16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Prindërit e Pejgamberit ﷺ dhe fundi i tyre

Më të lexuarat

Dashuria ndaj Pejgamberit, ﷺ, është dashuri fetare dhe jo emocionale dhe argumentet fetare duhet të dominojnë në gjykimet tona dhe jo emocionet tona.

E regjistron Imam Muslimi në sahihun e tij, nga Enes ibën Malik, radijallahu anhu, i cili tregon se një njeri e pyeti Pejgamberin, ﷺ, ku është babai im? I tha: babi yt është në zjarr. Kur u kthye duke ikur, e thirri dhe i tha: babai im edhe i yti janë në zjar. (Muslimi, nr. 203).

يَا رَسُولَ اللَّهِ ، أَيْنَ أَبِي ؟ قَالَ : فِي النَّارِ . فَلَمَّا قَفَّى دَعَاهُ ، فَقَالَ : إِنَّ أَبِي وَأَبَاكَ فِي النَّارِ.

Regjistron Imam Muslimi në sahihun e tij me nr. 976 nga Ebu Hurejre,radijallahu anhu, ku Pejgamberi, ﷺ, thotë:

Kërkova leje që të kërkoj falje për nën time dhe nuk më dha leje, kërkova të leje që ta vizitoj varrin e saj, më dha leje.

( اسْتَأْذَنْتُ رَبِّي أَنْ أَسْتَغْفِرَ لأُمِّي فَلَمْ يَأْذَنْ لِي ، وَاسْتَأْذَنْتُهُ أَنْ أَزُورَ قَبْرَهَا فَأَذِنَ لِي ).

Andaj mos gjykimi sipas asaj që e nxjerr si konstatim ky hadithi, të cilin e transmetoka Imam Muslimi dhe nuk mund të llogaritet se nuk është i saktë, është gjykim me emocione dhe jo me fakte dhe argumente.

Për të kuptuar se lidhja familjare nuk mund të jetë shkak që dikush të jetë banor i xhenetit duhet të lexojmë biografinë e shumë pejgamberëve para Muhamedit, ﷺ.

Ibrahimi, alejhisselam, kishte prindin që s’ishte besimtar dhe ka vdekur si jobesimtar.

“Kur Ibrahimi babait të vet dhe popullit të tij i tha: “Unë jam i larguar prej asaj që adhuroni ju”. (Ez-Zuhruf: 26).

“Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet nuk ishte tjetër, pos për shkak të një premtimi që ia pat premtuar atij, e kur iu bë e qartë se ai është armik i Allahut, u largua prej tij. S’ka dyshim, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë”. (Et-Teube: 114).

Kemi para tij, Nuhin, alejhisselam, për djalin e të cilit, Allahu tha:

” (Zoti) Tha: “O Nuh, ai (djali) nuk ishte nga familja jote (për të cilën të premtova se do t’i shpëtoj), ai ishte punëkeq, e ti mos më kërko Mua atë që nuk di, Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga injorantët!”. (Hud: 46).

Ose në kohën e Ibrahimit kemi edhe rastin e Lutit, alejhisselam, me gruan e tij:

“Atyre që mohuan, Allahu ua sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhtuan (në fé) ata të dy dhe këta të dy nuk mund t’i mbrojnë ato fare te Allahu, e atyre dyjave u thuhet: “Hyni të dyja në zjarr së bashku me ata që hyjnë!”. (Et-Tahrim: 10).

Madje Pejgamberi, ﷺ, e vërteton këtë gjë në mënyrë të qartë, kur zbret ajeti Kuranor: “Dhe tërhiqu vërejtjen farefisit tënd më të afërt”. (Esh-Shuara: 214), tha: O Kurejshitë! Bline veten tuaj, sepse unë s’mund t’ju bëj asgjë dobi para Allahut. O bijtë e Abdul-Menafit! Nuk mund t’ju bëj dobi para Allahut asgjë! O abbas ibën Abdul-Mutalib! Asgjë nuk mund të ndihmojë para Allahut! Oj Safije! Tezja e Pejgamberit, ﷺ, nuk mund të bëj dobi asgjë para Allahut! Oj Fatime, bija e Muhammedit, kërko çka të duash, unë nuk mund të bëj dobi asgjë para Allahut! (Buhariu, nr. 2753 dhe Muslimi, nr. 206).

Në anën tjetër, mu ata që nuk pranojnë hadithet e sakta në çështje të akides, sepse nuk janë mutevatir, por ahad, dhe se hadithet ahad nuk merren për të vërtetuar çështje të akides, besimit islam, flasin me hadithe pa sened në lidhje me këtë temë, se kinse Allahu i ka ngjall prindërit e tij dhe i kanë besuar dhe përsëri kanë vdekur.

Hadithin që e apostrofojnë ata, po të ishte i vërtetë do të përhapej aq shumë, saqë do bëhej mrekulli dhe argument shumë i fuqishëm për të vërtetuar atë konstatim.

Mirëpo imamët e hadithit kanë gjykuar se këto hadithe janë të trilluara dhe të rrejshme.

Ja hadithi të cilin e transmeton Ibën Shahini në librin e tij “En-Nasih vel-Mensuh” dhe hatib bagdadiu në librin e tij “Es-Sabikul-Lahik”, siç thotë Imam Sujutiu në librin e tij “El-Havij”, vëllimi i 2, faqe 440:

Aisheja, radijallahu anha, na rrëfen e thotë: Pejgamberi, ﷺ, bëri me ne haxhin lamtumirës dhe bashkë me mua kaluam Huxhunin, i mërzitur, i pikëlluar dhe duke qarë. Qava edhe unë për shkak se qante Pejgamberi, ﷺ. Pastaj zbriti dhe tha: oj Humejra (oj e kuqe) kape (litarin e devesë). U mbështet tek deveja dhe kështu qëndroi një kohë të gjatë. Pastaj u kthye te unë i gëzuar dhe i buzëqeshur. I thashë: flijofsha nënë e babë për ty, o i Dërguar i Allahut, zbrite nga deveja i mërzitur dhe i pikëlluar, e unë qava pse qave ti, pastaj u ktheve i gëzuar dhe i buzëqeshur, pse ndodhi kjo o i Dërguar i Allahut? Shkova te varri i nënës time, Amineja, dhe e luta Allahun që ta ngjallë dhe e ngjalli, më besoi mua dhe e ktheu përsëri Allahu (në mesin e të vdekurve).

Imam Abdurahman Ibën Xheuziu thotë:

Ky hadith është meudu, i trilluar pa dyshim dhe se ai që e ka shpifur ka qenë njeri që pak ka kuptuar dhe që s’ka patë dituri, sepse po të kishte dituri do të dinte se ai që vdes si jobesimtar nuk i bën dobi edhe nëse beson pas kthimit, madje edhe nëse beson gjatë daljes së shpirtit nuk i bën dobi. Mjafton në refuzimin e këtij hadithi fjala e Allahut: “ai që vdes duke qenë jobesimtarë” dhe fjala e Pejgamberit, ﷺ, në sahihun e Buhariut: kërkova leje nga Zoti im që të kërkojë falje për nënën time e nuk më dha leje”. Disa njerëz trillonin hadithe dhe i futnin në librat e njerëzve të pakujdesshëm dhe i transmetonin të tillët. Shejhu ynë, Ebul-Fadël ibën Nasir, thotë: ky hadith është i trilluar. Kurse nëna e Pejgamberit, ﷺ, vdiq në Ebva, vend mes Mekës dhe Medinës, aty edhe u varros, e jo në Huxhun”. (1/283). Huxhuni është një vend në Mekë.

Hafidh, Ibën Kethiri, rahimehullah, thotë:

“Hadithin të cilin e transmeton Suhejliu dhe përmendi se në senedin e tij ka njerëz të panjohur deri te Ebu Zinadi, e ky e transmeton nga Urve, kurse Urve nga Aisheja, radijallahu anha, se Pejgamberi, ﷺ, ka kërkuar nga Zoti i vet që t’ia ngjallë prindërit. I ngjalli dhe i besuan atij. Është një hadith munker xhiden, shumë i pasaktë. Edhe pse nëse flasim për fuqinë e Allahut, Ai ka mundësi të bëjë një gjë të tillë, por nëse i shikojmë hadithet në Sahih (të imam Buhariut dhe Imam Muslimit), ato e kundërshtojnë një gjë të tillë”. (El-Bidaje; 2/261).

Mula Ali el-Kariu, rahimehullah, për këtë hadith thotë: “i trilluar, meudu, siç ka thënë edhe Ibën Dihje. Për këtë hadith kam shkruar një traktat të mëvetshëm”. (El-Esrar el-Merfua’ fil-Ahbari el-Medua’; fq. 83).

El-AdhimAbadi, rahimehullah, thotë:

Të gjitha hadithet që transmetohen për ringjalljen e prindërve të Pejgamberit, ﷺ, besimin dhe shpëtimin e tyre, shumica e tyre është meudu, i trilluar, gënjeshtër dhe i shpifur, kurse disa shumë të dobët, që në asnjë rast nuk mund të jetë i saktë, sahih. Sepse dijetarët e hadithit janë të pajtuar se është i shpifur, andaj e ka gjykuar si të dobët Darekutniu, Xheuzekaniu, Ibën Shahini, Hatib Bagdadiu, Ibën Asakiri, Ibën Nasiri, Ibën Xheuziu, Suhejliu, Kurtubiu dhe një grumbull i dijetarëve”. (Aunul-Ma’bud; 12/494).

E kanë çyetur shejhul-Islam, Ibën Tejmiun, rahimehullah: a është e saktë nga Pejgamberi, ﷺ, se Allahu, tebareke ve teala, ia ka ringjallur prindërit dhe kanë pranuar islamin para tij dhe pastaj përsëri kanë vdekur?

Është përgjigjur:

Kjo nuk është e saktë tek asnjë dijetar i hadithit. Madje ekspertët e kësaj lëmie janë të pajtuar se kjo është gënjeshtër dhe trillim. Edhe pse këtë e ka transmetuar Ebu Bekër, Hatib Bagdadi, në librin e tij “Es-Sabik el-lahik” dhe e ka përmendur Ebul_Kasim es-Suhejli në librin e tij “Sherhus-Sijreti” me sened ku ka njerëz të panjohur. E ka përmendur edhe Ebu Abdullah el-Kurtubiu në librin e tij “Et-Tedhkireh”. Ska mosmarrëveshje mes njohësve të kësaj lëmie se është prej trillimeve më të rrejshme, siç kanë cekur dijetarët. Gjithashtu  nuk gjendet në librat bazike të hadithit, as në sahihe, as në sunene, e as në musnede, në librat e njohur të haditheve. Madje as në librat e betejave dhe tefsirit. Edhe pse ata në këto libra transmetojnë edhe hadithe daife, të dobëta me hadihet sahiha, të sakta. Shfaqja e gënjeshtrës në këtë hadith nuk mund ti fshihet as një njeriut fetar. Sepse një ndodhi e tillë po të kishte ndodhur do të kishte shumë arsye që të transmetohet, pasi që është prej gjërave të mëdha dhe të jashtëzakonshme, edhe atë në dy aspekte: në aspekt të ringjalljes së të vdekurve dhe në aspekt të besimit pas vdekjes. Andaj transmetimi i këtyre ndodhive do ishte më prioritare se transmetimi i gjërave tjera. Pasi që askush prej njerëzve besnik nuk e ka transmetuar është e kuptuar se është gënjeshtër.

Pastaj ky tregim në këtë formë është në kundërshtim me kuranin, Sunetin e saktë dhe Konsenzusin.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

( إنما التوبة على الله للذين يعملون السوء بجهالة ثم يتوبون من قريب فأولئك يتوب الله عليهم وكان الله عليما حكيما )

“Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve Allahu ju pranon pendimin, se Allahu është më i dijshmi, më i urti”. (En-Nisa: 17).

( وليست التوبة للذين يعملون السيئات حتى إذا حضر أحدهم الموت قال إني تبت الآن ولا الذين يموتون وهم كفار ).

“Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!” e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër”. (e-Nisa: 18).

Allahu në këto ajete sqaroi se ska pendim për atë që vdes si jobesimtar.

( فلم يك ينفعهم إيمانهم لما رأوا بأسنا سنة الله التي قد خلت في عباده وخسر هنالك الكافرون )

“Por besimi i tyre, kur e vërejtën dënimin tonë, nuk u bëri dobi. Ky është ligj i Allahut (i kahershëm) ndaj robërve të Tij dhe aty, në atë çast, pësuan disfatë jobesimtarët”. (Gafir: 85).

Na tregon Allahu se ligji i tij që dominon mbi robërit e Tij se nuk i bën dobi besimi pas parjes së ndëshkimit, e çka të themi pas vdekjes?! Edhe hsumë argumente tjera që e demantojnë atë mendim”. (Mexhmuul-Fetava; 4/325).

Disa sufinjë kur nuk arritën ta shpallin këtë hadith të saktë sipas shkencës së hadithit, pretenduan se ky hadith është i saktë me keshf, zbulesë nga Zoti!

Bejxhuri thotë:

Ndoshta ky hadith, (hadithi i ringjalljes së prindërve të Pejgamberit, ﷺ, besimi i tyre dhe vdekja e sërishme), është i saktë te ithtarët e hakikatit nëpërmjet keshfit, zbulesës”. (Xheuheretut-Teuhidi, fq. 30).

Shejhul-Islam, Ibën Tejmiu, rahimehullah, duke e demantuar këtë mendim thotë:

“Shumica e tyre, nëse u sqarojmë çorodinë e mendimit të tyre, flasin sikur që folën të krishterët: kjo gjë është mbi logjikën! Disa tjerë thonë: te ne vërtetohet me keshf (zbulesë) edhe ajo që e kundërshton logjikën”. (el-Xhevaus-Sahih, 2/92).

Duhet ta kuptojmë se soji, prejardhja nuk e shpëton njeriun nga dënimi i Allahut.

Imam Neveviu, rahimehullah, thotë:  kush vdes në mosbesim do jetë banor i zjarrit dhe nuk do t’i bëjë dobi afërsia e njerëzve të afërt te Zoti”. (Sherhu Sahihil-Muslimi, 3/79).

Edhe meselja e fundit me të cilën argumentohen ata, është meselja, se ata ishin nga ehlu-fetreti, njerëzit që nuk u ka arritur zëri i shpalljes.

El-Fetreh, siç na sqaron Imam Ibën Kethiri, koha mes dy pejgamberëve, siç është koha e ndërprerjes së profetësisë mes Isait dhe Muhammedit, sal-lallahu alejhim ve sel-lem. (Tefsir Ibën Kethiri, 2/35 dhe Xhemul-Xhevami’, 1/63 dhe Ruhul-Meani, 6/103).

Dijetarët këta njerëz i kanë nda në dy grupe:

Grupi i parë janë ata që u ka arritur shpallja.

Grupi i dyti janë ata që nuk u ka arritur shpallja dhe kanë mbetur në periudhën e mos njohjes së shpalljes.

Grupi i parë i nënkupton dy lloje të njerëzve:

1- Njerëzit që u ka arritur shpallja dhe ishte monoteist dhe nuk i ka bërë shirk Allahut, siç ishte rasti me Kus ibën Saideh dhe Zejd ibën Amr ibën Nufejl. (el-Bidaje ven-Nihaje, 2/230 dhe Fet’hul-Bari, 7/147).

2- Njerëzit që u ka arritur shpallja por e ka ndryshuar atë dhe i ka bërë shirk Allahut siç është rasti me Amër ibën Luhej, i cili e ndryshoi fenë e Ibrahimit, për të cilin Pejgamberi, ﷺ, tha: Pash Amër ibën Luhejin Huzaiun duke i ngrehur zorrët në zjarr”. (Buhariu, nr. 3521 dhe Muslimi, nr. 2856).

Andaj edhe me këtë sqarim detal eliminohet ky fakt si argument për pretendimin e tyre.

Allahun e lusim të na bëjë ithtar të vërtetës, fakteve dhe argumenteve, e jo ndjenjave e emocioneve tona, të cilat disa herë bëhen shkak për devijimin tonë!

Hoxhë Bekir Halimi

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit