7.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Delawie politikanëve kosovarë: Për dështimet tuaja mos fajësoni askënd

Më të lexuarat

Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, sot në njërin ndër fjalimet e fundit në këtë pozitë, porositi liderët dhe qytetarët e Kosovës që të angazhohen në arritjen e synimeve të vendit.

Delawie, në një ceremoni lamtumirës të organizuar nga Presidenti Hashim Thaçi, tha se nëse 10 vitet e para ishin për krijimin e institucioneve, dekada e ardhshme duhet të jetë për fuqizimin e institucioneve.

“Kemi punuar në mënyrë produktive së bashku gjatë tri viteve të fundit në të mirë e në të keq, por po largohem me shpresë sepse e di që qytetarët e këtij vendi kanë potencial për të siguruar progresin e Kosovës drejt kapitullit të ardhshëm. Por ky progres varet nga ta”, tha ambasadori Delawie, përcjell kallxo.

“Institucionet e drejtësisë ngadalë po e ndërtojnë besimin te qytetarët dhe njerëzit duan të shohin që politika nuk ndërhyn në drejtësi”, shtoi ai.

Sipas tij, tashmë kur kosovarët kanë marrë përgjegjësitë e plota nga EULEX në çështje të sundimit të ligjit, duhet të punojnë për të treguar rezultate.

“Pas ndryshimit të mandatit të EULEX-it, kosovarët tani janë tërësisht përgjegjës për sundimin e ligjit. Sukseset dhe dështimet do të jenë të juaja. Nuk do të keni kë ta uroni apo kë ta fajësoni”, tha ai.

Delawie foli edhe për dialogun me Serbinë.

“Liderët politikë, pa marrë parasysh cilës parti i përkasin, duhet ta gjejnë gjuhën e përbashkët në synimet e përbashkëta për Kosovën. Kosovës i duhet fryma e bashkëpunimit mes liderëve për të arritur progres”, tha ai.

Ndërsa Presidenti Thaçi tha se “Kosova është me fat” që ka miq dhe përkrahës si ambasadori Delawie.

“Me punën dhe përkushtimin tuaj jeni angazhuar çdo ditë për një Kosovë çfarë e dëshirojnë qytetarët e Kosovës, jeni angazhuar për një Kosovë më të konsoliduar ndërkombëtarisht, për një Kosovë më të bukur e më të pastër”, tha Thaçi.

“Do të vazhdojmë punët që kemi nisur dhe që kërkojnë angazhim të madh”, shtoi ai.

“Për të hyrë në BE, NATO e institucionet ndërkombëtare duhet të arrijmë marrëveshje paqësore edhe me Serbinë prandaj mbesim të përkushtuar për të gjetur një marrëveshje paqësore jo vetëm për të siguruar njohje nga Serbia por edhe ulëse në OKB. E di që do të jetë e vështirë, por kjo është rruga e vetme përpara”, tha Presidenti i Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit