Ndani kohë dhe lozni me fëmijën tuaj!

0
25

Doğan Cüceloğlu

Një ditë para se të filloja me seminarin, mu afrua një njeri shtatshkurtër e me fytyrë të qeshur dhe më tha se donte të ma puthte dorën (Në Turqi dhe në botën islame puthja e dorës së njerëzve më të vjetër e më të mëdhenj është shenjë respekti – R.N.). Meqë unë nuk e parapëlqej puthjen e dorës, i thash të puthemi në faqe. U puthëm. Midis nesh kaloi kjo bisedë:

– Qoftë e hajrit, pse dëshirove të ma puthësh dorën?

– Profesor, para tri vitesh mora pjesë në një seminar Tuajin. Ai ma ndryshoi jetën. Pas atij seminari e këndej unë kam një familje të lumtur dhe dëshiroj t’Ju falënderoj nga zemra, kjo ishte arsyeja pse doja t’Jua puthja dorën.

– Ç’u bë, çfarë ndodhi?

– Para tre vitesh Ju ishit me ne në një seminar dyditor që e organizoi firma jonë. Kah fundi i atij seminari na thatë: “Mëmëdheu i njeriut është fëmijëria e tij. Është shumë e vështirë që një njeri të jetë i lumtur në qoftë se nuk e ka shijuar fëmijërinë e tij duke u ngopur. Detyra më e rëndësishme e një babai dhe e një nëne është të përgatisë mundësitë që fëmija i tyre ta shijojë fëmijërinë e tij duke u kënaqur mirë.”

Heshti për një kohë, duke u menduar mirë sikur dëshironte t’i kujtohej diçka, e pastaj vazhdoi të fliste:

– Madje Ju shkuat edhe më tej duke thënë: “Detyra më e rëndësishme e një kombi është ofrimi i mundësive që fëmijët ta shijojnë mirë fëmijërinë e tyre”. Unë si baba kur i dëgjova këto fjalë Tuajat thash vetë me vete: “Unë si baba a ia ofroj shanset fëmijës tim në këtë drejtim?”. Kuptova se deri më atëherë nuk më kishte shkuar ndër mend një gjë e këtillë. Fillova të mendoja se unë ç’po bëja. Atë që e bëja unë si duket ishte e njëjta që e bënin shumë baballarë. Sa herë kur vija nga puna në shtëpi, djali im nëntëvjeçar përpiqej të mos më takonte, të ikte nga unë. E dini, profesor, pse nuk donte të më takonte?

– Jo, përse?

– Sepse sa herë që e shihja, e pyesja: “Bir, i ke bërë detyrat e shtëpisë për sot?”. Ai përherë më shikonte si një të huaj, e kthente shikimin në drejtim tjetër. Nëse e ngushtoja edhe pak, nxirrte një “ncc”, për të më thënë se nuk i kishte bërë. Zemërohesha shumë dhe e qortoja pse nuk i bënte detyrat e shtëpisë. Midis nesh përherë kishte zënka e fërkime. Natyrisht, në fund të krejt këtyre zënkave e gjithë familja shqetësohej, s’ishte e rehatshme.

Këtu u ndal pak, mori frymë thellë. Si dukej kishte disa kujtime që nuk donte t’i përkujtonte, përpiqej t’i tejkalonte ato. Pastaj vazhdoi prapë:

– Pasi dola nga seminari Juaj, nisa të mendoja. E pyeta vetveten: “Çfarë babai jam unë?”. Mendova gjatë gjithë rrugës në autobus nga Stambolli deri në Kajseri (afro 770 km – R.N.). Më në fund thash, do të flas me gruan dhe bashkë do të marrim një vendim. Thash, nëse do të ishte e nevojshme, djali ynë le ta përsëriste klasën edhe pesë herë, vetëm e vetëm le ta shijonte ngopshëm fëmijërinë e tij.

– Vendim radikal! – i thash.

– Po, një vendim i skajshëm, profesor, mirëpo kjo më erdhi shumë mirë. Tendosja dhe mërzia mu larguan, u rehatova në vetvete. Kur mbërrina në shtëpi i thash gruas se kisha për të biseduar diçka të rëndësishme me të. Ia përcolla asaj krejt atë që e dëgjova në seminar dhe i thash se ç’kisha ndërmend të bëja. I thash: “Nëse duhet, djali ynë le ta përsërisë klasën edhe pesë herë, kryesorja le ta shijojë mirë fëmijërinë e tij. Deri më tani nuk kemi shfaqur ndonjë përpjekje apo vetëdije për shijimin e fëmijërisë së tij. Eja ta ndryshojmë tani këtë”.

– Çfarë Ju tha e shoqja?

– Më shikoi me habi dhe më tha: “Çfarë seminari na paska qenë ky? Kush na qenka ky njeri që të paska mësuar kështu? Si bëhet kjo? Djali ynë do ta shijuaka fëmijërinë e tij?! Derisa djali ynë ta shijojë fëmijërinë e tij, fëmijët tjerë do të ecin përpara. S’bëhet kjo punë!”.

– E kuptoj, i thash. Si nënë ajo nuk do që fëmija i saj të ngelet mbrapa.

– Mirëpo, profesor, unë nuk u dorëzova, nuk e lash me kaq, vazhdova të luftoja. Çdo ditë e çdo mbrëmje deri në mesnatë flisja me të. Pas tri netësh më tha: “Bëj ç’të duash, do t’ia shohësh sherrin kësaj pune”.

– D.m.th. ajo u dorëzua. Po ti ç’bëre?

– Të nesërmen para se të shkoja në punë i mora veshjet dhe mbathjet e mia sportive dhe i lash pranë derës kryesore të shtëpisë. Kur u ktheva në mbrëmje nga puna e shikova birin tim në sy dhe i thash: “Bir, a je kënaqur sot duke luajtur?”. Më shikoi me habi dhe ma bëri një “ncc”, “jo” pra. I thash: “Atëherë eja të zbresim poshtë dhe të luajmë bashkë”. I vesha teshat e sportit dhe dolëm bashkë në rrugën e mëhallës. Kur na panë nga dritaret shokët e djalit se si luanim bashkë, edhe ata na u bashkëngjitën. Atë natë luajtëm të gjithë bashkë nga ora gjashtë deri në tetë e gjysmë. Kur erdhëm në shtëpi ishim bërë krejt pluhur e djersë. Hymë bashkë në banjë dhe bëmë një dush. E tera me peshqir tim bir. Vërejta një gëzim të jashtëzakonshëm tek ai. Pas kësaj dite, çdo herë që vija nga puna, luaja me djalin tim. Çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë… Pas shtatë apo tetë ditësh, pasi e tera me peshqir në banjë, më kapi për krahu dhe më tha: “Babush, të dua shumë!”. Profesor, mu ndal fryma. Sytë mu mbushën me lot, nuk mund t’i flisja. Sepse e kuptova se deri më tani djali im kurrë nuk më kishte thënë se më donte. Mendova, deri më tani nuk e kisha vërejtur se kurrë nuk më kishte thënë se më donte. Ndoshta nuk do të ma kishte thënë se jeta. “Çfarë fatkeqësie! Çfarë rreziku!”- mendova vetë më vete. Se jeta nuk do ta vëreja se ai këtë fjalë nuk ma kishte thënë.

– D.m.th. e paske kuptuar, të lumtë! Kjo gjendje që e paske kuptuar, për fat të keq, për shumë baballarë dhe nëna është një rrezik i fshehtë, por ama shumë i madh!

– Në vetvete përjetova ndjenjën e falënderimit, e thava djalin me peshqir si gjithmonë, ia vesha rrobat dhe tanimë për çdo ditë vazhduam të luanim bashkë… Pas dy javësh, mësuesi i djalit na ftoi në mbledhje prindërore. Në takimet e këtilla të mëparshme mësuesi na thoshte: “Djali juaj është një fëmijë i mençur, mirëpo detyrat e shtëpisë i shkruan jo bukur dhe jo me dëshirë e me kujdes. Në klasë i shqetëson shokët e vet, i shtynë dhe i nënvlerëson. Ju lutem, bisedoni me djalin tuaj! Le të ketë kujdes për detyrat e shtëpisë, të mos i shqetësojë shokët e klasës…!”. Për këtë arsye edhe nuk doja fort të shkoja në këto takime. Kur erdhi ftesa kësaj radhe i thash shoqes: “Eja, shkojmë bashkë!”. Më tha se nuk donte të vinte, më tha të shkoja vetë.

– Shoqja Juaj nuk deshi të vinte?

– Jo, nuk deshi. Insistova të shkonim bashkë, “do të gëzohet edhe djali” – i thash. Nuk e binda dot. Shkova vet. Edhe pse më erdhi radha, unë dola në fund të prisja të përfundonin të gjithë prindërit tjerë, sepse doja të mbetesha vetë me mësuesin. Nuk doja të koritesha për djalin tim përpara të tjerëve. Mendoja se gjithçka do të kishte vajtur keq e më keq. Harxhonim shumë kohë duke lozur bashkë për çdo ditë. Më në fund më erdhi radha edhe mua. Dola përpara mësuesit, më shikoi në fytyrë dhe buzëqeshi. Më tha: “Ç’i keni bërë fëmijës suaj?”. S’i thash gjë, shikoja përpara këmbëve të mia. Më tha: “Ju lutem, më thoni ç’keni bërë me këtë fëmijë?”. I thash: “Pse, është shumë keq, z. Mësues?”. Buzëqeshi: “Jo, jo. Nuk është keq. Ai tashmë nuk i nguc shokët e klasës, i ka përmirësuar detyrat e shtëpisë dhe është bërë një nxënës siç e dua unë. Ç’i keni bërë këtij fëmije?”.

– Me siguri, si baba duhet të jeni gëzuar shumë për këtë, apo jo?

– Profesor, besomëni se nisa të qaja para mësuesit. Nuk u besoja dot veshëve të mi dhe thash në vetvete: “Bir, po çfarë të paskemi bërë ne deri tani se?!”. Erdha në shtëpi. Gruaja më shikoi në fytyrë dhe m’i pa sytë e skuqur nga të qarët. Me tha: “Shumë keq duket të ketë qenë?!”. As asaj nuk munda t’i përgjigjesha dot. Qava përsëri. Më pastaj i tregova se ç’ishte e vërteta… Kjo ishte arsyeja, profesor, pse doja t’Jua puthja dorën. Ju falënderoj pa masë. E shpëtuat jetën e djalit tim dhe të motrës së tij më të vogël. Ma shpëtuat lumturinë e familjes sime. Me të vërtetë, mëmëdheu i njeriut qenka fëmijëria e tij. Një fëmijë që mëmëdheun e tij, pra fëmijërinë e tij, e ka të lumtur, ai do të jetë i suksesshëm në mësime, në shkollë dhe në çdo fushë tjetër. Gjithçka do të bëjë me qejf dhe me kënaqësi. “Ejani, t’Ju përqafoj edhe një herë, profesor!”.

Le të jetojmë “për të qeshur fëmijët”! Sepse mëmëdheu i njeriut është fëmijëria e tij. Në qoftë se fëmijët rriten duke qeshur, duke lozur, në fund qeshin edhe të rriturit. Kur të rriturit të jenë të lumtur, të qeshur, do të qeshë edhe mbarë kombi, mbarë njerëzia. Përshëndetje për të gjithë ata që i shërbejnë qeshjes së fëmijëve! Përshëndetje të gjithë atyre që u japin vlerë të pafajshmëve tanë, engjëjve tanë!

Nga turqishtja: R. Neziri /el-hikmeh/