16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Rrëfim prindëror nga Siria: Do të bëjmë të pamundurën për lumturinë e fëmijëve tanë

Më të lexuarat

Refugjatët e vendeve të Lindjes së Afërt, Afrikës Veriore dhe vendeve aziatike në të cilat zhvillohen luftëra, janë të vendosur në përpjekjet për të braktisur vendlindjet dhe të nisen drejt Evropës, me bindje se në këtë mënyrë mund të kenë për fëmijët e tyre një të ardhme të sigurtë dhe më të mirë. Ata pandërprerë arrijnë nga Greqia në kufirin jugor të Maqedonisë në Gjevgjeli. Mes tyre ka njerëz të shtresave, profesioneve dhe statuseve të ndryshme shoqërore, por të gjithë kanë një qëllim, një të ardhme më të mirë.

Munadi nga Damasku, Siri, së bashku me bashkëshorten e tij Nur dhe tre fëmijët, pas pritjes disaorëshe në vendkalimin kufitar maqedonas-grek mbërriti në qendrën e pranimit për refugjatë ku tani presin të vijnë në radhë për të udhëtuar me tren drejt vendkalimit kufitar verior në Tabanoc. Munad në Damask ka punuar si kontabilist në Bankën islamike të Damaskut. Ai me familjen e vet fillimisht kishte shkuar në Jordan, pastaj në Turqi, ku kishin qëndruar një muaj, që më pas me varka të udhëtojnë drejt Greqisë për të arritur në Maqedoni. Ai tregon se Damasku është në gjendje shumë të rëndë, që është edhe arsyeja kryesore për braktisjen e vendlindjes në të cilën ka pasur punë të mirë, familje dhe jetë të qetë.

“Damasku është në gjendje tejet të rëndë, prandaj kemi marrë rrugën“, deklaroi për Anadolu Agency, siriani Munad, duke shtuar se me familjen është nisur në kërkim të qetësisë. Afër tij qëndron bashkëshortja Nur, e cila njëjtë sikur bashkëshorti ka qenë e punësuar si kontabiliste në repartin e financave në Bankën islamike të Damaskut.

“Udhëtimi ka qenë shumë i vështirë dhe i rëndë, ndërsa më tej nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Kemi vendosur të shkojmë në Norvegji ku është dhe motra ime. Jemi të rraskapitur. Kemi tre fëmijë. Ata janë të vegjël, të plogësht dhe të lodhur“, tregon Nur. Ajo vazhdon të rrëfejë për situatën në Siri me një nostalgji të theksuar për Damaskun, por siç thotë, kanë qenë të detyruar ta braktisin shtetin amë sepse duan të sigurojnë fëmijëri të lumtur dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

“Për fat të keq, situata në vendin tonë është shumë e keqe, ne nuk mund të bëjmë asgjë. Na mungon Damasku, ndaj edhe kur të kryhet lufta do të doja të ktheheshim. Siç e dini, atje ushtria sulmon njerëz, gra, fëmijë çdokënd“, deklaroi Nur.

“Kemi marrë këtë rrugë vetëm falë fëmijëve tanë, ne doemos duhet të kërkojmë më të mirën për fëmijët tanë. Gjithë këtë e bëjmë vetëm për shkak tyre”, tregon Nur, nënë e tre fëmijëve, duke sqaruar se gjatë qëndrimit në Jordan dhe Turqi, nuk ka pasur punë për bashkëshortin e saj, prandaj është dashur të ecin tutje.

“Motra ime më ka treguar se Norvegjia është vend i mirë, ndoshta mund t’na japin shtetësi dhe të kemi jetë më të mirë”, shton më tej ajo.

 

– Refugjatët e rinj, përskaj vështirësive kanë vizion për të ardhmen-

Në qendrën e pranimit për refugjatë gjendet edhe Zahiri nga Idlipi, Siri. Ai njëherë ka shkuar në Liban, pastaj në Turqi, prej ku me disa grupe të refugjatëve me varka ka udhëtuar për në Greqi për të mbërritur së fundmi në Maqedoni. Zahiri thotë se ka shumë njerëz të cilët keqpërdorin mundësinë e cila u është ofruar qytetarëve sirian për të udhëtuar në vendet tjera.

“Ka shumë njerëz që keqpërdorin mundësinë e cila i është ofruar Sirisë dhe vijnë me neve .Kur ata bëjnë ndonjë vepër të keqe në Evropë, atëherë thuhet se njerëzit nga Siria janë të këqij. Në grupe ka gra, fëmijë, pleq, gra shtatzëna”, deklaroi Zahir i cili tregon se në kufirin maqedonas-grek ka ardhur herët në mëngjes, ndërkohë që ankohet për siç thotë gjendjen kaotike e cila mbretëron atje pasi me mungesë të theksuar të organizimit, gjë e cila i bën nervoz refugjatët për shkak të pritjeve të gjata dhe trajtimit të keq ndaj tyre.

“Kemi ardhur herët, në ora 06:00 të mëngjesit. Asgjë nuk është e organizuar. Policia greke na ka lëshuar pa mos na organizuar në grupe më të vogla. Kemi ardhur këtu, policia na thotë uluni këtu, shkoni atje, majtas, djathtas, sikur të lozin me neve. Nëse dëshirojnë t’na ndihmojnë, mos të na bllokojnë rrugën. Ne vetëm dëshirojmë të kalojmë”, tregoi Zahir. Ai filloi të flasë për vizionin që ka për të ardhmen e tij, ndonëse siç thotë, gjendja në të cilën gjendet është e rëndë dhe fyese.

“Unë dua të shkoj në Belgjikë apo në Gjermani, ku mund të studioj. Kam mbaruar shkollën e mesme ekonomike. Duam të vazhdojmë me jetën tonë të ndjehemi si njerëz. Na nevojitet humanizëm. Kemi mbetur pa ushqim dhe ujë tashmë disa ditë“, rrëfehet 23 vjeçari sirian i cili nuk fsheh ndjenjat emocionale për vendlindjen.

“Dua të kthehem në Siri, t’i ndihmojë njerëzit. Të gjithë ne duam të kthehemi në vendin tonë, ai është shteti ynë dhe atë asnjë shtet tjetër nuk mund ta zëvendësojë, por fillimisht duhet të jetojmë, rrethanat e tanishme këtë nuk e lejojnë. Duhet të kthehemi në Siri sepse njerëzve u nevojitet ndihmë, familja ime është atje“, theksoi Zahiri.

Udhëtimi nga vendet e Lindjes së Afërt përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë, e deri te vendet e Evropës Perëndimore, për refugjatët ka qenë me rreziqe të shumta ku linja mes vdekjes dhe jetës është e hollë, por jetësimin e dëshirës së tyre për të ndriçuar kandilin e shpresës askush nuk mund ta ndal.

“Dua të kthehem në Siri, t’i ndihmojë njerëzit. Të gjithë ne duam të kthehemi në vendin tonë, ai është shteti ynë dhe atë asnjë shtet tjetër nuk mund ta zëvendësojë, por fillimisht duhet të jetojmë, rrethanat e tanishme këtë nuk e lejojnë. Duhet të kthehemi në Siri sepse njerëzve u nevojitet ndihmë, familja ime është atje“, theksoi Zahiri.

Udhëtimi nga vendet e Lindjes së Afërt përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë, e deri te vendet e Evropës Perëndimore, për refugjatët ka qenë me rreziqe të shumta ku linja mes vdekjes dhe jetës është e hollë, por jetësimin e dëshirës së tyre për të ndriçuar kandilin e shpresës askush nuk mund ta ndal. (Radio Pendimi)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit