14.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Erdoğan: Linja hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars vepër e vendosmërisë sonë

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në inagurimin e linjës hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars tha se prurjet e një linje të tillë në rajonin tonë nuk do të jenë vetëm ekonomike, porse projekti nga pikëpamja politike do të sjellë edhe paqe, siguri, stabilitet dhe mirëqenie sociale, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e hapjes së “Linjës Hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars (BTK)” në Portin Alat, rreth 90 kilometra nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku.

Krahas presidentit Erdoğan dhe bashkëshortes së tij Emine Erdoğan, në ceremoni morën pjesë edhe presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, kryeminisri i Kazakistanit Bakytzhan Sagintayev, kryeministri i Uzbekistanit Abdulla Aripov dhe kryeministri i Gjeorgjisë Giorgi Kvirikashvili.

Në fjalën e tij me rastin e inagurimit, Erdoğan e cilësoi projektin si hap shumë të rëndësishëm të periudhës në të cilën ndodhemi.

“Me këtë ceremoni po vendosim në shërbim një prej hallkave të iniciativës së Rrugës së re të Mëndafshit, e cila është nisur me objektivin për të lidhur Azinë, Europën dhe Afrikën me njëra-tjetrën. Me realizimin e udhëtimit të parë të linjës hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars është përfunduar baza më e rëndësishme e projektit të korridorit të mesëm. Në këtë mënyrë shpallim se është formuar edhe linja e pandërprerë hekurudhore nga Londra për në Kinë. Ky projekt, i cili është vepër e vendosmërisë dhe vizionit tonë, është një sukses i përbashkët i joni”, tha presidenti i Turqisë.

“Ky projekt është me të vërtetë i vlefshëm për shkak se është arritur me mundim, me përkushtim, me djersën e ballit. Në emër të vendit dhe popullit tim, uroj nga Allahu që ky projekt të jetë në të mirë të gjithë rajonit tonë dhe për popujt tanë”, është shprehur ndër të tjera Erdoğan

Erdoğan bëri të ditur se kapaciteti i linjës në vitin 2024 do të arrijë në tre milionë udhëtarë dhe 17 milionë tonë ngarkesë mallrash, duke vënë në dukje se kjo do të ulë në masë të madhe kostot e transportit të mallrave.

Duke theksuar se prurjet e linjës nuk do të jenë vetëm ekonomike, Erdoğan tha: “Projekti nga pikëpamja politike do të sjellë paqe, siguri, stabilitet dhe mirëqenie sociale, ndërsa gjithashtu do të kontribuojë edhe në zhvillimin njerëzor të vendit tonë përmes lëvizshmërisë së informacionit, njerëzve dhe të mallrave. Si shtete të vjetra në rajon, ne mund të nënshkruajmë projekte shumë më të mëdha për sa kohë që veprojmë në solidaritet dhe bashkëpunim. Projektet si Baku-Tbilisi-Kars, Baku-Tbilisi-Xhejhan, Baku-Tbilisi-Erzurum dhe TABAP, që i kemi funksionalizuar deri më sot, janë një garanci e projekteve tona të ardhshme”.

Ndryshe, e cilësuar si “Hekurudha e Mëndafshit”, linja hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars është e gjatë gjithsej 838 kilometra, prej të cilave 76 kilometra shtrihen në Turqi, 259 në Gjeorgji dhe 503 kilometra në Azerbajxhan.

Me funksionalizimin e linjës do të mundësohet transporti i pandërprerë hekurudhor nga Londra për në Pekin. Projekti parasheh që mallrat që nisen nga Kina të arrijnë në portin Alat të Bakut përmes Detit Kaspik nga Kazakistani dhe Turkmenistani, ndërsa prej aty në Evropë përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë.

Hekurudha BTK do të jetë një alternativë e rëndësishme e transportit në rajon, ndërkohë që Turqia si partner i projektit, me linjën e saj Marmaray, parashihet të ketë rol të rëndësishëm në trafikun hekurudhor mes Kinës dhe Evropës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit