Keqpërdorimet në administratë, punonjësit marrin paga pa punuar

0

Skandali i fundit i publikuar nga shërbimet e Qeverisë së Maqedonisë se rreth 160 persona të punësuar në Sekretariatin e ekzekutivit kanë marrë paga pa bërë asnjë ditë punë, ka hapur edhe çështjen tjetër të pazgjidhur të më shumë se 1500 personave të punësuar në administratën shtetërore që po ashtu me vite marrin paga pa bërë asnjë ditë pune.

Nga Qeveria kanë bërë të ditur se personat që së fundi janë zbuluar, ishin pranuar në marrëdhënie pune nga qeveria e kaluar e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit, dhe se me këtë veprim të jashtëligjshëm buxheti i shtetit është dëmtuar për rreth një milion euro.

Por, në njoftimin e Qeverisë fare nuk është përmendur rasti tjetër që, po ashtu, vlerësohet skandaloz me punonjësit e tjerë të shumtë që me vite marrin paga e që nuk sistemohen në vende pune. Numri i tyre sillet në rreth 1600 persona dhe kryesisht janë shqiptarë, të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit për rritjen e përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve në organet shtetërore.

Por, sistemimi i tyre ka ngecur me vite për shkak të neglizhencës së institucioneve, apo refuzimit të disa prej tyre për të pranuar punonjës të rinj për shkak të stërngarkimit të tyre, por edhe për arsye tjera e që shpesh thuhet se mund të jenë të natyrave etnike.

I pyetur për këtë çështje, Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë informatike dhe Administratës Publike thotë se bëhet fjalë për një problem jo pak të ndërlikuar që kërkon një analizë më të thellë, duke dhënë sërish premtime për zgjidhjen e shpejtë të çështjes.

“Sa më shpejt që të jetë e mundur do të bëhet sistematizimi i tyre. Po bëjmë gjithçka të mundur që këtyre personave t’u gjejmë angazhim adekuat. Kjo do të realizohet në bazë të analizave përkatëse”, deklaron Mançevski.

Hezitimi për sistemimin e kësaj kategorie në vende pune ka qenë në vazhdimësi objekt i reagimeve e përplasjeve të ndryshme politike. Varësisht se cila parti shqiptare ka qenë në pushtet, ka shpallur konkurse për pranim të punonjësve të administratës, por pa u angazhuar për sistemimin e të tjerëve që tashmë ishin pranuar.

Njohësit e çështjeve politike dhe të ekonomisë thonë se partitë qëllimisht nuk e kanë zgjidhur këtë problem që, sipas tyre, është keqpërdorur për pikë politike dhe si makineri votuese, pasi të njëjtit shpeshherë kanë qenë të shantazhuar apo janë orientuar në aktivitete partiake.

“Ky nuk është një problem që ka lindur hëpërhë dhe sigurisht se do të vijë momenti kur do të duhet të dalin në sipërfaqe shumë vendime që më shumë janë shfrytëzuar për çështje të interesave politike të subjekteve të caktuara dhe jo për të zgjidhur një problematikë që më tepër ka të bëjë me atë që konsiderohet si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e sistemit”.

“Pra, këta persona janë punësuar më tepër për interesa politike dhe nuk janë sistematizuar në vendet e tyre të punës”, thotë Arben Halili, njohës i rrethanave politike dhe ish-drejtor në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai thotë se përgjegjësia për këtë dukuri duhet kërkuar tek ata që edhe e kanë bërë një zgjidhje të tillë dhe jo te personat e punësuar dhe që nuk bëjnë punë pasi ata janë vetëm viktima të një politike të tillë që është bërë për interesa partiake.

“Vlerësoj se këtij keqpërdorimi duhet t’i vijë fundi, nuk guxon të vazhdohet më tej, pra urgjentisht duhet të gjendet zgjidhja për sistematizimin e tyre. Kurse, përgjegjësinë ta mbajnë ata që kanë bërë një zgjidhje të tillë gjysmake për këta persona”, vlerëson Halili.

Debatet lidhur me sistematizimin e këtyre punonjësve si dhe të tjerëve që janë angazhuar në punë nga Qeveria e kaluar, vijnë në kohën kur Maqedonia po përballet me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për zbatimin e reformave edhe në administratë, si një nga segmentet që vlerësohet të jetë i ndikuar në masë të madhe nga politika, por edhe për shkak të numrit të madh.

Sipas të dhënat, numri i punonjësve në administratën shtetërore dhe publike sillet në rreth 160 mijë, shifër kjo shumë e lartë në krahasim me vendet tjera nëse merret për bazë numri i përgjithshëm i popullsisë.