E vërteta e hidhur e të punuarit nga shtëpia

0
63

Një studim i ri nga website për punët në distancë, Flex Jobs, rendit profesionet më të zakonshme nga shtëpia.

Në këtë listë janë 14 punë të tilla ku personat që merren me shitje e shërbim klienti janë në krye të saj.

Shumë prej tyre, paguhen 50 mijë dollarë ose më pak (asnjë prej këtyre profesioneve nuk ka potencialin që të paguhet 100 mijë dollarë ose më tepër).

Natyrisht, pyetja që lind është: përse punët në distancë paguhen më pak? Për këtë, ka tri arsye.

  1. Ju nuk do të keni asnjëherë raste për të folur me drejtuesit

Nëse doni të fitoni më shumë para, është e nevojshme që drejtuesit të njohin vlerën tuaj. Ashtu siç thotë edhe shprehja, larg syrit, larg mendjes. Për drejtuesit është më e vështirë të vlerësojnë dhe të kuptojnë ndikimin tuaj kur ju nuk jeni aty. Komunikimi ballë për ballë në zyrë me shefin tuaj dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm është një mundësi për të ndarë idetë tuaja, për të diskutuar rezultatet tuaja dhe për të promovuar aftësitë tuaja. Kjo është shumë më e vështirë të bëhet nëse punoni nga shtëpia.

2. Ju nuk hyni në kontakt me njerëz të tjerë

Puna nga shtëpia kufizon mundësitë tuaja për të hyrë në kontakt me njerëz të tjerë, të cilët mund të vërtetojnë profesionalizmin tuaj. Ndër të tjera, më shumë se 80% e gjithë punëve sot arrihen nëpërmjet referencave. Puna nga shtëpia kufizon mundësitë për të ndërtuar lidhje të forta me profesionistë që mund t’ju ndihmojnë të rriteni profesionalisht. Dhe nëse humbni punën nga shtëpia, ju mund të mos keni një rrjet të gjerë njohje që do t’ju ndihmonte të gjenit një punë tjetër.

3. Ju nuk jeni në kontakt me aftësitë e reja që duhet të mësoni

Kur punoni nga shtëpia, ju nuk mund t’i shihni ndryshimet që ndodhin me kalimin e kohës brenda kompanisë dhe se si mund të ndikojnë ato në të ardhmen në punën tuaj. Çfarë është më e rëndësishme, ju humbni mundësinë për të parë se ku mund t’i përmirësoni aftësitë tuaja për t’i shtuar më shumë vlerë kompanisë, në mënyrë që më pas të kërkoni një pagë më të lartë. Të qëndroni në një hap me tendencat dhe ndryshimet në rrugëtimin tuaj profesional apo në sektorin në fjalë është jetike në ditët e sotme. Gjërat brenda në kompani ndryshojnë me një ritëm shumë të shpejtë.

Kur ju punoni nga shtëpia, nuk mund t’i shihni gjithë këto. Nëse punëdhënësi juaj vendos se nuk ka më nevojë për aftësitë tuaja, si do t’ia bëni për t’i kërkuar një punë në një rol tjetër kur ju as nuk e dini se çfarë mundësish të tjera keni për të promovuar veten?

*J.T. O’Donnell, themeluese dhe CEO e WorkItDaily.com