Auditori e çon UP-në në prokurori

0
53

Drejtuesit e Universitetit të Prishtinës do t’i japin llogari Kuvendit të Kosovës në një seancë plenare për keqmenaxhimin, lëshime në prokurim, pagat e dyfishta dhe sidomos dyshimin për shpenzimin e mbi 600 mijë eurove. Këtë e ka kërkuar Komisioni parlamentar për mbikëqyrje financiare, të mërkurën, pas shqyrtimit të raportit të Auditorit të Përgjithshëm për UP-në, në të cilin janë evidentuar shumë shkelje.

Auditori ka dhënë opinionin e pakualifikuar për pasqyrat financiare të UP-së. Kur ka një opinion të tillë zakonisht Komisioni nuk e dërgon raportin për diskutim në Kuvend, mirëpo anëtarët e këtij komisioni me vota unanime kanë vendosur që raporti të diskutohet në seancë plenare për shkak të shumë shkeljeve të identifikuara.
Auditori i përgjithshëm, Lage Olofsson, siq shkruan Koha Ditore, ka kritikuar menaxhmentin e UP-së për mungesë të kontrollit të brendshëm. Ai ka thënë se është obligim i rektorit që të bëjë një menaxhim më të mirë, sidomos në aspektin financiar, pasi ka mospërputhje të mëdha në këtë aspekt.
“Sfida më e madhe për rektorin është që të shihet sesi është administruar Universiteti. Aty ka sfida të mëdha. Duhet të jetë një program rivitalizimi, sepse pothuajse në çdo fushë ka mangësi alarmuese. Një fushë, e cila është ajo e subvencioneve, është paksa më e mirë, përndryshe ka shumë mangësi. Ne nuk kemi parë ndonjë plan veprimi për këtë.”, pohoi Olofson.
Auditori i Përgjithshëm në pasqyrat financiare të Universitetit të Prishtinës për vitin 2011 ka gjetur raste kur një person ka pasur dy kontrata me UP-në. Gjithashtu ka pasur mospërputhje të fletëpagesave, mosrespektim të normës së orarit nga ana e mësimdhënësve, dhënie të kontratave me çmime më të shtrenjta, eliminim të operatorëve me çmim më të lirë, si dhe mosfunksionim të auditorit të brendshëm.
“Sfida kryesore e vërejtur në fushën e ekzekutimit të buxhetit ishte shpenzimi i donacioneve. Gjithashtu pagesat për detyrime kontingjente kanë krijuar vështirësi në arritjen e projekteve të planifikuara. Këto shpenzime nuk ishin marrë në konsideratë nga UP-ja me rastin e planifikimeve buxhetore. Shpenzimi i buxhetit për investime kapitale prej 58% vetëm në dymujorin e fundit, si dhe mosplanifikimi i mirë i rrjedhës së parasë, ishin karakteristikat kryesore të ecurive buxhetore”, thuhet në raportin e ZAP-it për UP-në.
Prorektori i UP-së, Enver Kutllovci, nuk u pajtua me gjetjet dhe vlerësimet për keqpërdorim në UP. Ai ka thënë se në UP nuk ka keqpërdorim, sepse një fjalë të tillë nuk e përmend as Auditori, mirëpo aty përmendet keqmenaxhimi, që, sipas tij, dallojnë si koncepte. Ai madje ka thënë se UP-ja ka kërkuar nga prokurori hetime rreth akuzave për blerjen e çmimit, që sipas tij përgjigjja është se nuk ka pasur asnjë shkelje.
Ai ka thënë se pagesa që është bërë nga UP-ja në vlerë prej mbi 600 mijë eurosh për kompaninë “Graniti” ka ardhur si obligim nga mandatet e mëhershme. Kutllovci ka arsyetuar orët shtesë me faktin që qeveria ka marrë vendim për rritje enorme të numrit të studentëve. E kur numri i studentëve rritet në këtë përqindje, sipas tij, është normale që do të rritet numri i orëve dhe nevoja për pagesa jashtë orarit./Indeksonline/kohaislame