Lajmet e rrejshme, nga tetori do të kenë detektor të së vërtetës!

0

Mediet televizive, ato të shkruara dhe gazetarët “online” do të fillojnë së shpejti të përdorin një sistem të automatizuar të “fact-checking”, apo kontrollues faktesh, që do t’u sinjalizojë atyre shumë shpejt nëse një pretendim i rremë është bërë në shtyp, në televizion apo në Parlament.

Një version i hershëm i këtij sistemi, i mbiquajtur edhe si “detektor i dënglave” nga krijuesit e tij, pritet të testohet nga muaji tetor, si pjesë e një beteje globale kundër të ashtuquajturave “fake news” – lajmeve të rreme.

Sistemi “imun” është krijuar nga studiues të organizatës “Full Fact” në Londër, me një mbështetje financiare prej 500 mijë dollarësh, nga fondacione bamirësie të mbështetura nga dy miliarderë, si investitori i lindur në Hungari, George Soros, si dhe themeluesi iraniano-amerikan i “eBay”, Pierre Omidyar.

Programi, i cili është parë në demonstrim nga “the Guardian”, skanon menjëherë deklaratat në momentin që bëhen nga politikanë, e menjëherë të jep edhe një vendim mbi vërtetësinë e tyre. Versioni paraprak i tij bazohet në një bazë të dhënash nga disa mijëra kontrollues manuale faktesh, por versionet e ardhshme do të kenë qasje automatike edhe në të dhënat zyrtare për të dhënë verdiktet e duhura.

Studiuesit e këtij programi po bashkëpunojnë edhe me Zyrën Kombëtare të Statistikave për këtë projekt. Programi “Full Fact” do të testohet fillimisht në Britaninë e Madhe, e më pas do të lansohet edhe në Amerikën e Jugut dhe Afrikë.

Në Londër, “Full Fact” po punon me “Chequeado”, një organizatë me seli në Argjentinë për kontrollin e fakteve, si dhe “Africa Check”, që operon në disa vende nënsahariane, përfshi këtu Nigerinë dhe Afrikën e Jugut.

“Do të jetë diçka si të ishim duke u përpjekur të krijonim një sistem imunitar”, thotë Mevan Babakar, menaxher projekti në “Full Fact” në Londër. “Duke qenë se gjithnjë e më shumë informacione po qarkullojnë nëpër botë, të cilat janë të pavërteta, ajo që nuk po mundemi të bëjmë deri më tani është pikërisht gjetja e metodave për t’i luftuar këto lajme të rreme”.

 

Versioni paraprak i programit skanon të gjithë titujt, nëntitujt dhe titrat e programeve televizive, transmetimeve nga punimet e Parlamentit, artikujt e publikuar nga gazetat e të tjerë. Ajo ndjek miliona fjalë, fjali pas fjalie, derisa të identifikojë një pretendim që përkon me një fakt të kontrolluar në bazën e saj të të dhënave.

“The Guardian” ishte gjithashtu dëshmitare e një demonstrimi në kohë reale të një debati të shëndetshëm në Parlament. Fjalët e thëna nga disa politikanë nënvizoheshin për sa kohë që ato përputheshin me fakte ekzistuese. Për shembull, deklarata se “në 6 vitet e fundit të qeverisë laburiste, 25 mijë shtretër spitalesh u shkurtuan” u nënvizua dhe të jepte informacion shtesë si: “Korrekte, numri i shtretërve në Shërbimin Kombëtar britanik të Shëndetësisë ra me pak më shumë – rreth 26 mijë, – mes viteve 2003-04 dhe 2009-10”. /Top Channel/