Keqardhje për Malin

0
35

Tashmë është e qartë se Republika e Malit nuk e ka njohur Kosovën. Ajo që ndodhi me këtë shtet afrikan ishte një keqkuptim dhe për këtë shpreh keqardhje. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Express ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

“Çështja e Malit do të duhej të kuptohej në dy nivele: Së pari, ne si Ministri e Punëve të Jashtme, mirëpo edhe z. Behgjet Pacolli kemi pasur informata para disa muajsh se ky vend po lëviz pozitivisht që zyrtarisht ta njohë Republikën e Kosovës dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Kemi pasur informata të sakta, sikurse ka pasur edhe z. Pacolli, që në gusht të këtij viti mund të vijë njohja dhe komunikimi nuk ka ndodhur direkt përmes MPJ’së, por përmes Ambasadës tonë në Berlin, që ka qenë komunikim bilateral dhe zyrtar. Në atë moment që edhe z. Pacolli e ka bërë publike njohjen e Malit, edhe mua më ka njoftuar një orë para se të dalë në konferencë për shtyp”.

“Pothuajse për mua ka qenë një proces i rregullt i ardhjes së një njohjeje zyrtare të Republikës së Kosovës sikurse ndodh edhe me shtetet tjera. Niveli i dytë i sqarimit është se mendoj se ka ndodhur një keqkuptim në komunikimet tona në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit dhe unë për këtë keqkuptim ndiej keqardhje edhe para qytetarëve të Kosovës, mirëpo edhe para Malit, meqë Kosova synon të jetë vend serioz në komunikimet diplomatike dhe në të njëjtën kohë përpjekja ime si Ministër i Punëve të Jashtme është që në çdo formë, me çdo kusht ta ruajmë kredibilitetin e Republikës së Kosovës si një anëtar i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.

“Besoj se tashmë është mëse e qartë se Mali nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe kjo gjë tashmë është sqaruar edhe nga vetë z. Pacolli dhe nga kontaktet tona, nga misioni ynë në OKB, nga ambasadaa jonë në Paris, sikurse edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj në këtë intervistë.kohaislame