A PO RIFILLON LUFTA E FTOHTË?

0
47

Për udhëheqësit botërorë debati rreth ndryshimeve klimatike ka përfunduar moti. Ata po përgatiten për njëlloj Lufte të re të Ftohtë, kësaj radhe në Arktik. Arsyeja është e thjeshtë dhe praktike. Meqë parashihet se ngritja e temperaturave atje do të hapë përlot burime të reja, Arktiku njëkohësisht mund të shndërrohet në një vend të konflikteve të reja eventuale, thekson CBS News.

Rajoni i Arktikut qysh tani është i vërshuar nga aktivitetet ushtarake, ndërkohë që ekspertët besojnë se kjo dukuri vetëm sa do të shtohet gjatë viteve në vijim.

Muajin e kaluar Norvegjia ka mbajtur atje njërën prej stërvitjeve të saj më të mëdha ushtarake, të emërtuar “Cold Response” (Përgjigjja e Ftohtë). Ishte kjo një stërvitje mbi akull e intensitetit të lartë, me 16,000 ushtarë pjesëmarrës nga 14 shtete. Se në çfarë kushtesh u zhvillua stërvitja më së miri tregon fakti se gjatë saj humbën jetën pesë ushtarë norvegjezë, si pasojë e rënies së një fluturakeje ushtarake në një mal suedez.

Dy muaj më herët, SHBA, Kanadaja dhe Danimarka gjithashtu mbajtën një stërvitje të përbashkët ushtarake. Ndërkohë, shefat ushtarakë të shtatë shteteve kryesore të zonës së Arktikut – Kanadasë, SHBA’ve, Rusisë, Islandës, Danimarkës, Suedisë dhe Finlandës – pritet të takohen gjatë muajit maj, në një bazë ushtarake kanadeze, për të diskutuar për çështjet e sigurisë rajonale.

Natyrisht, asnjëra nga këto ngjarje nuk nënkupton fillimin e shpejtë të një lufte të vërtetë në Polin e Veriut. Por, me rritjen e numrit të punëtorëve dhe të anijeve në Veri, me qëllim të shfrytëzimit të rezervave të atjeshme të naftës dhe gazit, nënkupton edhe rritjen e nevojës për rritje e pranisë së policive kufitare, si dhe të fuqive ushtarake.

Instituti Gjeologjik i Amerikës vlerëson se në Arktik ekzistojnë 13 përqind të rezervave të zbuluara rishtazi të naftës, dhe afro 30 përqind të rezervave të pashfrytëzuara të gazit natyror. Rrugët transportuese të këtyre rezervave mund të hapen deri në vitin 2030, meqenëse temperaturat gjithnjë e më të larta do të shkrijnë akullit nga sipërfaqja e oqeaneve dhe detyrave, thuhet në analizën e National Research Council, të porositur vitin e kaluar nga Marina e SHBA’ve.

Ndërkohë, veprimet që duhen ndërmarrë nga shtetet lidhur me ndryshimet klimatike vazhdon të mbetet një temë e nxehtë politike. Megjithatë, kjo gjë nuk i ndali ushtritë e ndryshme që të lëvizin përpara me strategjitë e tyre, të cilat si bazë kanë supozimin për vazhdimin e trendeve aktuale.

Rusia, Kanadaja dhe SHBA kanë hiset më të mëdha në Arktik. Rusia, një e tretat e territorit të së cilës ndodhet brenda rrethit arktik, është shteti më agresiv mes kësaj treshe sa i përket afirmimit të saj si një superfuqi rajonale.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Calgary’t (Kanada), Rob Huebert, konsideron se Rusia tashmë është rimëkëmbur nga problemet e saj ekonomike të viteve të 90’, gjë që është me rëndësi për ripërtrirjen e aktiviteteve ushtarake në Arktik. Si pasojë, sipas Huebert, Rusia tashmë ka shtuar ndjeshëm atje aktivitetet e saj bombarduese dhe ato të nëndetëseve.

Ai pohon se kjo gjë i ka shtyrë edhe shtetet tjera të Arktikut – Norvegjinë, Danimarkën dhe Kanadanë – për të vazhduar me stërvitjet rajonale ushtarake, nga të cilat kishin hequr dorë pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, edhe shtetet si Franca kanë shprehur interesim për sjelljen e ushtrive të tyre në Arktik, nënvizon CBS News.

“Në fakt, i gjithë rajoni oqeanik që ishte i mbyllur deri më tani, tash po hapet për gjithë botën”, pohon Huebert.

“Ekzistojnë shumë faktorë që po vijnë dhe po forcohen bashkërisht, dhe, me kalimin e kohës, kjo tendencë vetëm sa do të rris kapacitetet ushtarake në rajon”, shton ai.

Amerika synon të ruajë përparësinë

Pas konstatimit se Arktiku po ngrohet dyfish më shpejtë se pjesa tjetër e botës, Marina e SHBA’ve qysh në vitin 2009 ka paralajmëruar një ndryshim të kursit të saj karshi Arktikut, duke u bazuar në analizat e kryera nga një grup i saj punues që merret me ndryshimet klimatike. Sipas strategjisë së re, që përbëhet nga tri faza, Marina synon ngritjen e gatishmërisë, përmirësimin e raporteve me popujt e Arktikut dhe identifikimin e zonave të konflikteve eventuale.

“Ne dëshirojmë që të ruajmë përparmin që e kemi atje lart”, pohon Ian Johnson, kapiten nëndetëses nukleare për kushte arktike, USS Connecticut.

“Interesi ynë për zonën e Arktikut nuk është dobësuar asnjëherë. Për ne, Arktiku edhe më tej mbetet shumë me rëndësi”, sqaron ai.

Mirëpo, SHBA vazhdon të mbeten të pajisura dobët për misione të mëdha arktike, thuhet në konkluzat e simulimit, që u përpilua nga US Naval War College. Raporti i publikuar muajin e kaluar nënvizon se Marina Amerikane nuk “është sa duhet e gatshme për një operacion të vazdhueshëm në Arktik”. Kjo, për shkak se nuk posedon anije të afta për punë në ose afër akullit arktik, dhe se nuk posedon as objekte e as infrastrukturë adekuate të komunikimit.

“Rezultatet tregojnë se Marina po hynë në një zonë të re në Arktik”, thotë Walter Berbrick, një profesor kolegji që mori pjesë në këtë simulim.

“Në vend që shtetet e tjera të mbështeten në Marinën Amerikane, dhe në aftësitë dhe resurset e saj gjatë operacioneve në zonën e Arktikut, del se Marinës Amerikane do t’i nevojitet mbështetja e të tjerëve”, shton Berbrick.

Rreziqet e mëdha për Polin e Veriut

Sipas Berbrick, megjithëse nëndetëset nukleare mbeten mjetet kryesore në dispozicion të SHBA’ve, Marina Luftarake ka edhe disa mangësi goxha serioze. Për shembull, ajo nuk posedon akullthyes. Ekziston vetëm një akullthyes që funksionon, dhe që i përket Rojës Bregdetare. Sipas CBS News, SHBA’të aktualisht po shqyrtojnë nëse duhet të furnizohen me të paktën edhe një akullthyes.

Përkundër gjithë kësaj, s’do të thotë që lufta është rreziku më i drejtpërdrejtë.

Drejtoresha e Programit Evropian, pranë Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare, me seli në Londër, Heather Conely, pohon se në rast të çfarëdo konfrontimi në Arktik, ushtria fillimisht do të duhet të shpëtojë popullatën e saj.

“Ngjarjet katastrofale, qoftë kjo një përmbytje e anijes, apo ndonjë fatkeqësi ekologjike e shkaktuar nga eksploatimi i naftës apo gazit, mund të ketë ndikim të madh për vetë Arktikun”, thekson Conely.

“Nuk është problem militarizimi, por mungesa e aftësive, sepse zhvillimi ekonomik dhe aktiviteti dramatik njerëzor atje vetëm sa po e rrisin rrezikun real”, tërheq vërejtjen ajo./expres/kohaislame