Katari: Vendimi për të blerë sisteme mbrojtjeje ushtarake është sovran

0
132

Ministri i Jashtëm i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, deklaroi mbrëmjen e së martës në një intervistë me “Al Jazeera” News, se nga kriza e Gjirit tashmë njëvjeçare nuk del asnjë i fituar, por të gjitha palët e përfshira janë të humbura, e sidomos popujt e rajonit të cilët i prekin kryesisht pasojat e krizës. Al Thani vuri në dukje se është diçka e pazakontë dhe hera e parë që në një mosmarrëveshje politike rajonale të mos ketë asnjë lloj kontakti mes palëve. Ai theksoi nevojën për dialog konstruktiv dhe racional në funksion të zgjidhjes së krizës.

Ministri i Jashtëm i Katarit tha vendi i tij nuk ka marrë ende ndonjë njoftim zyrtar nga Uashingtoni në lidhje me mbajtjen e samitit të Gjirit (për zgjidhjen e krizës) të parashikuar për në Shtator. Ai theksoi se Presidenti i SHBA Donald Trump dhe administrata e tij po punojnë për organizimin e këtij samiti në Camp David.

Gjatë intervistës u diskutua edhe në lidhje me lajmin e bujshëm të “Le Monde” ditëve të fundit rreth kërkesës saudite drejtuar Parisit për ti bërë presion Katarit që të mos blejë sistemin raketor rus “S 400”. Sipas gazetës franceze, Rijadi ka kërcënuar (në letrën drejtuar Elysee-së) me “veprime ushtarake” kundër Katarit nëse ai blen këtë sistem të sofistikuar mbrojtjeje raketore.

Në përgjigje të pyetjes, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani konsideroi se vendimi për të blerë çdo lloj sistemi mbrojtës apo ushtarak është “vendim sovran i Katarit, që nuk ka lidhje as me Arabinë Saudite dhe as me ndonjë shtet tjetër”. Ai theksoi se vendi i tij është në pritje të një përgjigje nga Parisi rreth të vërtetës në lidhje me lajmin e “Le Monde” për shqetësimin saudit me marrëveshjen e mundshme ruso-katariane.

Ministri i Katarit u shpreh se nuk besonte që kërcënimi saudit i përmendur nga “Le Monde” të ishte i rrezikshëm, por akuzoi Riadin se po e përdor këtë çështje si mesazh për të provokuar “konfuzion” në një rajon tashmë të zhytur në konflikte e kontradikta të thella e të panevojshme, e fundit prej të cilave filloi një vit më parë mes Dohas nga njëra anë dhe katërshes së bllokadës: Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit dhe Egjiptit.

Le Soir për krizën e Gjirit

Nga ana e saj, gazeta belge “Le Soir” në numrin e saj të së martës, e konsideroi bllokadën e udhëhequr nga Riadi dhe Abu Dhabi kundër Katarit si një komplot të dështuar, pavarësisht investimit të madh nga vendet e bllokadës për të gjunjëzuar Katarin.

“Le Soir” shkruan se Katari u trondit fillimisht, i habitur nga akuzat absurde të shteteve të Gjirit, të cilat ndërprenë në mënyrë të beftë dhe të pajustifikueshme marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe imponuan një bllokadë të paligjshme totale nga toka, ajri dhe deti. Gazeta belge i quan shtetet e bllokadës ndaj Katarit “bandë e katërshes”, duke theksuar se Perëndimi është i shqetësuar nga kjo krizë dhe i druhet përshkallëzimit të mëtejshëm të saj, për shkak të pasojave të rënda që mund të rrjedhin nga ky konflikt. Kjo pasi vendet e Gjirit janë tejet të pasura me hidrokarbure (dhe burim kryesor energjie në botë), sikurse janë tregje shumë fitimprurëse komerciale dhe industriale.