16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Erdogan: “A ka diçka njerëzore dhe humane në atë që po ndodh në Gutën Lindore?”

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se po përpiqen të shpëtojnë jetën e çdo të pafajshmi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne pa asnjë parakusht përpiqemi të shpëtojmë jetën e çdo të pafajshmi, teksa njësitë e rojës bregdetare të vendeve evropiane i shpojnë gomonet e refugjatëve në det dhe i braktisin ata në vdekje”, tha Erdoğan gjatë një fjalimi në takimin e grupit të partisë së tij në Parlamentin e Turqisë.

Pasi bëri të ditur se grykat e të gjitha armëve në Afrin janë në drejtim të Turqisë, presidenti Erdoğan tha se: “Korridori terrorist, për të cilin janë bërë përpjekje që të vendoset përgjatë kufijve të vendit tonë, dhe arritja në masë të madhe e një marrëveshjeje me regjimin mund të kenë një objektiv të vetëm dhe ajo është Turqia. Të gjitha fortifikatat, të gjitha kurthet, të gjitha grykat e armëve në vendet që ne kemi marrë nën kontroll në Afrin, fatkeqësisht janë të kthyera në drejtim të vendit tonë”.

Ai më tej kritikoi OKB-në për mosndalimin e masakrës në Gutën Lindore.

“A ka diçka njerëzore dhe humane në atë që po ndodh në Gutën Lindore? Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara merren vendime, por çka vlejnë ato. Çfarë rëndësie ka vendimi i cili nuk zbatohet? Ju po gënjeni, mashtroni njerëzimin. Prandaj edhe e përsëris se bota është më e madhe se pesë anëtarët e përhershëm të KS-OKB-së”, tha Erdoğan.

Presidenti turk gjithashtu potencoi edhe vizitën e tij në vendet afrikane në Algjeri, Mauritani, Senegal dhe Mali duke shtuar se këto vizita kanë qenë shumë të rëndësishme.

“Këto vende në një kohë të shkurtër ia kanë dorëzuar shkollat e FETO-s Fondacionit tonë Maarif dhe sinqeritetin e tyre e kanë treguar jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. Me këto vizita, një tjetër fakt që unë kam parë është dëmi në kohë dhe akumulim që FETO ka shkaktuar për vendin tim në Afrikë”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan në vijim shtoi se “Ne po përpiqemi të formojmë nga fillimi të gjitha marrëdhëniet dhe të fshijmë të gjitha dëmet që ka shkaktuar kjo strukturë e cila nën emrin e Turqisë dhe flamurin turk u ka shërbyer forcave të tjera. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë afrikanë me institucionet tona si TIKA, Institutin Yunus Emre dhe me mbështetjen tonë në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe atë të biznesit”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit