11 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Interesi vetjak si një e mirë publike – Selami Xhepa

Më të lexuarat

Interesi vetjak si një e mirë publike

Selami Xhepa

Përballja midis egoizmit dhe altruizmit nuk do të mund të kuptohej më mirë se në përballjen midis dy sistemeve të ekonomisë politike, midis kapitalizmit dhe socializmit, ku i pari ia atribuon progresin ekonomik e social ndjekjes në mënyrë egoiste të interesit vetjak, ndërsa socializmi predikonte interesin e përgjithshëm mbi atë personal. Por, siç u provua nga historia, aspiratave të progresit të shoqërisë i shërbeu shumë më tepër ndjekja e verbër e interesit vetjak. Prova e kësaj hipoteze është dhe qëllimi i këtij shkrimi.
Kapitalizmi është padyshim një nga konstruksionet më të mëdha sociale të njerëzimit, që kombinon pronën private, sipërmarrjen e lirë dhe koordinimin e prodhimit dhe shkëmbimeve përmes tregut. Roli i shtetit është ai i garantimit të ligjit dhe rregullit, infrastrukturës publike dhe mbajtjen hapur të tregtisë dhe investimeve midis shteteve. Përmes urbanizimit, zhvillimit teknologjik dhe industrializimit, kombinuar kjo dhe me sistemin politik shumëpartiak dhe zgjedhjet demokratike, kapitalizmi ka prodhuar sukseset më të mëdha në historinë e njerëzimit. Madje, vetë Marksi tek Manifesti Komunist (1848) ka dhënë vlerësimet më të larta për arritjet e kapitalizmit. “Borgjezia, – shkruan ai, – përmes përmirësimit të shpejtë të të gjitha instrumenteve të prodhimit dhe duke lehtësuar ndjeshëm mjetet e komunikimit, sjell civilizim mes të gjithë kombeve, edhe tek ata më barbarët”. Por, sipas Marksit, ishte vetë suksesi i këtij sistemi, me pabarazinë në pasuri si tiparin e saj dallues, që do të sillte dhe shembjen e tij për shkak të ashpërsimit të kontradiktave klasore. Dhe mbi këtë dështim, ai projektoi lindjen e një sistemi të ri, atij socialist, që sipas Marksit, duhej të realizohej përmes dhunës revolucionare.

Këndej e ka zanafillën beteja teorike e sistemeve krejt të kundërta midis tyre, socializmit dhe kapitalizmit, betejë që në fakt kishte nisur që në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur socialistët utopistë kishin filluar të eksperimentonin në shkallë lokale dhe të kufizuar shoqërizimin e kapitalit dhe të mjeteve të prodhimit. Por, socialistët utopikë nuk kishin qenë në gjendje të ndërtonin një konstrukt social e ekonomik që t’i qëndronte kritikës dhe logjikës. Idetë e tyre ngjanin mjaft naive dhe nuk i qëndruan dot përballjes logjiko-teorike. Prandaj dhe beteja e vërtetë teorike do të zhvillohej vetëm pas gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur Marksi synoi t’u japë një veshje teorike ideve socialiste utopike. Pra, socializmin utopik ai pretendoi ta shndërronte në socializëm shkencor.

Sistemi socialist kishte ligjet e tij të veçanta, “ku ligji bazë i socializmit“ që përshkruhet në tekstet e ekonomisë politike ishte “plotësimi gjithnjë e më i plotë dhe në rritje i nevojave materiale dhe shoqërore të popullsisë përmes zhvillimit të vazhdueshëm dhe perfeksionimit të prodhimit shoqëror”. Ndër të ashtuquajtura ligje të tjera të sistemit ishte ai i “zhvillimit të planifikuar e proporcional“, “i rritjes më të shpejtë të prodhimit të mjeteve të prodhimit mbi rritjen e mjeteve të konsumit“, një praktikë që ligjëronte në fakt politikat e investimeve që rezultuan të ishin me pasoja shumë negative dhe pa asnjë bazë teorike. Sa i takon ligjit të vlerës, ai qëndronte vetëm në sferën e mallrave të konsumit. Vetë Stalini, në librin e tij “Probleme ekonomike të socializmit në Bashkimin Sovjetik” (1952), duke e pranuar veprimin e ligjit të vlerës edhe në socializëm, do të shkruante se “planifikimi qendror” nuk mund t’isi të socializmit nuk bëjnë pjesë në korpusin e ligjeve marksiste të lëvizjes nga një sistem ekonomik e shoqëror në një rend më i lartë. “Një përpjekje serioze në formulimin e ligjeve të socializmit, – nënvizon Nuti , – është bërë nga Wlodzimierz Brus në Poloni dhe Rudolf Bahro në Gjermani.”

Wlodzimierz Brus ishte ekonomist dhe funksionar politik, që do të emigronte në Britaninë e Madhe ku do të punonte në Oxford si profesor i studimeve të Evropës Lindore dhe Rusisë Moderne. Në veprën e tij më me ndikim, botuar në vitin 1961, “Probleme të përgjithshme të funksionimit të ekonomisë socialiste”, ai argumentonte se: “demokracia dhe tregu ishin të nevojshme për ndërtimin e socializmit”; faktorët politikë dhe ekonomikë në sistemin socialist janë të pandashëm. Ai do të zhvillonte idenë e kontradiktave dhe konflikteve që lindin në socializëm, si: formimi grupeve, dobësimi incentivave, tendenca monopoliste e ndërmarrjeve për shkak të centralizimi të industrisë, shfaqja e disbalancave në sferën e konsumit dhe përkeqësimi i disiplinës së punës, burokratizimi – të gjitha këto fenomene që binin ndesh me socializimin e mjeteve të prodhimit dhe rolin progresist të planifikimit ekonomik.

Ndërsa filozofi gjermano-lindor Bahro analizoi nevojën e reformave që buronin nga kontradiktat midis burokracisë qendrore të planifikimit dhe drejtuesve të ndërmarrjeve. Edhe Bahro mbronte idenë e “demokratizimit politik” të ekonomisë socialiste dhe se zhvillimi i socializmit do të çonte drejt demokratizimit të partive komuniste.

Një nga konfliktet themelore në ekonominë socialiste është ajo midis kërkesës dhe ofertës, e cila ka në themel të saj ruajtjen fikse të çmimeve dhe pagave, më saktë mungesën e fleksibilitetit të tyre për t’iu përshtatur raporteve të kërkesës dhe ofertës për të mira. Ruajtja e çmimeve të ulëta çon në mangësi të tregut për të mira dhe kërkesa e tepërt nuk zgjidhet përmes mekanizmit të çmimit, por përmes thellimit të centralizmit ekonomik. Ky konflikt themelor në sistemin socialist nuk çoi drejt reformave që mund të pajtonin raportet e kërkesë-ofertës, por përkundrazi drejt centralizimit të ekonomisë dhe racionimit të furnizimit konsumator. Përfundimisht, ai çoi drejt revoltave politike dhe vetë shembjes së sistemit.

Pritshmëria për sistemin socialist ishte se ai, përmes planifikimit qendror, do të ishte në gjendje të arrinte drejt ekuilibrit përpara se disbalancat të çimentoheshin, do të krijonte rritje më të lartë ekonomike, eficiencë dhe drejtësi sociale në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare. Ky proces arriti njëfarë suksesi deri në mesin e viteve ’70, por që më pas dështoi. Por dështimi nuk ishte thjesht për shkak të rënies së ritmeve të rritjes ekonomike. Në të vërtetë, sistemi i planifikimit qendror asnjëherë nuk ishte në gjendje të arrinte ekuilibrin makro-ekonomik dhe disbalancat e brendshme dhe të jashtme ishin një tipar permanent i sistemit. Dështimet ose ineficiencat mikro-ekonomike madje ishin gjerësisht të kritikuara më shumë nga brenda vendeve socialiste sesa nga kritikët perëndimorë. Inflacioni i fshehtë dhe papunësia e fshehtë ishin të dukshme në formën e mungesës së ndjeshme të mallrave të konsumit dhe të punësimit fiktiv. Kjo e fundit do të krijonte një dëmtim serioz afatgjatë të kulturës së punës. Nënpunësimi përmes vendeve të tepërta të punës nëpër ndërmarrje krijonte pamjen e punësimit të plotë, por në fakt produktiviteti i punës ishte në një rënie të thellë. Sidoqoftë, e vënë në balancë në konkurrencë me sistemin kapitalist, socializmi krijon më shumë punësim dhe mbrojtje më të mirë të punëtorëve.

Raporti më i suksesshëm i socializmit me objektivat e tij dhe me sistemin kapitalist ishte drejtësia sociale. Por edhe në këtë aspekt duhen trajtuar me objektivitet edhe deficienca e sistemit në krijimin e nxitjeve për më shumë investime në kapitalin njerëzor, në inovacion dhe përmirësimin e proceseve teknologjike dhe të prodhimit. Mungesa e stimujve monetarë dhe nivelet relativisht “flat” të shpërblimeve nga puna nuk ofronin nxitjet e nevojshme për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe inovacion. Gjithashtu, në kushtet e mungesave serioze për mallra konsumi për të gjithë qytetarët, filluan të krijohen shtresat e privilegjuara të “nomenklaturës” dhe diferencimi social ishte i dukshëm edhe në atë sistem.

Një nga kritikat e forta që i bëhen politikave të tranzicionit të vendeve lindore drejt sistemit kapitalist, është se ato rrënuan ndërmarrjet e trashëguara nga sistemi komunist. Kjo është një kritikë serioze dhe që meriton një projekt kërkimor të dedikuar. Por në tërësi mund të thuhet se ekonomia e trashëguar ishte thellësisht ineficiente dhe e paaftë t’i bënte ballë presioneve të konkurrencës globale. Për shembull, Hare dhe Hughes (1991) kanë demonstruar se në fillimet e tranzicionit në Republikën Ceke, Hungari dhe Poloni, gati një e katërta e eksporteve, bazuar në çmimet botërore, kishin një vlerë të shtuar negative. Japonia blinte makineri sovjetike për t’i përdorur si skrap, ndërsa alumini nga blloku sovjetik shitej me një çmim më të ulët se energjia që përdorej për shkrirjen e tij. (Nuti, 2018)

Në fundin e rrugëtimit të vet, socializmi që kishte nisur si një triumf mbi kapitalizmin, nuk arrinte të siguronte për qytetarët e vet madje as furnizimet me prodhimet bazike në ushqime e veshmbathje, pa bërë fjalë për makina apo prodhime të teknologjisë së lartë që ndesheshin me shumicë në perëndim. Një sërë përpjekjesh për reformimin e socializmit që u zbatuan në ish- vendet socialiste duke nisur që nga vitet ’50, nuk arritën të përmirësonin rezultatet e sistemit. Në thelb, arsyeja kryesore lidhej me mungesën e avantazheve themelore që siguron tregu: sinjalet që transmetojnë çmimet në tregje në shpërndarjen e burimeve. Vendosja e tregut pas shembjes së sistemit komunist krijonte premisat e kthimit të ekonomisë në ligjësitë e saj natyrore të veprimit.

Socializmi e ka nisjen e vet tek dështimet e sistemit kapitalist. Cilat ishin dështimet e kapitalizmit të cilat krijuan atë momentum të përshtatshëm të zhvillimit të një doktrine të re që do të mishërohej në sistemin socialist? Kjo na çon tek analiza e sistemit kapitalist dhe, më specifikisht, tek pyetja esenciale: A është kapitalizmi një rend i shfrytëzimit të punës? Për këtë do të nisemi nga analiza e teorisë marksiste.

Teoria e vlerës nga puna dhe mbivlera përbën thelbin e doktrinës marksiste. Edhe pse sistemi kapitalist ndryshonte nga sistemet e mëparshme dhe ishte në dukje joshfrytëzues (pasi marrëdhënia punëdhënës-punëmarrës rregullohej nga kontrata individuale në të cilën palët futen me vullnet të lirë), Marksi vlerësonte se ai bazohej tërësisht në shfrytëzimin e punës. Vlera është thjesht mishërimi i punës dhe, për pasojë, mbivlera ose fitimi kapitalist nuk ishte tjetër veçse puna e papaguar e punëtorit. Rritja e fitimeve në kapitalizëm (mbivlera, sipas konceptit marksist) nuk është tjetër veçse rritje e shfrytëzimit të punëtorëve.

Në këtë logjikë të vlerës dhe mbivlerës, Marksi i jep vlerën zero sipërmarrjes, riskut, pasigurisë, që në fakt janë motori i progresit të sistemit kapitalist. Zëvendësimi i kapitalit fiks në fakt ndodh në çdo sistem, edhe në sistemin socialist. Ndërmarrjet shtetërore dhe në sistemin socialist llogarisnin të ardhurën neto të ndërmarrjes që së bashku me fondin e amortizimit përdoreshin për zëvendësimin teknologjik dhe investime të reja në shtimin e kapitalit fiks në ekonomi. Ndërsa e ardhura neto e centralizuar e shtetit shërbente si instrument i rialokimit të burimeve midis sektorëve të ekonomisë. Këtë rol në ekonominë kapitaliste e luan fitimi kapitalist, dhe për analogji, nuk mund të quhet shfrytëzim kapitalist i gjithë fitimi. Pra, termi “shfrytëzues“ mund të kufizohej vetëm në konsumin e kapitalistit dhe jo në të gjithë fitimin kapitalist. Por Marksi në analizën e tij nuk bënte asnjë dallim midis pjesës shfrytëzuese dhe joshfrytëzuese të fitimit kapitalist. «Akumulo, akumulo! Ky është Moisiu dhe profetët e sistemit kapitalist!» (Kapitali, vëllimi 1, kapitulli 24). Në fakt akumulimi me çdo çmim e me çdo kusht u shndërrua në një moto kryesore të pasuesve marksistë, siç e thotë ekonomisti anglez, Hicks.

Marksi e shikon sistemin kapitalist si anarkik dhe jostabël, që do të gjenerojë kriza ekonomike, deri sa do të çonte në shembjen e sistemit. Ajo që Marksi nuk mban sërish në konsideratë është axhustimi automatik që ndodh në sistemin kapitalist. Procesi i axhustimit ndodh në afatin e shkurtër, sipas modelit të Leon Walras: për një nivel të caktuar të prodhimit, çmimi rritet apo bie në varësi të luhatjes së kërkesës. Në afatin e mesëm, sipas modelit Marshallian: ndryshimet në nivelet e prodhimit reflektojnë përshtatjen e nivelit të çmimeve me kostot marzhinale të prodhimit dhe efektin zinxhir të ndikimit të kërkesës për inpute në të gjithë zinxhirin ekonomik. Në afatin e gjatë, ndryshimet në kapacitetet prodhuese axhustohen në raport me ndryshimet në stokun e kapitalit fiks, sipas pritshmërive që kanë ndërmarrjet mbi kërkesën e ardhshme për prodhim, pra duke shtuar kapitalin fiks ose duke mos e zëvendësuar kapitalin e amortizuar. Pikërisht përmes këtij mekanzimi të axhustimit automatik, rregullohen nivelet e çmimeve dhe sasive të prodhimit, transaksionet ndërsektoriale dhe kapacitetet prodhuese të ekonomisë në tërësi. Për analogji, ky proces axhustimi automatik ndodh njësoj si termostati i kontrollit të temperaturës së dhomës. Duhet bërë një parantezë këtu: kjo logjikë nuk funksionon në tregjet financiare, ku euforia dhe sjelljet e turmës mund të marrin përmasa të tilla që e bëjnë korrektimin dhe rikthimin në ekuilibër një proces shumë të kushtueshëm, siç e kanë demonstruar qartë krizat e fundit financiare.

Ajo që në sistemin ekonomik kapitalist ndodh përmes këtij procesi automatik të axhustimit të luhatjeve të variablave, në sistemin socialist kryhet përmes planit qendror të shtetit. Pyetja këtu shtrohet nëse shteti e kryen këtë proces axhustimi në mënyrë më eficiente sesa vetërregullimi nga forcat e tregut.

Një përgjigje serioze të kësaj pyetje e gjejmë tek dy veprat e rëndësishme të Friedrich von Hayek, “Ekonomiksi dhe dija“ (1937) dhe “Përdorimi i dijes në shoqëri” (1943), dy vepra që do t’i jepnin atij çmimin Nobel në ekonomi në vitin 1974. Hayek argumenton se dija mbi kërkesën për një produkt është gjerësisht e përhapur tek çdo konsumator, prandaj dhe çmimi i tregut është bartësi kryesor i informacionit që orienton alokimin e burimeve të rralla në ekonomi.

“Karakteri specifik i problemit të rregullimit racional të ekonomisë përcaktohet pikërisht nga fakti se dija mbi rrethanat prej të cilave ne duhet të nisemi, kurrë nuk ekziston në një formë të koncentruar apo të integruar, por është një dije e shpërndarë në copëza të paplota dhe shpeshherë kontradiktore që zotërohet nga moria e individëve të veçantë. Prandaj dhe problemi ekonomik i shoqërisë nuk është thjesht se si të shpërndajë burimet «e dhëna» – nëse «e dhënë» nënkupton të dhëna të një mendjeje të vetme e cila e zgjidh në mënyrë të kujdesshme problemin që ofrojnë këto «të dhëna». Problemi është se si të sigurojmë përdorimin sa më të mirë të burimeve që njihen nga secili anëtar i shoqërisë, për qëllime, rëndësinë relative të cilës e dinë vetëm këta individë. Thënë shkurt, është problemi i shfrytëzimit të dijes që askush nuk e zotëron në totalitetin e vet.“

Pra, problemi i ndërtimit të një modeli optimal të shfrytëzimit të burimeve ekonomike nuk është në thelb një problem matematikor i optimizimit që mund të zgjidhet nga një “planovik“, por i dijes mbi kërkesën në raport me një nivel të dhënë të çmimit, një informacion që gjendet te moria e konsumatorëve të përhapur në të gjitha tregjet. Në këtë kuptim, ai që mund të realizojë më mirë këtë planifikim është thjesht tregu.
Megjithatë, në një qëndrim kritik ndaj kësaj qasjeje duhet nënvizuar se miti që kapitalizmi siguron eficiencën e plotë, në kuptimin paretian të fjalës (që është e pamundur të prodhohet një njësi më shumë e një produkti pa sakrifikuar një njësi të një produkti tjetër alternativ dhe se do të jetë e pamundur të rrisim dobinë e një individi pa sakrifikuar dobinë e dikujt tjetër), nuk qëndron tërësisht. Tregjet janë të paplota ose disa nuk ekzistojnë, konkurrenca perfekte është kryesisht një konstrukt teorik më shumë sesa një realitet, asimetria e informacionit luan një rol në marrjen e vendimeve të investimit, eksternalitetet vazhdojnë të jenë prezente në shoqëri dhe në botën e sotme, sundojnë pritshmëritë dhe jo çmimet. (Nuti, 2018) Në veçanti, tregjet e punës janë shumë të ndryshme në krahasim me inputet e tjera të prodhimit.

Shqetësim serioz ekziston veçanërisht në raport me ndarjen e të ardhurës së krijuar, edhe në kushtet e eficiencës së plotë të tregjeve. Për më tepër, kur pasuria është shpërndarë në fillimin e vet nga faktorë joekonomikë, atëherë konflikti midis eficiencës dhe drejtësisë bëhet mjaft serioz dhe mund të rrezikojë kohezionin social. Historia ka treguar se zhbërja e pabarazive të mëdha të krijuara ka kaluar përmes tronditjeve të mëdha sociale dhe revolucioneve. Fatmirësisht në epokën tonë moderne reduktimet e varfërisë janë arritur përmes përmirësimeve institucionale, por sërish nuk ka garanci se në afat të gjatë historia të mos përsëritet nëse kjo çështje nuk merret me po aq seriozitet me të cilën është marrë problemi i varfërisë.

Por me gjithë dështimet dhe mangësitë e tij, çfarë ka arritur sistemi kapitalist gjatë shekujve, veçanërisht gjatë shekullit të fundit? A është bota më e mirë apo më e keqe?
Duke iu referuar statistikave të ndërtuara nga Agnus Madison, paraqitja grafike e disa prej treguesve kryesorë të ekonomisë, si: të ardhurat për frymë, varfëria dhe pabarazia dëshmojnë se bota kurrë nuk ka qenë më e begatë, me nivele kaq të ulëta të varfërisë dhe me pabarazi që janë zvogëluar, edhe pse gjatë tre-katër dekadave të fundit fenomeni ka filluar të marrë një prirje të një rritjeje të fortë.

Vendet që ndoqën modelin kapitalist të zhvillimit përjetuan një rritje eksponenciale të prodhimit për frymë. Në vendet e kapitalizmit liberal amerikan, të ardhurat për frymë u rritën me rreth 21 herë në periudhën 1820-2017 (nga 2,513 $ në vitin 1820, në 52,517 $ në vitin 2017). Në vendet e Evropës Perëndimore, ato u rritën me 17 herë (duke arritur në mesatarisht 39,257$ nga 2,307$) ndërsa në vendet e Europës Lindore u rritën me 25 herë (duke arritur në 20,116$ nga 818$). Nga grafiku dalin në pah dhe diferencat midis sistemit ekonomik kapitalist dhe atij socialist gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, ku duken qartë ritmet shumë më të lartë të rritjes që kishte krijuar sistemi kapitalist.

Edhe në rastin e Shqipërisë, grafiku që pasqyron prodhimin kombëtar për frymë (në USD, sipas paritetit të fuqisë blerëse, me çmimet e vitit 2011) që prej mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, vitet pas shembjes së sistemit socialist flasin qartë për një rritje impresionuese të të ardhurave.

Kjo rritje e fortë ekonomike ka funksionuar për të gjithë shoqërinë globale, me përjashtim të Afrikës Subahariane ku zhvillimet ekonomike e sociale mbeten problematike, për shkak të keqqeverisjeve dhe luftërave civile.

Treguesit e varfërisë janë përmirësuar në mënyrë dramatike, veçanërisht pas viteve 2000. Së pari varfëria ekstreme ka rënë ndjeshëm. Nga rreth 50% e popullsisë botërore që në fillimet e viteve 1980 jetonte në varfëri ekstreme (me nën 1.9$ në ditë), në vitin 2015 ky tregues ka rënë në vetëm 10%. Në vitin 1990, 1,9 miliardë banorë jetonin në kushtet e varfërisë ekstreme ndërsa në fund të vitit 2018 kjo shifër ishte 680 milionë banorë.

Progres i madh është arritur dhe në reduktimin e varfërisë relative (me të ardhura më pak se 3.1$ në ditë), veçanërisht në vendet me të ardhura të larta të mesme. Në këtë grup vendesh bën pjesë dhe Shqipëria, por që fatkeqësisht në këtë tregues vendi ngjason më tepër me grupin e vendeve me të ardhura të mesme të ulëta, pasi varfëria relative në Shqipëri përfshin gati 40% të popullsisë.

Një studim i Milanovic, Lindert dhe Williamson (2007), përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes nëse pabarazitë në epokën pas Revolucionit Industrial janë thelluar krahasuar me epokën paraindustriale. Duke u bazuar në tabelat sociale (të cilat William Petty i quante si Aritmetika Politike), autorët konkludojnë mbi pabarazitë në 14 shoqëri paraindustriale, që nga Perandoria Romake në shekullin 14 AD, në Bizantin e vitit 1000, Anglinë e vitit 1688, Spanjën e Re në vitin 1790, Kinën e vitit 1880 dhe Indinë britanike të vitit 1947. Autorët kanë ndërtuar vijën e kufirit të pabarazisë dhe kanë vendosur vendet respektive bazuar në treguesin e pabarazisë në të ardhura sipas koeficientit Gini dhe nivelit të të ardhurave për frymë. Kurba e pabarazisë kufi tregon nivelin maksimal të pabarazisë që mund të përvetësonin të pasurit dhe përkundrejt kësaj vije vendosen indikatorët e pabarazisë të llogaritura si treguesit e vëzhguar.

Siç paraqitet në grafik, epoka parainduatriale është karakterizuar nga një nivel më i lartë i pabarazisë; duket se ka një klasterim të vendeve afër kurbës së pabarazisë kufi. Ndërsa Anglia e vitit 1668 dhe e fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe Mbretëria e Napolit (1881) duken shoqëri shumë egalitare. Franca dhe Hollanda, për shembull, duket se kanë patur një nivel shumë më të lartë të pabarazisë se në ditët e sotme.
“Historia, – konkludojnë autorët, – ofron dy përfundime të qarta mbi këtë çështje. Së pari, pabarazia në të ardhura gjatë gjithë jetës midis individëve ka qenë gjithnjë më e lartë se pabarazia midis të ardhurave matur me të ardhurat vjetore. Së dyti, pabarazia e matur me të ardhurat e fituara gjatë jetës ka ardhur në një rënje të fortë në masën që pesë shekujt e përmirësimeve në jetgjatësinë e individëve, ishin në një masë të madhe rrjedhojë e rënjes së vdekshmërisë foshnjore.”

Treguesit e pabarazisë sigurisht që kanë njohur një ulje të theksuar që nga epoka industriale dhe deri në fundin e viteve ’80 të shekullit të kaluar. Por, siç vërehet nga grafiku më poshtë, në vendet anglishtfolëse rritja e pabarazive ka filluar t’i afrohet niveleve të larta të botës së fillimit të shekullit të njëzetë, ndërkohë që në Europën Kontinentale ky tregues mbahet nën kontroll. Duket një rritje e lehtë e pabarazisë në disa vende të BE-së, por Hollanda dhe vendet nordike, për shembull, kanë arritur një shoqëri shumë më egalitare së pjesa tjetër e kontinentit. Kështu, 1% i popullsisë së pasur merr një të pestën e të ardhurave në SHBA, por rreth 6-7% të së ardhurës vjetore në Holandë dhe vendet nordike dhe rreth 10% në vendet e tjera Evropiane.

Sipas Oxfam (2018), dy të tretat e pasurisë në 2,043 miliarderëve (matur me USD) janë rezultat i trashëgimisë, monopoleve dhe kronizmit. Edhe ardhja në pushtet e miliarderëve në shumë vende të botës shihet si një evidencë e korruptimit të proceseve demokratike që është shkaktuar nga pabarazitë në rritje.
Fatkeqësisht pabarazitë kanë ardhur në rritje dhe në Shqipëri. Si indikatorët që masin shpërndarjen e të ardhurave edhe perceptimet e publikut flasin për një rritje serioze të pabarazive. Për më tepër, publiku percepton se vetë proceset e krijimit të pasurisë kanë qenë të pandershme. Kjo gjendje e gjërave në shoqërinë e sotme bën thirrje për reformimin e sistemit të sotëm politik, për një balancim më të mirë të interesave midis grupeve sociale dhe më shumë etikë në praktikën e qeverisjes ekonomike.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit