A po e shkatërron dijen, dominimi i gjuhës angleze?

0
151

A po humbim dije për shkak të rritjes së dominimit të gjuhës angleze si gjuhë e arsimit të lartë dhe e shkencës?
Nëse merr pjesë në ndonjë konferencë akademike ndërkombëtare, i gjithë diskutimi do të zhvillohet në gjuhën angleze. Gjuha angleze është kthyer në medium për studim, shkrim e lexim.

Kjo mund ta bëjë më të thjeshtë komunikimin e bashkëpunimin e njerëzve që flasin gjuhë të ndryshme. Po a po humbet ndonjë gjë tjetër nga kjo? A po margjinalizohen studimet jo-anglisht?

Një fushatë e bërë nga akademikët gjermanë thotë se shkenca përfiton nga të qasurit me gjuhë të ndryshme. Hulumtuesit, gjuha e parë e të cilëve nuk është anglishtja, shqetësohen se atyre u duhet t’i përshkruajnë teoritë e tyre në gjuhën anglo-amerikane që të publikohen në revistat kryesore ndërkombëtare.

Sipas gjuhëtarit gjerman Ranier Enrique Hamel, në vitin 1880, 36 për qind e publikimeve shkencore përdornin gjuhën angleze, që u rrit në 64 për qind pas një shekulli. Por, kjo prirje është theksuar edhe më tej, në mënyrë që në vitin 2000, në mesin e revistave më të njohura, 96 për qind e publikimeve të ishin në gjuhën angleze. Duke u publikuar në këto revista të njohura influencon në renditjen universitare, duke i bërë ato angleze e amerikane më të kërkueshme. Njëkohësisht i shtyn dijetarët të përdorin me detyrim anglishten.

Kjo tendencë përforcohet edhe më tej duke rritur numrin e kurseve anglisht në Evropë e Azi. Në Holandë, Universiteti Maastricht ofron 55 kurse masterash në anglisht dhe vetëm tetë prej tyre në gjuhën holandeze. Universiteti Groningen tani përdor gjuhën angleze si gjuhën e saj dominuese në mësimdhënie.

Në Gjermani një fushatë e drejtuar nga akademikët e quajtur “Adavis”, dëshiron të ruajë gjermanishten si gjuhë e shkencës. Akademikët thonë se shumë fusha të shkencës janë zhvilluar për shkak të qasjeve të ndryshme të ndërmarra nga akademikët që përdorin gjuhën e tyre amtare.

Profesor Ralph Mocikat, një imunologjist molekular që drejton projektin, thotë se gjuhët individuale përdorin modele të ndryshme argumentimi, në mënyrën që konkluzionet arrihen nga debate dhe shqyrtimi i provave. Ai thotë se “argumentimi është më linear në gazetat me gjuhë angleze, por mendimi formohet nga gjuha”. Profesori Mocikat thotë se akademikët shpesh përdorin metafora nga gjuha e përditshme kur bëjnë një argument ose kur përpiqen të zgjidhin një problem, dhe këto jo gjithmonë arrihen të përkthehen në mënyrë direkte.

“Mendimi formohet nga gjuha. Kjo është arsyeja se pse gjuha luan një rol vendimtar në progresin e shkencës,” thotë ai. “Shkencëtarë si Galileo, Njutoni dhe Langange braktisën studimet latine, e cila ishte gjuhë universal, për gjuhët e tyre amtare. Gjuha e zakonshme është burimi kryesor i shkencës dhe riprezantimi i një monokulture gjuhësore do të rikthejë shkencën në ditët e saj të zeza”.

Studimet tregojnë se për t’u publikuar në një revistë angleze, akademikëve u duhet të njihen me teoritë anglo-amerikane dhe terminologjitë.

Profesori Winfried Thielman thotë se emrat që u jepen teorive të reja janë zakonisht të vendosura nga akademikë amerikanë dhe kanë më pak gjasa të pranohen në gjuhë tjetër ndryshe nga anglishtja.

“Në këndvështrimin tim, kjo është një nga arsyet që ekonomistët europianë nuk kanë kontribuar shumë në menaxhimin e krizave të fundit financiare,” thotë ai.

Ekziston shqetësimi se rrezikojmë të humbasim dijet, sepse dijetarët që nuk përdorin anglishten rrallë dëgjohen jashtë vendit të tyre dhe bëhen të njohur ndërkombëtarisht.

“Disa preferojnë ta ndërtojnë karrierën e tyre brenda vendit, sepse e kanë të vështirë të zotërojnë gjuhën angleze”, thotë Anita Zatori nga Universiteti i Budapestit. “Nga eksperienca ime besoj se është e nevojshme të mendosh anglisht për të folur anglisht përpara një audience ndërkombëtare dhe shumicës së njerëzve u mungon ambicia dhe kurajo për ta bërë këtë”.

Përkthimi i mirë akademik është i shtrenjtë dhe revistat në gjuhën angleze nuk e nxjerrin një artikull pa u shfaqur më parë në një gjuhë tjetër. Ekzistojnë rreth 6000 revista shkencore në Brazil, shumica në gjuhën portugeze, dhe vetëm pak prej tyre janë të njohura nga indeksi ndërkombëtar i revistave. Shumica e këtyre kërkimeve shkencore nuk do të kenë impakt jashtë Brazilit. /BBC/Tirana Observer/