10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Kryeparlamentari Ruçi vizitë zyrtare në Katar

Më të lexuarat

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në krye të një delegacioni parlamentar, po realizon një vizitë zyrtare në Katar, ndërsa në fokus të saj janë diskutimet për bashkëpunimin mes dy vendeve, mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe çështje të tjera.

Në njoftimin zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se delegacioni shqiptar është takuar me kryetarin e Parlamentit të Katarit, Ahmad bin Abdullah bin Zaid al-Mahmoud.

“Me interes për Shqipërinë do të ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe shtimi i investimeve nga Katari në projektet strategjike për vendin. Midis tyre, dëshiroj të nënvizoj aktivizimin e marrëveshjeve ekonomike e tregtare të nënshkruara dhe përshpejtimin e atyre që janë në proces, përshpejtimin e veprimeve të Qeverisë së Katarit për lehtësimin dhe heqjen e vizave për shqiptarët, bashkëpunimin në fushën e transportit ajror dhe hyrjen e Qatar Airways për fluturime direkte Doha-Tiranë”, është shprehur Ruçi gjatë takimit.

Ndërkohë theksohet se kryeparlamentari Ruçi kërkoi mbështetjen e Katarit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Sipas njoftimit, kryetari i Parlamentit të Katarit, Ahmad bin Abdullah bin Zaid al-Mahmoud, vuri në dukje se Katari është i interesuar dhe i vendosur të zgjerojë dhe forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë, sipas tij, si një vend mik.

“Unë do të nxis qeverinë dhe kompanitë e Katarit të shqyrtojnë me kujdes propozimet e palës shqiptare dhe t’u përgjigjen atyre me nisma konkrete bashkëpunimi”, ka theksuar kryeparlamentari i Katarit.

Delegacioni parlamentar i kryesuar nga Ruçi ka nënvizuar se Shqipëria është e interesuar të bashkëpunojë me Katarin edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit