Analfabetizmi, vështirë të zhduket në Kosovë

0
48

Sipas Objektivave të Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova duhet të eliminojë analfabetizmin deri në vitin 2015. Njohës të çështjeve të arsimit thonë se me strategjitë e Qeverisë së Kosovës për arsim, vështirë se mund të arrihet zhdukja e analfabetizmit deri në atë kohë.

Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj, thotë se Kosova nuk ka punuar aq shumë për eliminimin e kësaj dukurie.

“Unë nuk jam optimist që kjo objektivë do të mund të realizohet deri në vitin 2015”, thekson Salihaj për REL.

Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008 kishin miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Atë kohë, ata ishin zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushin tetë Objektivat e kësaj deklarate, përfshirë analfabetizmin.

Për zbutjen e analfabetizmit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vite të tëra ka mbajtur mësime joformale, që mundësojnë mësimin e shkrim-leximit, për qytetarët të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin.

Dukagjin Popovci, nga Qendra për Arsim në Kosovë, thotë se në 10 vjetët e fundit kjo dukuri ka arritur të minimizohet, por që nuk mund të zhduket në tërësi.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve analfabetë, por sipas disa të dhënave të organizatave joqeveritare, është thënë se analfabetizmi në Kosovë arrin deri në 6 për qind.

“Mendojë që regjistrimi i popullatës do t’i nxjerrë të dhënat e sakta të analfabetizmit në Kosovë, kështu që pak a shumë do të dihet nga dora e parë, se sa është numri i qytetarëve analfabetë”, shprehet Popovci.

Salihaj thotë se analfabetizmi në Kosovë mund të prekë më shumë se 6 për qind e popullatës së Kosovës.

“Ekziston analfabetizmi klasik edhe ai funksional. Përveç njerëzve që nuk dinë shkrim- lexim, ka edhe njerëz që dinë të shkruajnë disi një fjali, por nuk e kuptojnë atë. Do të thotë, varësisht nga regjionet, në fiset rurale ka më shumë analfabetë. Dhe, numri më i madh i analfabetëve është te femrat”, sqaron Salihaj.kohaislame