtetin!
E orientuar gjithashtu si reagim kundër sistemit politik dhe tranzicionit 30-vjeçar, protesta u paraqit sikur studentët ishin ngritur ndaj një sistemi të instaluar rreth 10 vjet para lindjes së tyre! Pra studentët po protestonin kundër historisë dhe jo kundër qeverisë! Për këtë arsye, ai madje nuk ngurroi madje edhe të shprehet se do t’i bashkëngjitej protestës, duke u bërë një ndër ta, kundër sistemin politik ekzistues. Cinizmi kapërcen çdo fantazi.
Në fakt, e gjithë kjo nuk mund të arrihet pa një fuqi të madhe mediatike, të cilën Rama e ka arritur falë potencialit të madh korruptues. Këtë nivel manipulimi mund ta arrish vetëm duke monopolizuar burimet kryesore të komunikimit, gjë që ai e ka arritur thuajse plotësisht, të paktën që se ka ardhur në pushtet. Përjashto dy apo tre televizione të vegjël lajmesh, ai kontrollon plotësisht median mainstream, të cilën, jo vetëm që e ka vënë në shërbim të tij, por edhe e orienton nëpërmjet ndërhyrjeve të drejtpërdrejta, dhe nëpërmjet dirigjimit prej një televizioni privat online, të ngritur brenda strukturës së kryeministrisë: ERTV.
Megjithatë, sado që ai arrin të mbijetojë nëpërmjet kësaj fuqie manipuluese, pakënaqësitë janë në nivele dramatike tek një kategori gjithnjë e më e madhe qytetarësh. Reputacioni i tij është në nivelet më të ulëta dhe figura e tij po bjerret dita-ditës. Natyrisht, sado i fortë të jetë manipulimi keqqeverisja nuk mund të fshihet dot, dhe propaganda tashmë po i shërben jo për të krijuar një perceptim të mirë për qeverinë, por për të mbijetuar përballë një mllefi të gjerë popullor.
Le Bon thotë se një udhëheqës mund të jetë orator dhe dinak, që di të përdorë instinktet e ulëta të turmës në shërbim të interesave të veta personalë. Ndikimi i tij mund të jetë shumë i madh, por është gjithmonë i paqëndrueshëm dhe jo real. Sipas tij, prestigji i një udhëheqësi zhduket papritur sapo ai dështon dhe kjo shoqërohet me urrejtje. “ Besimtarët, – thotë ai, – i mallkojnë me një tërbim të veçantë perënditë, të cilëve iu janë përulur më parë” .
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit