16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Franca mund të kërkojë rivendosjen e vizave me Shqipërinë

Më të lexuarat

Franca mund të kërkojë rivendosjen e vizave me Shqipërinë në rast se azilkërkuesit vijojnë të abuzojnë me mikpritjen e vendit.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme Franceze të publikuara në të përditshmen Le Figaro, Shqipëria mban vendin e parë të numrit të azilkërkuesve për vitin 2017.

Duke filluar nga janari i këtij viti, 7,256 shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për azil në Francë, një shifër 178,9% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shqipëria renditet kështu përpara vendeve si Afganistani apo Siria, të cilat janë të përfshira nga luftërat civile.

“Për të kontrolluar situatën, Parisi është detyruar të kërkojë për Shqipërinë të njëjtat klauzola mbrojtëse që kërkoi për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: një rivendosje të vizave në rast të abuzimit me mikpritjen,” shkruhet në të përditshmen franceze.

Sipas gazetës Le Figaro, të paktën 3 avionë kanë mbërritur nga Franca në Tiranë këtë verë, me shqiptarë të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil.

Situata paraqitet tepër shqetësuese dhe ministri i brendshëm francez Gerard Collomb është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse ku azilkërkuesit shqiptarë paraqesin probleme.

Referuar edhe Holandës, Franca sheh me shqetësim edhe aktivitetin kriminal në rritje të grupeve shqiptare. Sipas të përditshmes Le Figaro, disa shqiptarë e kërkojnë azilin si pasojë e Kanunit.

Ky komunitet vulnerabël rrezikohet nga trafiku i qenieve njerëzore e prostitucioni, teksa shqiptarët që mbërrijnë masivisht në Francë mbështeten nga grupe të fuqishme mafioze.
Shkëmbimet diplomatike mes Parisit dhe Tiranës lidhur me këtë çështje po intensifikohen, mbyll artikullin Le Figaro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit