Bastisje e arrestime shqiptarësh në Shkup, ndër ta edhe një grua

0
51

Aksioni i policisë ne disa pjese shqiptare të Shkupit ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë ne fshatin Smilkovc, kanë njoftuar për “Lajm” burime të larta shqiptare në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Aksioni është në kuadër të hetimeve për ndriçimin e vrasjes së pesëfishtë. Përveç në rajonin e Shkupit, bastisje ka pasur edhe në fshatin Hotël të komunës së Likovës, ku është arrestuar një grua”, njoftoi për “Lajm” i njëjti burim, duke insistuar të mbete anonim. Ai nuk ishte në gjendje të zbulojë numrin e të arrestuarve gjatë aksionit policor.

Paraprakisht “Lajmi kishte njoftuar se dhjetëra shqiptarë janë arrestuar gjatë një aksioni policor në lagjen Gazi Babë të Shkupit dhe në fshatrat Hasanbeg dhe Haraçinë. Arrestimet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur njësitet speciale policore kanë kryer bastisje nëpër shtëpi në disa rajone shqiptare të Shkupit. Jozyrtarisht raportohet se janë arrestuar dhjetëra qytetarë shqiptarë. Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski nuk deshi të bëjë me dije nëse arrestimet kanë të bëjnë me vrasjen e pesëfishtë në afërsi të fshatit Smilkovc, por paralajmëroi detaje në një pres konferencë të MPB-së, e cila do të mbahet sot pasdite. Në këto lagje vërehen patrullime të shumta të policisë. Patrullime të njësiteve speciale policore të armatosura deri në dhëmbë vërehen edhe në rajonin e Likovës, por edhe në rajonin e Tetovës.

Më heret gazeta “Fokus” në Shkup raportonte për prani të forcave speciale  në rajonin e Karadakut të Shkupit dhe në fshatrat përreth në periferi, në afërsi të lokalitetit ku ndodhi tre javë me parë vrasja e pesëfishtë.

Mediat serbe dhe ato ruse kanë propaganduar së fundi lidhur me praninë e grupeve të armatosura në rajonin e Karadakut të Shkupit dhe Kumanovës. Ndërsa nga ana tjetër, këto pohime janë hedhur poshtë duke u vlerësuar si spekulime që vijnë nga qarqe që kanë për qëllim rritjen e tensioneve dhe destabilizimin e vendit./kohaislame/