KOMPANITË QË FINANCUAN PDK-NË, PËRFITUAN MBI 100 MILIONË

0
38

Dyzet e tri subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore, biznese dhe persona fizikë që kanë financuar Partinë Demokratike të Kosovës, në dy fushatat e fundit elektorale, kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publikë, thonë përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare.

Sipas drejtuesve të organizatës “Çohu”dhe Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese mbi prokurimet publike, janë nxjerrë të dhëna se mbi 100 milionë euro të shpërndara nga partia e kryeministrit, janë shpërblyer kompanitë, pasi që, siç u tha, ata “ia zgjatën dorën (kryeministrit) gjatë fushatave zgjedhore”.

Për 11 nga këto 43 kompani që kanë fituar tenderë të ndryshëm, kryesisht nga Ministria e Arsimit dhe e Infrastrukturës, thuhet se kanë shkelur ligjin me ç’rast është dëmtuar edhe buxheti i vendit.

Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, shpjegon më shumë: “Kjo është vetëm një gjetje të cilën ne e kemi bërë. Ne kemi shikuar mbi 400 tenderë të ndryshëm, ka dalë ky numër dhe kemi ardhë në një përfundim që vlera totale që 43 kompani të ndryshme kanë përfituar, është diku mbi 100 milionë euro. Vërejmë po ashtu që një pjesë dërmues të tyre p.sh në 11 kompani të ndryshme, është thyer Ligji sipas dokumenteve zyrtare të auditorit, është thyer ligji vetëm që këto kompani të jenë përfituese të këtyre parave publike”.

Në hulumtimin e këtyre organizatave, thuhet se nga raportet e auditivit për financimin e partive për fushatën e vitit 2009 dhe atij për fushatën e vitit 2010, shuma e donacioneve që këto 43 ndërmarrje dhanë për Partinë Demokratike të Kosovës, është pak më shumë se 280 mijë euro./expres/kohaislame