Shqipëria ndryshon ligjin anti-duhan, ndalohet pirja edhe në ambientet e mbyllura me xham

0
9

Nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi zbatimi i disa ndryshimeve të bëra në ligjin antiduhan në Shqipëri.

Përveçse duhani nuk lejohet të konsumohet në ambiente të mbyllura, tanimë asnjë pronar lokali nuk do të mund të debatojë me inspektorët që kontrollojnë zbatimin e ligjit, pasi është përcaktuar qartë kur konsiderohet ambient i mbyllur.

“Çdo ambient i rrethuar me xham apo plastmas, një metër apo dy metër, quhet i mbyllur”, deklaron Areti Beruka nga Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror në Shqipëri.

Ndryshimet në ligj kanë prekur edhe gjobat pasi ka patur raste kur një lokal pasi merrte gjobë lejonte të konsumohej duhan në ambient të mbyllur madje ka patur raste sipas Berukës ku është gjobitur edhe dhjetë herë. Tanimë, nëse e përsërit, subjektit i hiqet licenca.

“Nëse brenda 3 muajsh e përsërit, gjoba dyfishohet, nëse e përsërit sërish, gjoba trefishohet dhe shkon 18 milionë lekë të vjetra dhe më pas i hiqet licenca”, shtoi Beruka.

Në ambiente të mbyllura nuk do të lejohet më as shisha, nargjila, cigarja elektronike apo cigarja me ngrohje.

Ndërsa u është lënë dy vite kohë bizneseve për të larguar nga tregu cigaret me shije të ndryshme apo paketat me numër të vogël cigaresh pasi sipas tyre ndikon në rritjen e fuqisë blerëse.