14.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Pershtypjet e te krishtereve mesjetare rreth pernderimit te Kuranit nga myslimanet

Më të lexuarat

Fragment i shkëputur nga libri i Norman Daniel-it me titull: Islam and the West: The Making of an Image, (Oneworld Publications; Reprint edition 2009).
Diçka e lënë pa përmendur është të lexuarit e Kuranit me zë të lartë, që përbën një pjesë të rëndësishme në jetën e një qyteti mysliman, ku lexuesi i Kuranit është një artist shumë i kërkuar. Këtë duhet të ketë pasur parasysh një i krishterë kur krahasonte psalmodinë e krishterë me “abhominabilis melodia” të Islamit.

Marku e përkthente fjalën “Kur’an” me “lectionarius”, ndërsa Kettoni niste numërimin e sureve të hershme sipas ndarjeve të përdorura për lexim. Ai nuk i qëndroi besnik gjithmonë kësaj mënyre dhe numërimi i doli shumë i ngatërruar. Shën Pedroja përmendte lexime, por vetëm në një çështje relativisht të parëndësishme: myslimanët, thoshte ai, lexojnë historinë e rehabilitimit të Aishes në Kreshmët e tyre, siç bëjnë të krishterët me historinë e Suzanës në të tyret. Nderimi me të cilin mësohej Kurani është përshkruar favorshëm si nga Shën Pedroja, ashtu edhe nga Rikoldoja, autorë që tjetërkund këmbëngulnin se pikërisht për të mbrojtur Kuranin, ishte përjashtuar nga Islami të mësuarit e filozofisë.

Në një prej debateve të stisura të Lulisit, ai personazh i pëlqyer prej imagjinatës së tij, një pagan i mirë e i sinqertë që kërkon të vërtetën, i afrohet një myslimani të ditur:
“Tartari e gjeti myslimanin duke u lexuar Kuranin nxënësve të tij dhe, pasi i përshëndeti atë dhe nxënësit, do t’u tregonte atyre arsyen e ardhjes, por myslimani i foli i pari dhe i tha: të lutem që, nëse nuk ke kundërshtim, të presësh gjersa të kem mbaruar të lexuarit; dhe menjëherë ai heshti dhe tjetri, në të vërtetë, rinisi leximin e ndërprerë.”[1]
Ajo çka vlerësohej më së shumti ishte njëfarë rregullsie dhe dinjiteti që kurdoherë kanë karakterizuar vendet e vjetra të studimit dhe të lutjes në Islam. Kjo vlente për xhamitë e zakonshme. Lulisi do të kishte dëshiruar ta kopjonte ndarjen e gjinive për ta përdorur në kisha, ndërsa Xhovani d’Andrea, në “Glosën Klementine”, vërente të njëjtën gjë me dashamirësi, si dhe mënyrën se si njerëzit hynin në xhami me këmbë të zbathura e të lara, “et cum certa devotione”. Murgu Simon vërente se sa “pastërtisht e vërtet me nderim” mbaheshin xhamitë. Në “Liber Nicolay” natyrisht që shprehet njohuria vendore e të krishterëve në vendet ku zbatohej Islami, kur – me habi për diçka sipërfaqësore? – përshkruhet se si në xhami nuk pështyhet kurrsesi, ndërsa për nevojë njerëzve u duhet të dalin jashtë. Në përgjithësi kuptohej se të krishterët e fëlliqnin një xhami. Edhe Rikoldoja e shtjellonte me drejtësi trajtimin përnderues të xhamive, ku njerëzit hynin me këmbë të zbathura dhe ku nuk pështyhej.

Për shkollat, ai fliste edhe më me hollësi dhe përmendte me emër dy fondacionet e mëdha arsimore të Bagdadit, Nizamijen dhe Mustensirijen. Ai admironte sigurimin e ushqimit dhe të fjetjes për studentët provincialë me fonde publike dhe çmonte gjithashtu shpirtin murgjëror të këtyre fondacioneve, jetën asketike me një dietë buke e uji dhe vetë studentët që, “të kënaqur me këto gjëra, në varfërinë më të madhe, vijojnë meditimin dhe studimin.” Ai ishte i bindur se Kurani përbuzej prej atyre myslimanëve që ndiqnin studime filozofike, të cilat qeveritë kalifore, pikërisht për këtë arsye, i kishin ndaluar; dhe se madje edhe myslimanët e ditur e përqeshnin fshehurazi Kuranin, për të cilin shprehnin besimin vetëm publkisht.

Krahas kësaj prirjeje për të ditur më mirë sesa vetë myslimanët atë që ata mendonin dhe ndienin, ai tregonte drejtësi në lidhje me atmosferën e të mësuarit:
“Por në shkollat e tyre të zakonshme, ku shpjegohet Kurani… ata kurrë nuk hyjnë përveçse me këmbët të zbathura. Prandaj edhe mësuesi që shpjegon, sikurse edhe nxënësit që dëgjojnë, i lënë këpucët jashtë dhe hyjnë në shkolla me këmbë të zbathura. Dhe atje ata lexojnë dhe diskutojnë me më të madhen butësi e përkorje.”[2]
Kishte vetëm ndonjë perceptim shumë të rrallë për këto virtyte islame të pastërtisë, të përkorjes dhe të të mësuarit. Ndonjëherë kishte ndonjë pranim më shumë e ndonjëherë më pak qejfprishur të forcës popullore të përkushtimit mysliman, ndërsa ndonjë vlerësim në një formë të zbehtë për hollësitë e adhurimit ritual islam ishte më e zakonshme. Veç kësaj, realitetet e adhurimit islam paraqiteshin vetëm në mënyrë të ftohtë prej këtyre shkruesve. Lutja e individëve, që shumë të krishterë kishin pasur mundësinë e përditshme ta sodisnin, njihej veçse diçka më mirë sesa lutja në xhami, në të cilën atyre nuk mund t’u jetë lejuar kurrsesi të marrin pjesë. Kishte pak kureshtje në anën e të krishterë, pavarësisht prej shijes së përgjithshme për imagjinaren dhe skandalozen. Shumë prej asaj që njihej në hollësi çngjyrosej prej interpretimit të Islamit nën dritën e praktikave të krishtera.

Në çështje si lutja e së premtes dhe kibla, faktet e vërteta nuk tregoheshin, ndoshta për arsye se merrej për të sigurt që nuk kishte ndonjë pikë në të cilën ato të mund të dalloheshin prej modeleve të krishtera. Kishte njëfarë sajimi “faktesh”, sikurse në hollësitë për abdesin, dhe po kjo çështje ilustron keqinterpretimet e sforcuara, në këtë rast, për pseudopagëzim. Krahasimet e krishtera si barazimi i orëve të namazit me ato të Shërbimit të Krishterë, errësonte çdo aspekt dhe nuk kishte kurrfarë krahasimi të arsyetuar mes ritualit të krishterë dhe atij mysliman mbi një fushë të gjerë.

E gjithë çështja nuk e turpëronte aspak Islamin, por bënte në të vërtetë, shpesh që ai të lëvdohej; dhe kjo mund të jetë parë si një çështje e padobishme për t’u ndjekur prej autorëve mesjetarë qoftë për të udhëzuar, qoftë për të mësuar publikun e tyre.
[1] Galvano de Levanto, de recoup. T.S., ROL, vëll. vi, 1898. Mark, Pref. K.; Ketton, për ndarjen e sureve, Bibl., f 13-49 (azoara VI = sure VI). MSS nuk përputhet në azoara XVII; MSS XVII = Bibl. XVI + XVIII; XVIII = XIX etj.. Marku e ndante suren e dytë (por vetëm këtë sure) në të njëjtën mënyrë. Kështu, Ketton, AZ. III = Mark, kap. II (Marku e llogarit, kurse Kettoni nuk e llogarit Fatihanë) = K. II.199. San Pedro, SSM I.ii.2 dhe Lulis, Lib. Tart. de T. et S..
[2] Blanquerna, LXXI; Simon, vend. cit. dhe krahaso “Lib. Nic.”; Riccoldo Itin. XXIII; krahaso Disp. XIII; Pennis II.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit