14.1 C
Pristina
Thursday, September 19, 2024

NATO më 1999, Osmanlia më 1389! – Nga Salih Kabashi

Më të lexuarat

Kur erdhën turqit në Kosovë shqiptarët nuk ishin zot shtëpie në të. Besoj se kjo nuk do shumë mana. Të parët tanë ishin mysafirë në shtëpi të tyre. Zot shtëpie kishin Car Llazarin, më herët Car Dushanin apo ndonjë despot tjetër serb…

Erdhi Turku më 1389 dhe njësoj si NATO më 1999, i shtypi kokën zullumçarit dhe u mundësoi frymëmarrjen e lirë shqiptarëve, të cilët braktisën të këqijat shekullore duke u bërë muslimanë në shumicën e tyre absolute. Dhe duke u bërë aksionarë në shtetin e ri e të madh.

Dolën nga terri i shekujve, zunë të njohin shtrirje shumëherë më të gjera gjeografike. Formuan njësi administrative. U organizuan edhe në vilajete autonome me emrin e përbashkët Arnautlluk, Arnautistan ose shqip Shqipëri.

E sunduan veten dhe u vetadminstruan. Pothuajse të gjithë prijësit e sanxhaqeve, me radhë, që të gjithë ishin vendas dhe shqiptarë.

Poashtu morën pjesë në strukturat më të larta të fuqisë më të madhe të kohës, bënë inkursione spektakolare dhe të lavdishme nëpër Afrikë, Azi, Evropë… Shqiptarët në Perandori njohën përparime të jashtëzakonshme.

Figura si ato të Ali Pashë Tepelenës, të Bushatlinjve e Shkodrës, të Mahmutbegollëve të Pejës, të Mehmet Pashës së Egjiptit, të Qyprilinjve e të tjerëve, janë në fundamentet e krijesave shtetërore që kanë shqiptarët sot.

Skenderbegu në krahasim me bushatlinjtë e me tepelenasin e me misirlinë është një figure shumë minore. Le të kujtojmë se edhe kalanë e Krujës këtij ia ka ndërtuar Enver Hoxha 500 vjet pas vdekjes së tij. Zaten Skenderbegu më shumë se gjithçka është një personazh përrallash romantike komuniste e tashe edhe katolike. Tash atij i jipet dimension i një fiskulturisti religjioz, me çka atë e zhveshin tërësisht dhe përfundimisht nga atopak atribute kombëtare shqiptare.

*
Karen Barkey është profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Columbia. Ka të botuar studimin e saj Empire of Difference. The Otomans in comparative. Ndër të tjera ajo ka nxjerrë edhe këtë konkluzion:

“Perandoria Osmane nuk ishte një Leviatan imobil e despotik, siç është përshkruar shpeshherë. Jetëgjatësia e saj mbi 6 shekullore shpjegohet me kapacitetin e saj që të evoluojë dhe të bëjë që të bashkëjetojnë shumëlloj grupesh nacionale e religjioze.”

Autorja sjell më pas një detaj të mjekut shtegtar Leonhard Rauwolf nga sundimi i Sulejmanit të Madhërishëm, sulltanit të Perandorisë nga 1520 deri më 1566.

Këshilltarët e tij i kishin kërkuar që të jepte urdhër të eksterminote e të largonte me dhunë jahuditë, si ndëshkim për shkak të praktikave të tyre të dhënies së parave me fajde, të dënueshme si nga Islami poashtu nga Krishtërimi.

Sulltan Sulejmani ishte përgjigjur me një kërkesë këshilltarëve të tij:

“Shikoni këtë buqetë lulesh të ngjyrave e të formave të llojllojshme dhe vini re se si secila lule veç e veç me aspektin dhe me ngjyrën e veçantë të saj merr pjesë në krijimin e bukurisë së tërësishme të buqetës… “.

Qëllimi ishte që të nxirrej konkluzioni se ai qeveriste një shumësi popujsh… Dhe që secili nga këta popuj jepte kontribut në begatinë e në lavdinë e Perandorisë së tij.

Prandaj Sulejmani i Madhërishëm e gjente më të urtë që të vazhdonte të toleronte të gjithë ata që gjendeshin nën qeverimin e tij.

Ka ekzemplarë të panumërt të kësolloj tolerancash në Perandorinë Osmane (1299-1923).

Profesoresha Karen Barkey thotë, fjalë për fjalë:

“Historia e kësaj perandorie nuk është parë ndryshe pos nën prizmin negativ… Kjo perandori ka njohur shekuj të tërë të adaptimit duke manifestuar pajada kapacitetet e saj për t’iu përshtatur rrethanave të reja.”

Barkey thotë se Perandoria Otomane njihte dhe kultivonte diversitetin dhe se ajo ishte një polifoni konfesionale.

Ku i merr vesh gjithë këto gjurulldia shqiptare e budallenjve në histori…


Shqiptarët u integruan mirë në Perandori, u bënë edhe prijës të saj. Sepse shqiptarët adaptohen lehtë, ashtu u janë përshtatë romakëve, ashtu u janë shtruar bizantinëve, serbëve, rusëve, komunistëve…

Shqiptarët po adaptohen edhe sot dhe kudo që të shkojnë, adaptohen, integrohen, asimilohen dhe nuk i japin pesë pare për diçka tjetër…

Nga të gjitha perandoritë, Perandoria Osmane ishte më shqiptarëmbrojtësja. Të gjithë valitë e pashallarët ishin vendorë. Kishte shkolla në arabisht e në osmanisht. Shqiptarët ndjeheshin osmanli. Disa shkonin në ato shkolla. Shumica nuk shkonte. Sepse shqiptarët as sot nuk e kanë fort merak shkollën e dijen.

Kur u bë mbret Ahmet Zogu, mirditorët shkuan (me në krye Markagjonin) që ta uronin mbretin e ri dhe ta lusnin që edhe ky ta trajtonte komunitetin katolik dhe të kishin privilegjet “sikur ner mbretin e parë”, domethënë osmanlinë… Të pakënaqur, pastaj ata kërkuan një “republika srpska” për Mirditën, të cilën Mbreti Zog e shpartalloi me dajak.

Qëllimi është të sqarojmë përmes sjelljes këtu dhe afirmimit të kontributeve të njerëzve kompetent si Karen Barkey. Po e shohim mirë se si po mbyt injoranca e arroganca e budallenjve tanë në histori. Prandaj solla shembull veprën e sociologes e historianes amerikane, duke orientuar në lexim e studim të literaturës së mirëfilltë e të paanshme.

Salih Kabashi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit