16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Ditë historike – Fluturimi i parë i “Air Albania” nga Tirana drejt Stambollit

Më të lexuarat

Falë kontributit të një prej kompanive më të mëdha dhe prestigjoze në botë, Turkish Airlines, me shtetin shqiptar, më në fund u bë e mundur që edhe Shqipëria të ketë kompaninë e saj ajrore, emri i së cilës është Air Albania.

 

Zbritja në Rinas e avionit të parë me këtë logo ka qenë arsyeja e zhvillimit të një ceremonie inaugurimi, ku pjesëmarrës ishin Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Turkish Airlines, etj.

Shqipëria ka tashmë kompaninë e saj ajrore, e krijuar në partneritet me Turkish Airlines, pasi në një ceremoni u inaugurua kompania e parë kombëtare e fluturimeve e Shqipërisë, Air Albania.

Ceremonia ku merrnin pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Turkish Airlines, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë umbajt në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha gjatë fjalës së tij se Air Albania është një instrument strategjik dhe afatgjatë, që ka garancinë e një partneri të padiskutueshëm, të një partneri që është një aktor global, Turkish Airlines.

“…Është një emocion tejet i veçantë për mua, por besoj jo vetëm për mua, që sot mes miqsh, bashkëpunëtorësh dhe partnerësh vullnetmirë, përmbushim jo thjesht një zotim dhënë bashkëqytetarëve tanë, por një ëndërr të kahershme që dukej e pamundur për vite e vite të tëra, kompaninë ajrore të flamurit kuqezi, Air Albania. Air Albania është një ndërmarrje e mundimshme, sepse është dashur e nuk diskutohet që pa iniciativën dhe mbështetjen bujare të Presidentit Erdoğan, sot ne nuk do të ishim këtu”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij tha se secili avion do të mbajë emrat e poetëve shqiptare.

Avioni i parë tha Rama do të quhet “Lasgush” dhe synimi është që në fund të vitit të ardhshëm avioni me emrin Fan Noli do të niset për në Nju Jork.

“…Për ne që jemi të këtij vendi dhe jemi mësuar, me çka na kujton menjëherë ai që  Klemend Aderi e pagëzoi në 1875 si aparati fluturues që imiton zogun, shqiponja është gjëja e parë është që mendojmë sapo mendojmë për fluturimin. Me këtë rast mësuam që aparatet fluturues që imitojnë zogjtë duhet të kenë emra dhe zgjodhëm që shqiponjave tona tu vëmë emrat e poetëve tanë. I pari është Lasgushi, tjetri që do të vijë menjëherë pas fluturimeve test që do të bëhen pas një muaji mes Tiranës dhe Stambollit për të filluar me pas me Romën, Milanon, Bolonjën dhe Londrën do të jetë Migjeni dhe ambicja jonë është që deri në fund të vitit të ardhshëm të çojmë nga Tirana në Nju Jork Imzot Nolin…” 

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se sot Shqipëria me linjën e vet ajrore ka krijuar një urë në hapësirën ajrore me Turqinë, që është një vend mik dhe vëlla i përjetshëm i saj.

Jam tepër i nderuar që ndodhem këtu për një projekt përbashkët. Ky projekt po merr jetë falë lidershipit vizionar dhe qëndrimeve të vendosura të presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan dhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Jam krenar që ndodhem para këtij avioni që erdhi nga Stambolli dhe zbriti në Tiranë me një fluturim testimi si projekt i përbashkët i Turkish Airlines dhe Air Albania dhe që nesër do të kryejë fluturimin e parë drejt Stambollit me 80 studentë shqiptarë. Falë kësaj ure, turqit dhe shqiptarët do vizitojnë vendet përkatëse më shpejt dhe më lirë dhe do të vendosen urat e zemrës mes Tiranës dhe Stambollit”, tha ambasador turk.

Ndërsa, Mithat Görkem Aksoy, anëtar i bordit drejtues të Turkish Airlines, tha se populli shqiptar ka një vlerë të veçantë për popullin turk. “Dua të them se ky është vetëm një hap. Në Shqipëri do të bëjmë investime më të mëdha”, theksoi Aksoy.

Sot, të shtunën 80 studentë shqiptarë me fluturimin e parë të  avionit e “Air Albania”  udhëtuan për në Stamboll.

“Këtë fluturim të parë të muajit të testit e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës, është një fluturim simbolik. Gjatë gjithë muajit do të ketë disa të tillë. Arsyeja se përse na shkoi mendja te ju, është sepse jeni, fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër dhe meritoni që të keni të gjithë vëmendjen dhe respektin dhe njëkohësisht edhe një dhuratë simbolike për gjithçka keni bërë. Erdha vetëm të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur jeni këmba më e mbarë për kompaninë tonë të flamurit. Tani do ia jap fjalën një vajze, që e kam takuar për herë të parë në gjimnazin ‘Ali Demi’ në Vlorë, ndërsa sot është studente e ekselencës por nuk jam i autorizuar ta ndaj publikisht, por i uroj vërtetë t’ia dalë”, tha Rama.

 

– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit