Akuzojnë rektorin për manipulim të votave

0
61

Drejtues të organizatës “Paqja Studentore” e kanë akuzuar rektorin e Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit studentore të mbajtura më 6 qershor. Ata po ashtu kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve në disa fakultete, pasi sipas tyre, është abuzuar dhe manipuluar vota e lirë e studentit.

Kryetari i kësaj organizate studentore, Ekrem Zajmi, në një konferencë për media të mbajtur të shtunën, ka thënë se procesi i votimit nga studentët për zgjedhjen e Parlamentit të Studentëve dhe Këshillit të studentëve të UP-së, ka rrjedhur me shumë vështirësi, duke u nisur nga bllokimi i vendvotimeve. Kjo, sipas tij, ka ndodhur nga “banda të ardhura jashtë UP-së”, përmes falsifikimit të indekseve, si dhe duke bërë ndërrimin e fotografive të këtyre indekseve.

“Procesi i votimit nga studentët për zgjedhjen e Parlamentit të Studentëve dhe Këshillit të Studentëve të UP-së, ka rrjedh me shumë vështirësi, duke u nisur nga bllokimi i vendvotimeve nga bandat e ardhura jashtë UP-së, falsifikimi i indekseve, duke iu bërë ndërrimin e fotove të këtyre indekseve. Po ashtu, duke regjistruar semestrat e studentëve, të cilët në afatin e paraparë nuk kishin të drejtë vote, duke shantazhuar dhe bërë presion nga grupet e errëta, të thirrura nga disa organizata, duke mos kursyer as menaxhmentin e UP-së”, ka thënë ai, raporton Kosovapress.

Ai nuk ka lënë pa akuzuar as rektorin Mujë Rugova, dekanin e Fakultetit të Shkencave Sportive, Ajvaz Berisha, si dhe profesorë të ndryshëm nga shumica e fakulteteve, duke përfshirë Fakultetin Ekonomik, filozofik dhe degët e UP-së jashtë Prishtinës, si atë në Gjilan.

“Tashmë në gjykatë ndodhet një padi ndaj rektorit Rugova, nga një individ tjetër që ka operuar në UP, në të cilin është një incizim ku thuhet bëni gjithçka çka është e mundshme, por Paqen Studentore lëreni në opozitë. Me këtë argument është po i njëjti rektor në këto zgjedhje, është po i njëjti individ, kohë pas kohe pasqyron gjëra që janë në kundërshtim me normat e UP-së dhe ne kemi argumente për të dëshmuar se ky rektor nuk ka kursyer asgjë për t’i manipuluar këto zgjedhje, me të vetmin qëllim që Paqja Studentore mos të udhëheq me parlamentin e studentëve”, ka thënë ai.

Nënkryetari i “Paqes Studentore”, Arian Ademi, ka bërë të ditur se për parregullsitë që pretendon që janë bërë gjatë procesit zgjedhor, janë ankuar në KQZ të UP-së, kurse në mesin e tyre janë disa ankesa të argumentuara, në të cilat kërkohet nga UP-ja që të përsëriten zgjedhjet në Fakultetin Filozofik dhe në tri fakultetet e UP-së në Gjilan.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së dhe njëherësh kryetar i KQZ-së në UP, Vaxhid Sadriu, ka mohuar që rektori Mujë Rugova të jetë i përfshirë në zgjedhjet studentore. Ai përmes telefonit i ka thënë Kosovapressit se procesi ka qenë i rregullt, fer dhe demokratik dhe se ankesat e organizatave studentore, duke përfshirë këtu edhe të “Paqes Studentore” do të shqyrtohen të hënën.

Po ashtu, drejtuesit e “Paqes Studentore”, e cila në zgjedhjet e mbajtura me 6 qershor, ka përfunduar në vendin e dytë, pas LSR-së, koalicionin aktual i cili do të udhëheq Parlamentit Studentor e konsiderojnë jolegjitim, ngase, sipas tyre, brenda mandatit të tërësishëm do t’i përfaqësojë studentët një organizatë studentore e cila ka marrë vetëm një mandat në këto zgjedhje studentore. /Telegrafi/kohaislame/