24.4 C
Pristina
Monday, September 9, 2024

Hafiz Myrteza Vuci (1891-1954)

Më të lexuarat

 

Lindi në vitin 1891 në një familje me tradita të mëdha besimi. Fëminia e tij qe e vështirë, meqë i ati, Abdyl Vuci e la të vogël jetim…

Hyrja në xhami e një djaloshi me pasion si edhe nga gjallëria e tij, bëri që Hafiz Këlmendi[1] të interesohej që pas mejtepit, që ky djalë kishte mbaruar, të vazhdonte shkollën… Në vitet 1912 e më vonë ai gjendet imam në xhaminë e Pazarit të vjetër (xhamia afër kalasë)… Niveli i tij i lartë kulturor, duke zotëruar mirë gjuhën arabe dhe turke, bëri që ai të dallohet për ngritjen e tij në kulturën islame. Janë të freskëta në kujtesën e besimtarëve, sidomos Mevludet apo kur bënte vasë me atë zërin e tij karakteristik… Sëbashku me shokët e tij si Hafiz Sulejman Gavoçi, Hafiz Man Durrësi…, etj., i jepnin gjallëri festave fetare… Në vitin 1954 ai vdes në Tiranë, ku i bëhet edhe varrimi”.[2]

Gjurmë të kaligrafisë artistike arabe me dorën e Hafiz Myrteza Vucit

Ndër gjurmët më interesante që ka lënë pas Hafiz Myrteza Vuci, në artin e shkrimit të arabishtes, është edhe shkrimi i ermit të tij, shoqëruar me emrat e disa prej prejardhësve të tij, duke na ofruar në këtë mënyrë një pjesë të rëndësishme të pemës gjenealogjike të fisit të tij. Kështu, mbi sipërfqen e një prej librave në posedim të tij, ai shënon: “Myrteza ibn Abdull-llah ibn Mustafa ibn Hamza ibn Bekr Vuci”, pra: Myrteza Abdullah Mustafa Hamza Beqir Vuci.

Ndër gjurmët interesante të shkrimeve arabe, me dorën e Hafiz Myrteza Vucit, është edhe tabela në të cilën është shkruar besmeleja, d.m.th: “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim”. Në këtë tabelë[3] shihet qartë tendenca e shkruesit të saj për të krijuar një pamje artistike nëpërmjet shkronjave të kësaj fjalie të shenjtë. Karakteristikë të këtij shkrimi janë: forma standarte e pikëzimit dhe e vokaleve, zbukurimi i fjalisë nëpërmjet zgjatjes së shkronjave “r” dhe “m”. Poashtu shihet qartë forma e bukur që i është dhënë emrit të madhëruar: “All-llah”, si dhe zbukurimi me anën e tre dyzueseve (shedde) dhe dy rrokësave të lehtë (sukun).

Me shkrimin e H. Myrteza Vucit, në gjuhën arabe, është shkruar edhe duaja e bukës. Veçoritë e saj janë titulli në gjuhën turke: “Ekmek duasi” – (duaja e bukës) dhe shkrimi i saj në gjuhën arabe. Shkrimi është i rrjedhshëm, i qartë dhe i kompletuar me vokalet përkatëse. Në tekstin e kësaj duaje shënohet: “Elhamdu lil-lahil-ledhi et’amena ve sekâna ve xhealena minesh-shakirín. Ve rahmetull-llahi ve berekatuhu ala sahibit-taâmi vel-akilín. All-llahumme zid ni’metena minel-halali ve la tenkus bihurmtil-fatiha”, që mund të përkthehet kështu: “Falënderimet i takojnë All-llahut, i Cili na ushqeu dhe na dha të pijmë dhe na bëri prej falënderuesve. Mëshira dhe begatitë e All-llahut qofshin mbi të zotin e këtij ushqimi dhe mbi ata që u ushqyen. O Zot na e shto begatinë prej hallallit dhe mos na e pakëso, për hatër të Fatihasë”.

Libra të Hafiz Myrteza Vucit, të gjetur në bibliotekën e mbetur të Hafiz Qamil Tresit

Teksa punoja për inventarizimin dhe evidentimin e librave të mbetur nga biblioteka e Hafiz Qamil Tresit (1922-1988), pata mundësinë të prek nga afër një pjesë të librave të Hafiz Myrteza Vucit, që kishin kaluar në posedim të Hafizit nga Tetova. Në kontaktet e mia me familjarët e H. Myrteza Vucit, në Shkodër, kam mësuar se pasi kishte ndërruar jetë, disa nga hoxhallarët e Shkodrës dhe talebet e tyre, kishin ardhur në shtëpinë e hoxhës, për të blerë librat e tij.

Librat e Hafiz Myrteza Vucit, të mbetur në bibliotekën e Hafiz Qamil Tresit, janë këto:

Broshura e titulluar: “Risaletul-Kur’ani vel-Hadith”[4], arabisht, vasë,

Fletore me ushtrime feraidi[5], arabisht,

Libër me hytbe[6] dhe tematikat e tyre, osmanisht,

Libri: “Emthiletu sherhi Iskixhi Zade”[7], 280 faqe, morfologjinë arabe,

Libri: “Kashiful-kinai ven-nikab bi-izaletish-shubheti an vexhhi kavaidil-i’rab”[8], gramatikë arabe,

Libri: “Kavaidul-i’rab”[9], gramatikë arabe,

Libri: “Xhemal alel-Xhelal ve Sejalikuni alel-Xhelal”[10], arabisht,

Libri: “Xhem’ul-vuxhuhil-leti min suretid-Duha ila evvelil-Bekareti lil-eimmetil-ashere”[11], arabisht, kiraetet e Kur’anit,

Molla Ali hanefiu, “Mirkatul-mefatíh sherhu mishkatil-mesabíh”[12], vëllimi i 1- rë, arabisht,

Shejkh Ebu Amr Othman ibni Omer, i njohur si Ibnun-Nahvi el-Maliki , “Metnu kafije”[13], 208 faqe, gramatikë arabe,

——————————————————————————–

[1] Duke iu referuar të dhënave të këtij materiali, ku H. Myrteza Vuci prezantohet si nxënës i “Hafiz Këlmendit”, mendoj se bëhet fjalë për Hafiz Jusuf Abdullah Këlmendin (1876 – 1943), duke parë edhe miqësinë Hafiz M. Vucit me H. Sulejman Gavoçin, për të cilin dijmë se ka marrë ixhazet nga hoxha i lartpërmendur, sikurse e kam bërë të ditur kur kam shkruar për dy hoxhallarët në fjalë. (M. S.)

[2] I.M., “40 vjet në shërbim të Islamit”, në gazetën “Drita Islame”, Tiranë, viti i III i botimit, nr. 13 (56), shtator, 1994, fq. 3.

[3] Bëhet fjalë për pjesën e brendshme të një kopertine libri. (M.S.)

[4] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit.

[5] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit.

[6] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit.

[7] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit dhe shënimin: “20 mars 1328, 70 grosh”.

[8] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit.

[9] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit.

[10] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit.

[11] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit dhe shënimin e tij: “Viti 1341”.

[12] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit dhe shënimin e H. Qamil Tresit: “I blerë 1000 lekë”.

[13] Mban nënshkrimin e Hafiz Myrteza Vucit.

Përgatiti: Muhamed SYTARI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit