Shqiptarët pengohen që të bëhen gjykatës, Akademia ka kushte rigoroze!

0
53

Shkup, 1 shtator -Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari ka paralajmëruar kohë më parë se për shkak të pensionimit të një numri të madh të gjykatësve, Maqedonia mund të mbetet pa gjykatës shkruan Zhurnal.
“Kur kihet parasysh fakti se përfundimisht me vitin 2015, dikur rreth 60 gjyqtarë na shkojnë në pension, vijmë në konstatim se në Maqedoni, pushteti gjyqësor mund të ngelë pa gjyqtar.”, ka deklaruar ministri Jashari duke sqaruar se kjo krizë është shkaktuar për shkak të kritereve të larta për pranim në Akademin e Gjykatëve dhe Prokurorëve në Shkup.
“Kriteret që janë të paraparë me Ligjin për Gjykata dhe me Ligjin për Akademi të gjyqtarëve dhe prokurorëve në njëfarë mënyre konsiderohet se janë kritere, për të cilat unë do të kisha thënë të larta për nivelin këtu në Republikën e Maqedonisë. Thjeshtë thënë, Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve nuk mund të aftësojë kuadro që aktualisht mund të jenë të nevojshme për të plotësuar këto vende të lira. Andaj, për këto çështje unë kam përgatitur një informatë, e kam informuar Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Qeveria më tutje duhet të sjellë konkluza, të obligojë Ministrinë e Drejtësisë lidhur me mundësinë për ulje të kritereve për pranim në akademi. E vërtetë është se në 2013-2014, në Akademi janë pranuar gjithsej 29 kursistë dhe ky numër është tejet i vogël në krahasim me nevojat”, ka sqaruar, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Ndryshe, për të depërtuar në Akademi, juristi duhet të ketë së paku 500 kredi, dy vjet përvojë pune, të jep provim të Avokaturës dhe pas saj të ketë 1 vit përvojë pune. Ky sistem dhe kushtet tjera specifike kanë krijuar këtë situatë që në këtë Akademi, të mos kemi sot kandidat shqiptar që i plotësojnë këto kushte.
Ndryshe, urgjentisht duhet të ndryshohet ligji ekzistues dhe t’ju mundësohet kandidatëve për të depërtuar në prokurori dhe gjyqësi edhe jashtë Akademisë me cka të tentohet të arrihet përfaqësimi i garantuar i shqiptarëve me Kushtetutë prej 25 përqind.

© ZHURNAL.mk