8.8 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Kreu i opozitës siriane: Nuk shkojmë në negociata, nëse nuk përmbushen premtimet

Më të lexuarat

Shefi i ekipit negociator të opozitës së armatosur siriane, Muhammed Allush deklaroi se nuk do të marrin pjesë në bisedimet të cilat do të mbahen më 20 shkurt në Gjenevë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre të cilat i kishin shtruar në takimin në Astana.

Në një prononcim për gazetarin e Anadolu Agency (AA), Allush tha se në bisedimet në Astana të mbajtura më 23 dhe 24 janar është dhënë fjala se forcat besnike ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad nuk do të sulmojnë pozicionet e opozitës siriane, për të shtuar se premtimi i dhënë nuk është respektuar.

Allush theksoi se delegacioni i opozitës siriane u ka dorëzuar garantuesve një raport për gjendjen në terren dhe propozim masa për respektimin e armëpushimit në Siri. Ai ka shtuar se sot presin të marrin përgjigje meqë në Astana ka filluar pjesa teknike e bisedimeve për mekanizmin trepalësh me të cilin Rusia, Turqia dhe Irani do të monitorojnë bashkë armëpushimin.

“Të premten e kaluar në Ankara mbajtëm konsulta me zyrtarët e Turqisë dhe Rusisë të cilët i informuam për zhvillimet në terren. Dëshirojmë që për zhvillimet të ndërmerren hapa konkret. Kjo është një përgjegjësi e Rusisë. Nëse ata bëjnë atë çfarë nevojitet në do të vazhdojmë negociatat, por nëse ata bëjnë hap prapa, atëherë ne do të tërhiqemi nga negociatat”, tha Allush.
Ai tha se me zyrtarët turq diskutuan mundësinë e dërgimit të një delegacioni të përbashkët për negociatat e ardhshme në Gjenevë.

“Mesazhi i grupeve opozitare të armatosura është i qartë. Na janë dhënë premtime në Astana, dhe tani ato duhen respektuar. Pa ato, ne nuk shkojmë në negociatat e ardhshme. Këtu e kam fjalën për tri kërkesat: vendosjen e armëpushimit, lirimin e të burgosurve dhe dhënien fund të rrethimit në rajonet që ne i kontrollojmë”, tha Allush.

Sipas tij, kërkohet një mënyrë që forcat iraniane dhe milicitë pro-shiite të tërhiqen nga Siria.

“Kryesore është që të respektohet fjala e dhënë, sepse nuk ka kuptim të shkohet në negociata nëse premtimet nuk respektohen. Regjimi i Asadit mashtron të gjithë dhe nuk i përmbahet marrëveshjes që ka nënshkruar. Madje nuk respekton as premtimin e dhënë Rusisë që është garantuese e palës së saj”, tha Allush. Ai ka shprehur kënaqësinë që Rusia ka ndryshuar rolin nga një shtet pjesëmarrës në luftë në një garantues të paqes, por njëkohësisht ka shprehur dyshimin se Irani do të mund të bllokojë proceset e paqes sepse dëshiron që përmes pranisë ushtarake në Siri të forcojë pozitën e tij në rajon.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit