Bujanoci refuzon filmin ruso-serb për luftën në Kosovë

0
23

NATO-ja bombardon Serbinë, ushtria jugosllave tërhiqet nga Kosova, ajo ruse merr nën kontroll Aeroportin e Prishtinës e shqiptarët nisin të vrasin serbë. Me një fjali të tillë mund të përkufizohet filmi “Balkanske međe” (Mezhdat e Ballkanit), që në versionin në anglisht prezantohet si “Balkan Line” (Kufijtë e Ballkanit), e të cilin edhe kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si një vepër propagandistike.

Prodhimi kinematografik ruso-serb nuk do të jepet të paktën në Bujanoc. Ishte paralajmëruar se do të jepej në ditën e 21-të të këtij muaji, por Shtëpia e Kulturës në këtë qytet ka vendosur që të mos e ndezë projektorin për një film të tillë. Nën regji të Andrey Volgin e skenar të Andrey Anaykin e Ivan Naumoz, në film luajnë aktorë, si: Emir Kusturica, Milosh Bikoviq e Milena Raduloviq.

Por pasi ka lexuar çfarë ka shkruar kritika për këtë film dhe ka lexuar sinopsisin e filmit, drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, ka vendosur që ai të anulohet.

“Arsyeja e vetme e ndalimit të shfaqjes së filmit është që të mos ketë urrejtje midis shqiptarëve dhe serbëve. Urrejtja është e pranishme, por nuk duam që ajo të ringjallet më shumë. Në bazë të kritikave që kemi lexuar, në atë film nuk ka të vërteta. Keqpërdoret edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Madje edhe mediat ndërkombëtare e kanë cekur që është një film që nxit urrejtje”, ka thënë Ismaili. Sipas tij, Qendra e Filmit e Serbisë ka kontratë me Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc dhe ia përcjell institucionit lokal filmat për t’u shfaqur. Varësisht nga kërkesat e publikut, në Shtëpinë e Kulturës jepen edhe reprizat e filmave./koha.net