9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Prishtina bëhet me rrethrrotullim në Veternik

Më të lexuarat

Projekti më i madh kapital rrugor në dy vjetët e ardhshme për Prishtinën, ai për ndërtimin e një rrethrrotullimi tek Spitali, në dalje të kryeqytetit, pritet të fillojë së shpejti.

Këtë e konfirmojnë të dyja palët që po investojnë në realizmin disa milionësh të këtij projekti, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës, shkruan sot “Koha Ditore”. Të dyja institucionet kanë nënshkruar javë më parë një marrëveshje për bashkëfinancimin e këtij projekti, ku shumën më të madhe të parave për realizimin e tij do ta paguajë Komuna, në vlerë prej 5.5 milion eurosh, kurse Ministria e Infrastrukturës do të japë gjithsej 3 milionë euro. Projekti është dyvjeçar.

Ridvan Shahini, drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë ka deklaruar se ky aktualisht janë duke u kryer procedurat tenderuese rreth këtij projekti.

Ai ka thënë se pritet që ndërtimi i një rrethrrotullimi të madh në vendin që njihet si “rrethi i Spitalit”, të fillojë sivjet, ani që ai është projekt dyvjeçar dhe ndërtimi i tij do të bëhet në disa faza.

Ndërsa, Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka pohuar se kjo Ministri vitin tjetër do të paguajë edhe 500 mijë euro të tjera për projektin.

Ai ka saktësuar se hartimin e gjithë projektit detal se si do të duket ky rrethrrotullim e ka financuar dhe udhëhequr Ministria e Infrastrukturës, kurse procedurat tenderuese i janë lënë t’i kryejë Komuna e Prishtinës, me pajtimin që në vlerësimin e tenderit dhe mbikëqyrjen e realizimit të projektit gjithsesi të marrë pjesë edhe Ministria.

Duke shpalosur detaje se si do të duket ky rrethrrotullim, i dyti që po ndërtohet në hyrje-daljen e Prishtinës, Nitaj ka thënë se ai do të ketë dy nënkalime-nëntunele nëntokësore, si dhe rruga rrethrrotulluese përmbi to.

“Do të ketë shirita qarkullues nëntokësor për automjetet që nuk hyjnë në Prishtinë, gjë e cila do të ndikojë shumë në zbarkimin e komunikacionit, ndërsa ata që duan të kenë qasje në qytet kalojnë mbi rrethrrotullim”, ka bërë të ditur Nitaj.

Sipas tij, ky do të jetë një projekt i madh që do të jetë në interes për qytetarët, sepse ai llogaritur se do të ndikojë shumë në lirimin e trafikut në qytet, si dhe do të shkurtojë kohën e pritjes nëpër kolona.

Ndryshe, ky do të jetë rrethrrotullimi i dytë që bëhet në Prishtinë, në hyrje-daljet e saj. I pari është ai që lidh kryeqytetin me Komunat fqinje, Fushë-Kosovën dhe Obiliqin./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit