14.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

“Jemi më të bashkuar”: muslimanët amerikanë tregojnë për Ramazan jetën në kohën e Trump-it

Më të lexuarat

Në Hamtramck, Miçigan, komuniteti musliman ndjen një lidhje më të madhe mes anëtarëve të tij – në një klimë të vështirë politike.

“Është sikur merr një jetë të re”, thotë Arif Huskic, një musliman boshnjak që ka ardhur të falet këtu. “Në dorëzimin tek Zoti, ne testojmë veten”.Thirrja për faljen buçet në muret e qendrës Islame të Hamtramck, ndjekur nga rrufitja e lëngut të limonit dhe përtypja e hurmave të Arabisë. Është ora 8.53, dielli sapo ka perënduar dhe rreth 100 burra dhe djem jemenito-amerikanë qëndrojnë të ulur këmbëkryq në tapet, duke falenderuar dhe thyer agjërimin.

Pak qindra metra më poshtë rrugës, në një restorant të këtij qyteti të vogël të Miçiganit, një alarm mbërrin në telefonin e Tharia Begum. Miqtë e informojnë grupin e saj prej gjashtë shoqesh bengalezo-amerikane, të gjitha student kolegji në të njëzetat, se është momenti për të thyer agjërimin.

“Dita e parë është e vështirë”, thotë 21-vjeçarja Amina Ahmed. “Por, ditën e dytë, është sikur të kanë vendosur një shkëmb mbi shpatulla. Bëhet shumë më e lehtë sa më shumë kalon muaji”.

Në një prej qyteteve që po zhvillohet më shpejt në Amerikë, me gjasa i pari në vend që ka zgjedhur shumicë muslimane në këshillin e qytetit, Ramazani po mbahet nga një popullsi gjithnjë e më e larmishme. Por në një kohë problematike për muslimanët, muaji i agjërimit këtë vit në Hamtramck ka sjellë një lidhje shumë më të madhe midis komunitetit, pasi banorët ndjejnë një klimë të shtuar të islamofobisë të nxitur nga zgjedhja në presidencë e Donald Trump.

“Që kur Trump fitoi, jemi bërë më të kujdesshëm por kjo e ka bashkuar komunitetin tonë”, thotë 21-vjeçarja Shahria Islam. Sipas saj, muslimanët mblidhen rreth njëri-tjetrit, pasi e dinë se janë në shenjestër.

Me rreth dy milje katrorë, rrethuar nga qyteti i Detroitit, Hamtramck dikur ishte një zonë e populluar nga emigrantët polakë të tërhequr në qytet nga vendet e punës në prodhim. Mbyllja e fabrikave në vitet 1980 solli një eksod relative të europiano-lindorëve që dikur përbënin 75 për qind të 20 mijë banorëve të qytezës.

Tashmë, fluksi i emigrantëve nga Jemeni dhe Bangladeshi ka bërë që qyteti të jetë me shumicë prej tyre.

Në një kafene, mes rafteve të librave, Saad Almasmari e nis ditën duke shpërndarë fletë-palosje. 31-vjeçari që mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 2009 pa ditur asnjë fjalë anglisht, është tashmë personi i gjashtë i zgjedhur në këshillin e qytetit në vitin 2015, duke shënuar momentin që trupa u bë me shumicë muslimane.

Ky lajm nxiti kritika nga komentues konservatorë të cilët e cilësuan qytetin si bastion të sheriatit.

Babai ambicioz i tre fëmijëve i cili drejton një biznes akulloresh për të mbajtur familjen, tashmë po kandidon për detyrë shtetërore, duke bërë fushatë ndërsa agjëron.

“Eshtë vështirë”, thotë ai. “Ne trokasim derë më derë dhe njerëzit na oforjnë kafe apo ujë, por unë jam në agjërim. Gjithsesi unë u buzëqesh njerëzve dhe sillem përpara tyre jo sikur kam 15 orë pa ngrënë”.

Në qytet ka pasur rezistencë ndaj diskriminimit të administratës Trump. Me mijëra dolën në rrugë për të protestuar kur Trump njoftoi ndalimin e parë të udhëtimit për vendet muslimane.

32-vjeçari Muad Almogari, mësues matematike në shkollën e mesme lokale preket shumë kur flet për motrën e tij, e cila ndodhet në provincën Ibb në Jemen, ku ka luftë.

Aplikimi i saj për vizë është bllokuar që kur ndalimi Trump hyri në fuqi dhe ai shqetësohet çdo ditë nëse ajo mund të vritet nga shkëmbimi i zjarrit. Ai ka nisur një punë të dytë për të siguruar para që ia dërgon të motrës për çdo muaj.

Muaji i Ramazanit sjell më shumë donacione për qendrën muslimane të Familjes, që shpërndan dhurata dhe paketa ndihmash. “Njerëzit janë bujarë në këtë kohë të vitit”, thotë Summi Akteer, drejtori i qendrës.

Qyteti po ndryshon dhe kjo duket në fasadat e kafeneve dhe ndërtesave të reja. Por për banorët e tij, ndryshimet nuk kanë asnjë vlerë gjatë Ramazanit. “Nuk lejojmë asgjë të ndikojë agjërimin, sidomos jo gjërat negative si Trump”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit