6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

4 muaj pas 30 Qershorit, ç’ndodh në Shkodër/ Flet Voltana Ademi

Më të lexuarat

Sot u bënë 4 muaj nga 30 qershori, kur u mbajtën zgjedhjet njëpartiake për bashkitë. Kryetarët e pushtetit lokal tashmë i përkasin të gjithë Partisë Socialiste, dhe ata po vazhdojnë punën, edhe pse raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR, ishte nga më kritikët dhe të ashprit për ato votime. Zgjedhjet nuk përfaqësuan interesin e qytetarëve, thanë ndërkombëtarët, dhe konstatuan po ashtu probleme serioze në proces, edhe pse PS kandidonte e vetme dhe opozita nuk shkaktoi asnjë tension. Nga 61 bashkitë, 60 tashmë i ka qeveria. Vetëm në Shkodër vijon të jetë kryetare, Voltana Ademi e Opozitës. Kjo sepse i zgjedhuri i Ramës, Valdrin Pjetri, nuk arriti të betohej e të hynte në zyrë, për shkak se doli që kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur një dënim në Itali kur ishte student. Ademi shihet çdo ditë në punë, dhe në rrjetin e saj social poston aktivitete që kanë të bëjnë me rrugë dhe punë komunale. Po si është gjendja në këtë bashki, 4 muaj pas 30 qershorit? Mapo bisedoi me zonjën Ademi.

Zonja Ademi, ju keni ngelur e vetmja kryetare bashkie e opozitës, pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Si shkon puna juaj e përditshme?
Puna ime e përditshme vijon normalisht nëse mund të quhet normale situata e krijuar pas votimeve moniste në të gjithë vendin. Konstatimin e bëni vetë ju teksa shpreheni “e vetmja kryetare bashkie e opozitës”. Imagjinoni, nga 61 bashki në vend vetëm një “ekzekutiv” vendor qeveriset nga opozita. Përtej kësaj situate, në Bashkinë e Shkodrës vazhdojnë investimet, shërbimet dhe realizimi i projekteve. Po konkretizohen projektet dhe vendimet e miratuara nga Këshilli Bashkiak në buxhetin e vitit 2019. E gjithë kjo vetëm nga të ardhurat e Bashkisë së Shkodrës, përmes taksave e tarifave nga vetë qytetarët e Shkodrës, të cilat përdoren me transparencë dhe sipas prioriteteve të vendosura nga vetë banorët në territor. Sepse qeveria e ka hequr Shkodrën nga lista prej shumë vitesh tashmë. Investimet nga qeveria vazhdojnë të jenë zero. Personalisht jam çdo ditë në krye të punëve, në ndjekje të investimeve, të shërbimeve që ofrohen për qytetarët në territor.

A arrini ju në kushtet ku është sot bashkia, ku qeveria nuk ju njeh, ku është një këshill bashkiak me përfaqësues vetëm nga mazhoranca, pra a arrini ju të ushtroni detyrën?
E thashë edhe më parë: Qeveria ka shumë vite që e ka hequr Shkodrën nga lista. Për të thënë, se jemi mësuar të jetojmë e punojmë pa mbështetjen e qeverisë. Deri tani, fatmirësisht ia kemi dalë dhe besoj se do t’ia dalim përsëri. Këshilli Bashkiak është ai që është dhe produkt i votimit të 30 qershorit, siç e thashë, një proces votimi monist që vetëm një rezultat do të kishte: “Parlament” lokal njëngjyrësh, pa opozitë, pa alternativa. E kam thënë edhe më parë dhe e përsëris: Ligji rregullon kompetencat qoftë të Këshillit Bashkiak, ashtu edhe të Kryetarit të Bashkisë. Nëse zbatohet Kushtetuta, ligjet e vendit por edhe konventat ndërkombëtare ku vendi ynë aderon, secili institucion ka hapësirën e vet ligjore për të ushtruar detyrën. Personalisht, vazhdoj ta ushtroj detyrën dhe do të jem në funksion si kryetare e Bashkisë Shkodër në përmbushje të ligjit dhe detyrimeve që kam para banorëve të Shkodrës.

A ofron bashkia shërbime, a kryen ajo punët që duhet të bëjë një bashki…
Bashkia e Shkodrës ofron të gjitha shërbimet për qytetarët, ashtu siç ka bërë të paktën 4 vitet e fundit që unë e drejtoj. Po ashtu, vazhdojmë investimet në infrastrukturë rrugore, rikualifikimin urban të shesheve e blloqeve të banimit, kanalizime të ujërave të bardha e të zeza, ujësjellës, kanale kulluese e vaditëse, mbështetjen e arsimit parauniversitar, ofrimin e shërbimeve sociale, për artin e kulturën, sportin etj. Gjithmonë, në zbatim të buxhetit të vitit 2019 të miratuar nga Këshilli Bashkiak pluralist.

Pas 30 qershorit, a keni komunikim me qeverinë, të çfarëdo lloji.
Komunikimi është institucional, shkresor, ashtu siç ka qenë për çështje në interes të Bashkisë Shkodër dhe shkodranëve. Gjithmonë nëse e keni fjalën për këtë lloj komunikimi. Ndërsa për qëndrimin e qeverisë për Shkodrën të paktën këto katër vitet e fundit, besoj se kjo është e qartë.

Si është situata në Shkodër, a ka ndikuar në qytet ky ngërç i madh politik…
Sigurisht që situata e krijuar pas 30 qershorit ka ndikim. Fillimisht, ka një krizë përfaqësimi të qytetarëve. Mbi 90% e shkodranëve janë të papërfaqësuar në Këshillin Bashkiak sepse vetëm 6% morën pjesë në votimet njëpartiake. Ky është edhe ngërçi më i madh, edhe politik nëse doni ta konsideroni të tillë. Së dyti, Këshilli Bashkiak, duke qenë njëngjyrësh, nuk ka alternativa, nuk ka debate të mirëfillta në mes këshilltarëve nga grupe të ndryshme politike. Edhe ky është një tjetër ngërç mjaft i madh. Së treti, deri në momentin kur të shprehet me vendim Gjykata Kushtetuese, ky këshill bashkiak siç edhe të gjithë këshillat e tjerë në 61 bashkitë, bashkë me kryebashkiakët e dalë nga 30 qershori, kanë legjitimitet të dyshimtë. Kjo vlen edhe për këshillat e qarqeve. Sidomos pas raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR dhe vendimit të Komisionit të Venecias, dyshimet lidhur me legjitimitetin e organeve të dala nga votimi i 30 qershorit, janë shumë të forta. Për ta përmbledhur, në një sistem demokratik, kur vihet në dyshim legjitimiteti i përfaqësimit të qytetarëve në nivelin bazë siç është pushteti vendor, situata është vërtet alarmante.

Si mendoni se do shkojë e ardhmja e Bashkisë. Po e juaja. A do vazhdoni të jeni në detyrë derisa të ketë zgjedhje të tjera…
E ardhmja e Bashkisë së Shkodrës siç edhe e sotmja, duhet të përcaktohen vetëm nga banorët e saj. Një minutë e më parë, këtyre banorëve, edhe mua si zgjedhëse në Bashkinë e Shkodrës, duhet të na jepet e drejta të ushtrojmë sovranitetin tonë përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe me alternativa. Është detyrim i institucioneve që ligji ngarkon, të garantojnë këtë të drejtë për shkodranët por edhe për të gjithë shqiptarët. Më 30 qershor, nuk iu dha kjo e drejtë. Madje, iu mohua. Trupa më e specializuar për monitorimin e zgjedhjeve në mbarë globin, OSBE/ODIHR, e tha qartë këtë në raportin përfundimtar.

Duke iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, mund të them me bindje: Do të vazhdoj të zbatoj Kushtetutën, ligjet e këtij vendi dhe konventat ndërkombëtare ku aderon vendi ynë. Do të vazhdoj të ushtroj të gjitha kompetencat që më jep Kushtetuta e ligji, do të vazhdoj t’iu shërbej banorëve të Bashkisë së Shkodrës deri në momentin që ata, me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga askush, të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre me zgjedhje. I jam bindur dhe do të vazhdoj t’i bindem vullnetit të shkodranëve, ashtu siç kam bërë që në ditën e parë në pozicionet publike që më janë votëbesuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit