Gjatë ditës së djeshme u arrit ratifikimi i marrëveshjes kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Pas përpjekjeve të shumta të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të parandalohet votimi përmes hedhjes së gazit lotsjellës, sërish u arrit në votimin pro demarkacionit me 80 vota për.
Ndërkohë sot Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përshëndetur arritjen e kësaj marrëveshje duke theksuar se paraqet një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj.
Sipas deklaratës së Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësueses së Posaçme të BE-së dhe Shefave të Misioneve të BE-së në Kosovë, ratifikimi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësorë.
“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës paraqet një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Ratifikimi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore. Gjithashtu, kjo nënkupton se u përmbush një nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Dëshirojmë të shprehim urimet tona të përzemërta për ligjvënësit e Kosovës që e bënë të mundur këtë gjë. Procesi ishte i gjatë dhe me raste i mundimshëm, por në fund u arrit rezultati i duhur për popullin e Kosovës”,thuhet tutje në këtë deklaratë.
Gjithashtu është komentuar edhe çështja e hedhjes së gazit lotsjellës duke thënë se praktika të tilla nuk kanë vend në diskursin politik.
“Sidoqoftë, me keqardhje pamë që diskutimi në Kuvend u pengua nga përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërprerë procedurat duke lëshuar gaz lotsjellës. Ne, i dënojmë me forcë të gjitha aktet e dhunës kundër ligjvënësve të Kosovës; praktika të tilla nuk kanë vend në diskursin politik.
Shpresojmë dhe presim që bashkëpunimi ndërpartiak për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të jetë shenjë e lëvizjeve të ardhshme në çështjet me rëndësi të madhe për Kosovën. Tash, vëmendja duhet të përqendrohet në forcimin e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për përmbushjen e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave dhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, përfundohet në deklaratë.