Nata e Kadrit, organizim madhështor në Tiranë

0
52

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, për herë të parë me rastin e Natës së Kadrit, organizoi mbrëmjen e djeshme (14.08.2012) programin “Nata e Kadrit më e vlefshme se 1000 muaj”, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish- Hotel Dajtit, që mblodhi mijëra besimtarë, gra dhe burra, fëmijë, të rinj e të moshuar.

Programi filloi në orën 21:30, ku fillimisht përshëndeti kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, i cili uroi mbarë besimtarët për këtë natë të madhe e të begatshme.
“Ramazani i këtij viti qëlloi në një muaj të nxehtë, nuk ishte e lehtë, por megjithëkëtë ne arritëm ta përballojmë me sukses, për të arritur në Natën e Madhe të virtytshme, të faljes, begatisë dhe shpërblimit. Le t’i falemi dhe t’i lutemi Zotit më shumë, të përfitojmë nga mirësia e kësaj nate, për veten, familjarët dhe miqtë tanë, për vendin dhe kombin tonë. I lutem Zotin të na falë gjynahet, të na japë të mira e begati, si dhe më shumë paqe, qetësi e mirësi. Zoti qoftë me ju”, tha kreu i KMSH-së.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili, pasi uroi të pranishmit, për këtë natë të mëshirës, tha: “Zoti zgjodhi këtë natë për shpalljen e Librit të Tij, e zgjodhi njeriun si më fisnikun e krijesave, mes njerëzve dalloi profetët, mes muajve dalloi Ramazanin dhe mes netëve dalloi Natën e Kadrit, natën e jetës. Në këtë natë zemrat rrahin me shpresë, e këto rrahje qofshin të pranueshme te i Madhi Zot.”

Më pas programi vazhdoi me faljen e namazit të Jacisë dhe Namazit të Teravisë. Në këtë natë përkujtimi dhe përkushtimi ndaj Allahut, kanë mbajtur ligjëratat e tyre edhe imamët Elvis Naçi, Ahmed Kalaja e Ferid Piku. Ata folën për mirësitë dhe begatitë që Zoti i ka dhënë kësaj nate, ku besimtarët i drejtohen Atij, të penduar për gjynahet e tyre duke kërkuar falje e mëshirë.
“Kërkoni begatinë dhe mirësinë e Zotin në këtë natë, sepse Zoti për ata që vijnë të penduar, thotë: i kam falur, i kam mëshiruar dhe do t’i shpërblej më xhenet”, tha imam Elvis Naçi.
“Shpresojmë që kjo natë, të jetë një natë pajtimi me Zotin, me veten dhe më të tjerët, jo vetëm për ata që agjërojnë, po për të gjithë njerëzit”, theksoi imam Ferid Piku.
Ndërsa imam Ahmed Kalaja u shpreh se “Zoti është më afër besimtarit në momentin që ai i lutet dhe e kërkon Atë, prandaj lutja më e mirë që gjithsecili prej nesh mund të bëjë sot është: O Zot, Ti je falës, e do faljen, më fal mua!”

I ftuar special i kësaj mbrëmjeje ishte Dr. Ahmed Naina nga Egjipti, një nga lexuesit më të mirë të Kuranit në botë, i cili me zërin e tij, emocionoi dhe përloti mijëra vetë të pranishëm në shesh.
Në mbyllje, nënkryetari i KMSH-së Bujar Spahiu dhe imami Gazmend Teqja, kanë bërë dua në shqip dhe arabisht. Ndërkohë gjatë programit, për pjesëmarrësit janë shpërndarë ëmbëlsira të ndryshme, ndërsa fëmijët u janë gëzuar dhuratave surprizë të përgatitura posaçërisht për ta.

Ndërkohë krahas besimtarëve në shesh, u mblodhën edhe qindra qytetarë, në të dy anët e rrugës të cilët, të shtyrë nga kureshtja dhe dëshira për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj nate, ndoqën programin deri në fund.
Pas programit i cili zgjati deri në mesnatë, besimtarët janë shpërndarë nëpër xhami për të vazhduar lutjet dhe adhurimet deri mëngjesin e sotëm.
Për rëndësinë dhe pozitën që kjo natë ka te zemrat e njerëzve, e tregon edhe fakti që, i madh e i vogël, ditën që i paraprin natës së Kadrit, agjërojnë. Nga agjërimi i kësaj dite nuk përjashtohen dhe shumë njerëz, që edhe pse nuk janë myslimanë, u bashkohen miliona agjëruesve në mbarë botën.
Nata e Kadrit është nata më e vlefshme se një mijë muaj. Për këtë natë të madhe, që njihet si nata kur ka zbritur Kurani i Madhëruar, në Librin e Shenjtë të Islamit zë vend edhe një sure me po të njëjtin emër, “El – Kadr”./Drita Islame/kohaislame