Grykësi institucionale

0
53

Nëse do t’u jepeshin paratë, çmimi i një aparati për fotokopje, për Prokurorinë e Shtetit, do të ishte 20 mijë euro. Për kabinetin e Ministrit Enver Hoxhajt janë planifikuar të blihen 260 mijë euro mobile, pa llogaritur edhe 16 mijë të tjera për kompjuterë. Këto janë vetëm disa nga planifikimet e shpenzimeve që në total arrijnë 286 milionë euro, të hartuara nga të gjitha institucionet e vendit vetëm për tre muajt e parë të këtij viti.

Rrafsh 260 mijë euro janë parashikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për blerjen e mobileve, vetëm për kabinetin e ministrit Enver Hoxhaj, shkruan “Express”.

Për tre muajt e parë të këtij viti, në përgjithësi, pa llogaritur pagat e mëditjet e zyrtarëve të saj, kjo ministri ka bërë plan të harxhojë më shumë se 2 milionë e 200 mijë euro, por prej të cilave në dispozicion i ka pak më shumë se 1 milion euro.

Bazuar në raportin zyrtar tremujor të shpenzimit të buxhetit të siguruar nga “Express”, e të hartuar nga Ministria e Financave, del se aq shumë pajisje teknologjike kishte planifikuar të blejë ky dikaster, sa duket sikur dëshiron t’i bëjë konkurrencë edhe Qendrës Amerikane për Kërkime në Gjithësi.

Për tre muaj, përveç parave për mobile të kabinetit Hoxhaj, sërish për të njëjtin kabinet, kjo ministri kishte parashikuar të harxhojë edhe 16 mijë euro të tjera në blerjen e pajisjeve kompjuterike, prej të cilave në dispozicion i ka vetëm 7 mijë e 500 euro.

Përveç tyre, MPJ-ja ka menduar sërish të harxhojë edhe 336 mijë e 500 euro për të blerë “pajisje të tjera teknologjike”, por pa treguar se për çfarë bëhet fjalë. Paratë për këtë ajo i ka të zotuara. /Telegrafi/kohaislame