MPB konfirmoi se njëri nga kreatorët e lajmeve të rrejshme është i punësuar tek ata

0
29

Viktor Kolevski, personi i cili në hulumtimin e kryer nga Shërbimi Holandez për Zbulimin e Lajmeve të Rrejshme “Njuzçekers”, përmendet se është njëri ndër bashkëpunëtorët e kreatorit të lajmeve të rrejshme kundër emigrantëve dhe myslimanëve, ushtarit profesionist Sllagjan Bojkovski, është i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njofton Portalb.mk.

“Pas informatës së marrë janë kryer kontrolle gjatë së cilës është konstatuar se mes të punësuarve në MPB ekziston person me atë emër dhe mbiemër”, thonë nga MPB.

Policia thotë se po kryhen analiza të informatave të cilat janë shpërndarë dhe nëse gjendet bazë dyshimi për kryerjen e veprës penale nga ana e përfaqësuesit të MPB-së do të ndërmerren masat përkatëse.

Paralelisht me këtë, Komisionet në ARM do të konstatojnë nëse dy ushtarët e tyre kanë bërë shkelje të disiplinës së punës dhe me atë të Ligjit për Shërbim në ARM, dhe në bazë të rezultatit do të marrin sanksione nga paralajmërimi me shkrim, deri në largim nga puna.

Ndryshe, në hulumtimin e kryer, gjuetari i lajmeve të rrejshme, belgu, Marten Shenk, ka arritur të zbulojë se si një rrjet i përbërë prej disa personave nëpër rrjete sociale ka shpërndarë përmbajtje me gjuhë të urrejtjes. Si kreator i këtyre lajmeve dhe ueb-sajteve theksohet, ushtari profesionist nga Kumanova, Sllagjan Bojkovski për të cilin Armata e Maqedonisë ka filluar hetim.