Milionat turke në tregun e Kosovës

0
118

Në tregun e Kosovës operojnë 725 kompani nga shteti i Turqisë, me një kapital prej rreth 1.2 miliard euro, tregojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës.

Këto kompani veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në fushën e energjisë, telekomunikacionit, sistemit bankar, arsimit, tekstilit dhe shëndetësisë.

Turqia vazhdon të mbetet një ndër partnerët më të mëdhenj tregtar dhe një nga tre shtetet me praninë më të madhe të investimeve direkte në Kosovë, pas Gjermanisë dhe Zvicrës.

Njëherësh, është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Sipas të dhënave të Odës Tregtare Kosovare-Turke, investimet nga Ankaraja zyrtare në Kosovë nga viti 2009 deri më 2019 kanë qenë rreth 450 milionë euro.

“Sektori energjetik përbën 31 për qind të te gjithë investimeve, pasuar nga sektori i financave dhe ai i transportit”, thuhet në një përgjigjeje nga kjo Odë për Radion Evropa e Lirë.

Përveç investimeve direkte, Prishtina dhe Ankaraja zyrtare kanë edhe shkëmbime tregtare.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, importi i mallrave nga Turqia në Kosovë ka arritur vlerën prej 431 milionë euro, kurse nga muaji janar deri në korrik të këtij viti, Turqia ka importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 220 milionë eurosh.

Ndërkaq, eksporti i produkteve “Made in Kosova” për në Turqi, vitin e kaluar ka qenë 8 milionë euro, përderisa gjatë këtij viti janë eksportuar mallra në vlerë prej 6 milionë eurosh.

Kosova dhe Turqia në vitin 2013 kanë nënshkruar edhe një marrëveshje tregtare, e cila parashikon heqjen e tarifave doganore për një numër të madh të produkteve, kryesisht industriale. Turqia e kishte aprovuar marrëveshjen me Kosovën qysh në vitin 2015. Por, në Prishtinë, ajo u dekretua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në qershor të vitit 2019.

Në Kosovë, që nga viti 2004 vepron edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Nga ajo periudhë, kjo organizatë ka realizuar qindra projekte të ndryshme, si ndërtim të parqeve, ndërtim të objekteve të mjekësore, ka restauruar një numër të madh të xhamive, por edhe ka bërë investime në ndërtimin e xhamive të reja në gjithë Kosovën.

Përfaqësues të kësaj agjencie në Kosovë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë se sa është shuma e përgjithshme për projektet e realizuara në Kosovë.

Përveç investimeve direkte, në Kosovë disa nga kompanitë me kapital më të madh financiar janë dhënë më koncesion konsorciumeve turke.

Konsorciumi turko-francez, Limak–Aeroport de Lyon, në vitin 2010 ka marrë me koncesion për 20 vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me obligimin që të investojë mbi 100 milionë euro në të.

Ndërsa në vitin 2012, konsorciumi turk Limak–Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke e blerë atë për 26.3 milionë euro.

Bechtel & Enka, konsorciumi amerikano-turk, ka bërë ndërtimin e dy autostradave, atë që lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me një vlerë mbi 1.6 miliard euro.

Edhe një numër i institucioneve arsimore funksionojnë në Kosovë nga investimet turke.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, qeveritë e të dy shteteve kanë nënshkruar 43 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, si në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.