Më fal, por mos u përpiq të edukosh kur je i zemëruar

0

Të nderuar lexues e edukatorë!
Kur ne merremi me edukimin e fëmijëve, ne kemi kryer detyrën më të mirë të cilën Allahu i Lartësuar e ka bërë obligim ndaj nesh. Pikërisht për këtë arsye, proçesi i edukimit nuk duhet të jetë një proçes improvizues ( i çastit) në varësi të rrethanave që krijohen qoftë nga edukatori apo fëmijët. Madje edukatori duhet të mendohet mirë se çfarë ndikimi do të ketë sjellja e tij ndaj fëmijës veçanërisht kur është i zemëruar dhe i nxehur. Duxh Bajin thotë: “Suksesi i edukimit të fëmijës tënde varet se sa ti i kontrollon veprimet që bën. Metoda që zgjedh dhe emocionet mund të jenë në kundërshtim me atë gjë që fëmijës i vlen.”
Mungesa e një programi të veprimeve dhe proçesit edukativ nga ana e baballarëve dhe nënave karshi sjelljeve shqetësuese ose të gabuara të fëmijëve sjell reagime nga të dyja palët deri aty saqë ato shoqërohen me nota zemërimi dhe nxehje. Zakonisht ky reagim (zemërimi) është negativ dhe nuk ndikon aspak në formimin e fëmijës.
Të nderuar edukatorë!
Le të përpiqemi që çastet e procesit edukativ të cilat i kalojmë me fëmijët tanë nga stresi i ditës – gjë për të cilën fëmijët nuk kanë faj – t’i shndërrojmë në çaste të lumtura dhe të gëzueshme për të gjithë familjen. Kjo gjë arrihet nëpërmjet menaxhimit dhe kontrollimit të zemërimit.
Si fillim: Çfarë është zemërimi?
Tek “Lisanul Arab” lexojmë: zemërimi është antonim i kënaqësisë. Ibn Arefeh thotë: “Zemërimi tek krijesat është ndjenjë që buron nga zemra. Zemërimi është i lavdëruar dhe i qortuar. Zemërim i lavdëruar konsiderohet atëherë kur bëhet për shkak të mbrojtes së fesë apo një të drejte. Kurse zemërim i qortuar konsiderohet e kundërta e kësaj.”
Çfarë ndodh kur zemërohemi?
Lindin veprime të padëshiruara, emocionet trazohen, nervat ngrihen, mendja nuk funksionon, humbet kontrolli, zemra gufon (shtohen rrahjet e zemrës) tensioni rritet dhe gjymtyrët dridhen. Kjo gjë vërehet shumë qartë në tiparet e njeriut: ngjyra e lëkurës ndryshon, vrenjtet në fytyrë, njeriu del nga natyra e tij e qetë, nga goja nxjerr ofendime e fjalë të pahijshme dhe me dorë tenton të godasë e të dhunojë.
Gjatë zemërimit shtohen rrahjet e zemrës për një minutë duke bërë që sasia e gjakut që zemra duhet të qarkullojë të shtohet dhe si rrjedhojë tensioni i gjakut të shtohet dhe po ashtu edhe adrenalina.
Mos vallë a duhet që të biem pre e zemërimit sa herë që fëmijët tanë gabojnë?! Cili është çelësi i suksesit në proçesin e edukimit të tyre duke ditur se ata janë në një moshë që më së shumti gabojnë, ndërkohë që prindërit e tyre i orientojnë dhe kujdesen për edukimin e tyre?!
Prandaj – i nderuar edukator – të del si detyrë që të mësosh artin e menaxhimit të zemërimit. Përmbajtja (kontrolli) i nervave luan një rol të rëndësishëm në korrigjimin e sjelljeve të fëmijës tënd. Nëse ruan qetësinë dhe momentet e vështira i kalon pa shpërthyer në zemërim, marrdhëniet me fëmijët e tu do të jenë më efektive. Ashtu sikurse ka për të qenë edhe ndëshkimi që i jep atyre për shkak të gabimit më efektiv.
Prandaj për këtë arsye ne ftojmë për tek menaxhimi i zemërimit dhe jo anullimi i tij (që njeriu mos të zemërohet):
Profeti (a.s) na ka porositur që të mos zemërohemi por në të njëjtën kohë ka lavdëruar atë njeri i cili zemërohet kur shkelen kufinjtë e Allahut. Ai (a.s) na ka ndaluar që të zemërohemi prej atyre veprimeve negative që vijnë si shkak i zemërimit, pra na ndalon nga zemërimi me pasoja negative. Kjo do të thotë se nëse njeriu përmbahet dhe di të menaxhojë zemërimin e tij, zemërimi shndërrohet në pozitiv. Kjo nuk do të thotë që njeriu mos të zemërohet fare, sepse zemërimi (ndjenja e tij) janë tregues i forcës, i reagimit dhe se njeriu është i ndjeshëm ndaj fesë dhe vlerave. Kjo ndjenjë (zemërimi) e natyrshme e shpie njeriun në mbrojtjen e fesë, vetes, nderit dhe pasurisë. Kështu që në proçesin edukativ, nëse baballarët, nënat dhe edukatorët nuk zemërohen ndaj veprimeve të gabuara të fëmijëve, kjo është tregues negativ i edukatorit, nuk e ka ndjerë përgjegjësinë që ka dhe nuk i ka vlerësuar ashtu siç duhet pasojat negative që do të vijnë më vonë si pasojë e neglizhimit të edukimit të fëmijëve. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikqyrin engjëjt e fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.”[1] Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu ka për të pyetur çdo bari (kujdestar) në e ka ruajtur apo humbur kopenë e tij.”[2]
Ruaje energjinë tënde për të ndërtuar dhe jo shkatërruar!
Nëse njeriu nuk e përmban veten në momentet e vështira dhe dorëzohet ndaj zemërimit dhe veprimeve të pakontrolluara në fund do të vërejë se ka harxhuar një energji shumë të madhe në vend që këtë potencial (energji) ta kishte shfrytëzuar për të ndërtuar, edukuar, mësuar, për të dialoguar, për t’u sjellë mirë me familjen e gjëra të tjerat të dobishme.
Për të menaxhuar zemërimin ndiq hapat e mëposhtme!
Vazhdimisht ki parasysh (kujto) se mospërmbajtja e nervave gjatë zemërimit është dobësi dhe dështim në edukim. Ndërkohë që përmbajtja e nervave, kontrolli i zemërimit dhe të sjellurit drejt me fëmijët përbën kulmin e forcës dhe pozitivitetit tek edukatori. Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka gllënjkë (përtypje) me shpërblim më të madh tek Allahu i Lartësuar se robi (njeriu) i cili e shtyp (e përmban) zemërimin e tij vetëm për hir të Allahut.”[3]
Në momentin e zemërimit dhe në momentin që e ndjen se flaka e tij është ndezur nga përbrenda, numëro nga 1-10 përpara se të thuash ndonjë fjalë dhe në të njëjëtën kohë mendohu mirë se çfarë fjale do të thuash me qëllim që fëmija të përfitojë nga situata e krijuar.
Në momentin që zemërohesh, përmbaju në veprimet e tua dhe shiko me kujdes se cilat janë shtysat që e kanë shtyrë fëmijën tënd të veprojë kështu. Ai duke u përpjekur dhe duke u mbështetur në veten e tij, padashje e ka thyer gotën me qumësht. Nëse ti i bërtet atëherë ia ndërpret hovin (iniciativën) dhe ai nuk do të përpiqet më.
Tregoji fëmijës tënd se ti je i zemëruar me të. Drejtoju atij me fjalë të qarta e të prera që ai ta kuptojë se ka gabuar. Si për shembull: Babi është zemëruar me ty për shkak se u ktheve shumë vonë mbrëmë në shtëpi. Unë kujtova se ti do të ktheheshe më herët në shtëpi dhe do të ishe i përpiktë me orarin.
Përdor metodën e moskumunikimit me të për disa orë. Mos ju përgjigj pyetjeve të tij dhe bëj sikur ti nuk ke interes për të. Kjo duhet të ndodhë derisa të të bjerë zemërimi. Duhet të kesh parasysh që kësaj metode t’i qëndrosh rigoroz. Në fund ke për të parë se kjo metodë ka për të qenë efikase.
Dije se ulja e zërit gjatë bisedës me fëmijët kur je i zemëruar do ta ulë së tepërmi ndjeshmërinë e zemërimit dhe do të përcjellë tek fëmijët një mesazh që është se ti ke mundësi të përmbahesh kur je i zemëruar. Mirëpo në momentin që ti nuk i përmban nervat e tua, kjo do të thotë një dobësi nga ana jote dhe ndoshta ata mund ta shfrytëzojnë këtë dobësi tënden.
Mund të përdorësh edhe metodën e mesazheve të shkruara duke shprehur se ti nuk je i kënaqur me veprimin e fëmijës. Në fakt kjo metodë është efikase me të gjithë njerëzit, me bashkëshortët, miqtë, fëmijët..etj, sepse kur shkruajmë një mesazh jemi të qetë dhe përzgjedhim fjalët e duhura. Një urtësi tjetër e shkruajtes së mesazhit është se kur njeriu është i zemëruar reagimi i tij -negativ- shfaqet me duar e me këmbë, kurse në mesazh ky reagim nuk ka se si të përcillet. Dhe ke për të parë se duke përdorur këtë metodë zemërimi do të ulet.
Kërko mbrojtje nga Allahu i Lartësuar që të ndihmojë në ekzekutimin e vendimeve që merr dhe gjithmonë ki parasysh fjalën e Profetit (a.s): “Mos u zemëro!”[4] Përdor metodat që na ka mësuar Profeti (a.s) për ta larguar zemërimin si me marr abdes, apo me u ul nëse jemi në këmbë, ose me u shtrirë nëse jemi ulur dhe me thënë sa më shumë herë “Eudhu bil lahi minesh shejtanir raxhim”
Së fundmi, duhet ta dish se menaxhimi i zemërimit është forcë, ashtu sikurse na ka mësuar Profeti (a.s) kur thotë: “Nuk është i fortë ai që është i fortë në mundje, por i fortë është ai cili përmbahet kur është i zemëruar.”[5]
Vëri menjëherë në zbatim këto porosi, merr vendimin se nuk do të sillesh me dhunë ndaj fëmijëve dhe do ta menaxhosh zemërimin ashtu siç duhet.

Përktheu Elton Harxhi
[1] Sure Tahrim: 6.
[2] Buhariu (5200) dhe Muslimi (1830)
[3] Ibn Maxheh (4189). Zinxhiri i transmetimit është i saktë.
[4] Buhariu (6116).
[5] Buhariu (6114) dhe Muslimi (2611).