Kush janë të arrestuarit e djeshëm nga EULEX-i

0
119

Biznesmeni i derivateve të naftës nga Mitrovica, Mentor Beqiri, ia ka parë sherrin bashkëpunimit me Zvonko Veselinoviqin. Ai dhe disa biznesmenë tjerë shqiptarë dhe serbë nga Mitrovica dyshohet se qe dhjetë vjet kanë bërë kontrabandë me naftë në Kosovë. Për ta dyshohet se naftën e kanë përzier me vaj bazik në një depo në fshatin Uglar dhe e kanë shitur nëpër shumë pompa të benzinës gjithandej Kosovës.

Veprimtaria e tyre ka disa vjet që është duke hetuar nga EULEX-i. Ndërkaq, tek të martën, misioni i BE-së ka marrë një aksion kundër të dyshuarve, dosjen e të cilëve e ka parë dhe botuar “Koha Ditore”.

Policia e EULEX-it ka arrestuar Mentor Beqirin, vëllanë e tij, Albertin, dy vëllezërit tjerë Jahë dhe Alban Osmanin nga Vushtrria, Halil Hasanin nga fshati Banjskë i Vushtrrisë, dhe një person tjetër, identitetin e të cilit gazeta nuk ka arritur ta zbulojë, të gjithë nën dyshimet se janë marrë me kontrabandë të derivateve të naftës. Përveç kontrabandës, ata dyshohen edhe për krim të organizuar, evazion fiskal, shmangie mashtruese të taksave importuese, si dhe pastrimit të parave. Disa nga të arrestuarit e së martës, në mesin e tyre edhe Mentor Beqiri, janë arrestuar nga drejtësia kosovare edhe tri herë të tjera, një herë në vitin 2006, pastaj në vitin 2007 dhe në vitin 2009, por asnjëherë prokurorët përgjegjës nuk kishin ngritur aktakuzë ndaj tyre, dhe për pasojë ishin liruar.

Me kërkesë të prokurorit të EULEX-it, Jonathan Rratel, ata janë arrestuar sërish këtë të martë për t’u përballur me disa akuza.

Të dyshuarit që janë pronarë dhe bashkëpronarë të disa bizneseve mes tjerash“, “BT-Petroll”, NTP “Jamo”, ShPK “Mab” dhe ”Oil Kosova”, janë marrë në pyetje nga prokuroria e EULEX-it dhe pritet që të martën të dalin para gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit.

Mentor Beqiri ka qenë njëri nga emrat më të përmendur në një dosje të publikuar javë më parë nga “Koha Ditore” për Zvonko Veselinoviqin, njeriun që vlerësohet si “kapo” i krimit të organizuar në veri dhe bashkëpunëtorët e tij.

Dëmi që ka pësuar Kosova financiarisht nga kontrabanda vlerësohet se është 30 deri në 35 milionë euro në vit. Kompanitë që kontrollohen nga Zvonko Veselinoviq kanë importuar në vlerë mbi 22 milionë euro. Invazioni fiskal është mbi 14 milionë. Shuma e përgjithshme e dëmit vlerësohet të jetë rreth 400 milionë euro. Një shumë e parave që dyshohet se janë fituar në mënyrë kriminale nga kontrabanda ishin depozituar në njërën nga bankat e Kosovës nga Jevro Panteliq, njëri nga të besuarit e Veselinoviqit.

Arrestimin e të dyshuarve e ka konfirmuar EULEX-i.

Zvonko Veselinoviq kontrollon mbi 15 firma të ndryshme tregtare. Shumica të regjistruara në Kosovë.

Për “Grupin e Zvonkos” dhe bashkëpunimin e tyre me Mentor Beqirin dhe biznesmenë tjerë shqiptarë kanë raportuar edhe mediet ndërkombëtare, përfshirë prestigjiozen amerikane “New York Times”./koha/kohaislame