Propozohet ligji për heqjen e nënshtetësisë në Kushtetutën e Francës

0
57

Kryetari i partisë republikane të Francës propozoi që në kushtetutën e këtij vendi të shtohet një ligj që u heq nënshtetësinë franceze shtetasve francezë që kanë dy nënshtetësi.
Nicolas Sarkozy deklaroi se ky veprim duhet të ndërmerret në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Nga ana tjetër, kryeministri francez deklaroi se Franca do të mbajë në fuqi gjendjen e emergjencës derisa të përfundojë lufta totale dhe globale kundër ISIS. Gjendja e emergjencës hyri në fuqi në Francë pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris dhe u vendos për 3 muaj.

Në këtë situatë, policia franceze ka më shumë fuqi për të kryer kontrolle dhe për të vendosur arreste shtëpiake. “Për sa kohë ka kërcënim, ne duhet të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme. Ne do të luftojmë ISIS-in kudo që të jetë dhe lufta që po bëjmë duhet të jetë totale, globale dhe e pamëshirshme” tha Manuel Valls.

Kryeministri francez gjithashtu paralajmëroi se kriza e emigrantëve po e vendos në rrezik të madh Bashkimin Europian. Ai tha se Franca ishte në luftë dhe kjo do të thotë se duhen përdorur të gjitha mjetet pa shkelur demokracinë, për të mbrojtur popullin. Valls tha se Evropa nuk mund të pranojë të gjithë refugjatët e krizave në Lindjen e Mesme, përndryshe shoqëritë evropiane do të destabilizohen plotësisht.