9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Zyrtari i OKB-së: Bota po dëshmon kolapsin e kushteve të mbijetesës në Gaza

Më të lexuarat

Duke e quajtur këtë një “katastrofë të shkaktuar nga njeriu”, Steiner tha se zgjidhja do të “krijohej nga njeriu” duke lejuar furnizime të mjaftueshme humanitare për të arritur mbi 2 milionë njerëzit në Gaza

Kreu i Programit të OKB-së për Zhvillim (UNDP), Achim Steiner ka deklaruar se bota po dëshmon një kolaps të kushteve të mbijetesës pa furnizime shtesë dhe pa një infrastrukturë funksionale në Rripin e Gazës.

Duke folur për Anadolu, kreu i UNDP-së, Steiner tha se situata po bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar pasi këtë javë “kemi parë statistika jashtëzakonisht shqetësuese për kushtet e urisë”.

Duke e quajtur këtë një “katastrofë të shkaktuar nga njeriu”, Steiner tha se zgjidhja do të “krijohej nga njeriu” duke lejuar furnizime të mjaftueshme humanitare për të arritur mbi 2 milionë njerëzit në Gaza.

Ai theksoi se 70 për qind e infrastrukturës së Gazës është shkatërruar dhe se shumica e njerëzve tani janë të zhvendosur brenda enklavës. Steiner tha se objektet e trajtimit të ujërave të zeza, energjia elektrike dhe burimet e ujit në Gaza në të ardhmen duhet të rindërtohen.

“Tragjikisht, (lufta) shpesh vret gra, fëmijë dhe njerëz që në njëfarë kuptimi janë kalimtarë. Ata janë viktima të pafajshme, ata janë civilë. Pa furnizime shtesë dhe një infrastrukturë funksionale, ne jemi dëshmitarë fjalë për fjalë të një kolapsi të kushteve në të cilat njerëzit mund të mbijetojnë”, tha Steiner.

Siç theksoi ai, tani OKB-ja është e përqendruar se si mund të ndihmojë njerëzit që kanë mbijetuar, të cilët janë të zhvendosur brenda në Gaza dhe që ende po detyrohen të ikin nga luftimet pothuajse çdo ditë pasi “nuk kanë ku të shkojnë”.

Izraeli ka zhvilluar ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Rreth 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit