9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Feith: Veriu s’mund t’u lihet vetëm ndërkombëtarëve

Më të lexuarat

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith, ka bërë të ditur se 10 shtatori do të jetë dita më e lumtur e tij në krye të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), për shkak se në këtë ditë e përfundon misionin në Kosovë. Thotë se këtë dëshirë e ka pasur që prej se ka ardhur në Prishtinë. Të mos qëndrojë gjatë. Të kryejë detyrat, të arrijë objektivat dhe të përfundojë misionin. Gjatë katër vjetëve e gjysmë në krye të misionit që ka mbikëqyrur zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, sipas tij, ka pasur të arritura, por edhe zhgënjime.

“Zhgënjyese është që nuk kemi mundur të bëjmë më shumë përparim në veri, padyshim, dhe zhgënjimi tjetër është se nuk kemi mundur të përmirësojmë gjendjen socio-ekonomike në këtë vend”, ka thënë Feith, në intervistën lamtumire për “Kohën Ditore”.

Mirëpo nuk ka pranuar që çështja e veriut të cilësohet si dështim. “Nuk është dështim, por është pjesë e sfidave me të cilat Kosova ende ballafaqohet”, ka deklaruar ai.

Feith e ka vlerësuar si të gabuar qasjen që veriu të zgjidhet nga ndërkombëtarët, ngase sipas tij këtë mund ta bëjë vetëm Qeveria dhe shumica shqiptare duke ia shtrirë dorën e pajtimit komunitetit serb, sikurse që ka ndodhur në jug. “Shumë njerëz në Kosovë duhet ta kuptojnë se shumica serbe në veri ende shikojnë kah Beogradi dhe jo nga Prishtina, apo Brukseli, apo Uashingtoni. Ata shikojnë vetëm kah Beogradi. Dhe kjo mund të ndryshojë. Por duhet punë e durim nga komuniteti shqiptar dhe institucionet”, është shprehur ai. Gjithashtu ka shfaqur besimin se “në Beograd, ka mundësi që të fryjë erë tjetër”. Feith beson se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të vazhdojë, për të qartësuar të gjitha dilemat mes dy vendeve dhe beson se brenda pak ditësh baronesha Ashton do t’i japë porositë e qarta edhe kryeministrit Thaçi, edhe homologut të tij serb, Daçiq.

Megjithëse ka pasur fuqi të ‘mbretit’, Feith nuk i ka ushtruar asnjëherë kompetencat ekzekutive të tij, ani pse e përmend se është ballafaquar me sfida të shumta dhe zyrtarë që nuk e kanë respektuar ligjin. Shefi i ICO-s thotë se gjatë mandatit të tij ka tentuar që të mos veprojë si administrator ndërkombëtar dhe se përgjegjësitë kryesore ua ka lënë autoriteteve vendore. “Nëse Kosova dëshiron të përmirësojë qeverisjen e saj dhe të përgatitet në mënyrë të duhur për anëtarësim në BE, kam menduar se është më mirë që përgjegjësitë të ushtrohen nga Qeveria dhe jo nga unë”, ka theksuar Feith, i cili megjithatë ka pohuar se do të dëshironte të shihte sanksione ligjore ndaj kryetarëve të komunës së Prizrenit dhe atij të Rahovecit, për mosbindje ndaj ligjeve dhe instruksioneve të Qeverisë.

Po ashtu insiston se nuk ka pasur improvizime gjatë zbatimit të Pakos së Ahtisaarit dhe se vetëm në raste të veçanta është tentuar që të gjenden alternativa funksionale.

Mbyllja e ICO-s, sipas tij, nuk e lë “jetime” Kosovën, përballë UNMIK-ut e EULEX-it, që janë neutrale ndaj statusit. “Jeni shumë fatlumë me partnerët, si SHBA-ja dhe BE-ja, që kanë këshilla të shumta dhe mençuri për ecjen e mëtutjeshme”, ka thënë ai .

Në intervistën e fundit Feith ka folur edhe për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, sundimin e ligjit, reformat që duhen zbatuar dhe demokracinë që duhet fuqizuar. Po ashtu ka sqaruar aspekte të zbatimit të Planit të Ahtisaarit, rolin e tij si ICR dhe EUSR, ka komentuar qëndrimet e shoqërisë civile sikurse edhe përshtypjet personale nga shërbimi disavjeçar në Kosovë.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit