2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Zyrtarët e Republikës Sërpska në Serbi për Kuvendin Gjithëserb

Më të lexuarat

Zyrtarët e Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, kanë arritur të premten në Serbi, pak para organizimit të Kuvendit Gjithëserb, që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten para mediave se ky është “demostrim i madh”, përmes së cilit Serbia dëshiron të tregojë “jo vetëm unitet në pikëpamje, por edhe unitet në vendosmërinë për të mos fshehur përkatësinë e të njëjtit popull”.

“Sa i përket Republikës Sërpska, ne duam të tregojmë respekt për Marrëveshjen e Dejtonit, për Serbinë dhe Republikën Sërpska, neutralitetin ushtarak dhe shumë parime tjera”.

Është paralajmëruar edhe mbajtja e një takimi qeveritar në të cilin pritet të miratohet Deklarata për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike, si dhe për mbrojtje të së adhmes së popullit serb.

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, Nemanja Staroviq, ka thënë më 7 qershor, në një paraqitje televizive se, deklarata do të respektojë Marrëveshjen e Dejtonit, Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës, “sovranitetin e shtetit fqinj, mirëpo edhe sovranitetin dhe integritetin e Republikës Sërpska brenda Bosnje-Hercegovinës”.

Një ditë më parë, Kuvendi Gjithëserb dhe Qeveria e Serbisë kanë miratuar protokolle dhe memorandum bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës Sërpska.

Fillimisht organizimi ishte planifikuar të zhvillohej më 5 dhe 6 maj, mirëpo presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i ka kërkuar presidentit Vuçiq që takimi të mbahet pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta është miratuar më 23 maj dhe shpall 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.

Serbia ka lobuar kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë, por e konsiderohen vetëm si “krim të tmerrshëm”.

Më 30 maj, pas takimit me Dodikun, Vuçiq ka thënë se uniteti i popullit serb “do të konfirmohet fuqishëm” në Parlament.

Dodik ka thënë në një konferencë për media më 23 maj se do të kërkojë mbështetjen e udhëheqjes së Serbisë lidhur me “shkëputjen e Republikës Sërpska nga Federata e Bosnje e Hercegovinës”.

Një ditë më vonë, Vuçiq ka thënë se “nuk mund” të komentoj për këtë iniciativë, dhe që paqja duhet të ruhet “me çdo çmim”.

Më 30 maj, Qeveria e Republikës Sërpska e ka emëruar një grup punues, me qëllim të hartimit të një propozimi për një marrëveshje për “shkëputje paqësore” në Bosnje-Hercegovinë.

Tentime për ndarje të tilla në Bosnje-Hercegovinë përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës së shtetit.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit