1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Zyrtarët e Gazës mbajtën konferencë për media mes trupave në spitalin e bombarduar nga Izraeli

Më të lexuarat

Zëvendësministri palestinez i Shëndetësisë në Gaza, Jusuf Abu al-Rish në konferencën për media tha se ky sulm nuk ishte sulmi i parë i Izraelit në spitalin Al-Ahli

Një konferencë për media u mbajt në mesin e funeraleve në Spitalin Baptist Al-Ahli, i cili u bombardua nga Izraeli në Gazën e bllokuar dhe ku u vranë 500 palestinezë, raporton Anadolu.

Zëvendësministri palestinez i Shëndetësisë në Gaza, Jusuf Abu al-Rish në konferencën për media tha se ky sulm nuk ishte sulmi i parë i Izraelit në spitalin Al-Ahli.

Duke thënë se forcat izraelite kryen dy sulme në spital më 14 tetor, Abu al-Rish tregoi foto të këtyre sulmeve. Ai tha se pas sulmit të parë, forcat izraelite kontaktuan drejtorin e spitalit “Mahir Ayyad” dhe thanë: “Ju jeni paralajmëruar nga dy bomba dje, pse nuk është evakuuar spitali deri më tani?”.

Duke bërë të ditur se drejtuesit e spitalit kontaktuan klerikë të krishterë në Britani pas kërcënimeve, Abu al-Rish deklaroi se ata morën një mesazh sigurie nga institucionet ndërkombëtare për funksionimin e spitalit.

“I vetmi vend në botë ku njerëzit paralajmërohen nga bombat është Rripi i Gazës”, tha Abu al-Rish duke shtuar se Izraeli kishte në shënjestër spitalet dhe nuk u morën masa paraprake kundër tij.

Ai u bëri thirrje vendeve të botës që të ndalojnë Izraelin të synojë civilët. Në videon nga konferenca për media, personeli mjekësor shihet duke qëndruar mes kufomave të mbuluara, ndërsa dy persona të ulur në tokë mbajnë në krahë trupat e një foshnjeje dhe një vajze.

Gassan Abu Sitte, një mjek që punon për organizatën “Mjekët pa Kufij” tha se ata u tronditën nga një shpërthim i fortë ndërsa po kryenin një operacion kirurgjik në spital.

Ai tha se tavani u shemb në sallën e operacionit. “Kjo është masakër”, tha Abu Sitte.

Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 304 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se mbi 3 mijë palestinezë u vranë dhe 12.500 u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit. Thuhet se 62 palestinezë u vranë dhe rreth 1.250 u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 8 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.

Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

Së fundmi, të paktën 500 palestinezë u vranë mbrëmë në sulmin e Izraelit ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit