10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Hidhet gurthemeli i centralit të parë bërthamor të Turqisë

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin nëpërmjet një video konference në Ankara morën pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit të centralit të parë bërthamor të Turqisë Akkuyu në provincën jugore Mersin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, presidenti turk Erdoğan tha se hedhja e gurthemelit të Centralit Bërthamor Akkuyu është moment historik për zhvillimin e Turqisë dhe bashkëpunimin me Rusinë në fushën e energjisë.

Presidenti turk theksoi se me funksionalizimin e reaktorit të parë të centralit në vitin 2023, Turqia do të hyjë në mesin e vendeve që përdorin energji bërthamore.

“Me funksionalizimin e reaktorit të parë të Centralit Bërthamor Akkuyu në vitin 2023, Turqia do të hyjë në mesin e vendeve që përdorin energji bërthamore. Në këtë mënyrë, 100-vjetorin e themelimit të republikës sonë do ta kurorëzojmë me një vepër historike në fushën e energjisë”, tha Erdoğan.

Aktualisht në botë funksionojnë 450 cenrale bërthamore në 31 shtete, kurse 55 janë në fazën e ndërtimit.

Presidenti Erdoğan po ashtu theksoi se vendi i tij është i vendosur të vazhdojë rritjen e bashkëpunimit me Rusinë në çështjet rajonale.

Nga ana tjetër, presidenti rus Putin deklaroi se centrali bërthamor turk Akkuyu do të jetë i sigurtë dhe ekologjik.

“Ky projekt inovativ është maksimalisht i vlefshëm dhe i rëndësishëm”, tha Putin, duke shtuar se me këtë central po krijohet sektor i ri në Turqi.

“Ky është hap i ri. Është shkallë e re në zhvillimin e ekonomisë turke”, tha presidenti rus.

Pas fjalimeve të dy liderëve, Erdoğan kërkoi nga ministri i Zhvillimit i Turqisë Lütfi Elvan të shtypë butonin për hedhjen e gurthemelit.

Në ceremoni të pranishëm ishin zyrtarë të lartë shtetërorë të Turqisë, përfshirë ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Energjisë Berat Albayrak, ministri i Zhvillimit Lütfi Elvan dhe ministra të tjerë, shefin e ushtrisë turke Hulusi Akar, si dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalın.

Ndërkaq, në delegacionin rus po ashtu morën pjesë një numër i madh ministrash, përfshirë ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov, si dhe përfaqësues nga sektori i energjisë.

Ceremonia u zhvillua pasi Erdoğan paraprakisht priti me ceremoni zyrtare homologun rus Putin në Kompleksin Presidencial në Ankara.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit